PD, Basha: Referendum popullor dhe moratorium kundër mbetjeve në Shqipëri

443
Sigal

Pas takimit me përfaqësues të
shoqërisë civile, kreu i Partisë Demokratike theksoi edhe një herë se opozita
është e vendosur deri në fund për të mos lejuar importimin e mbetjeve në
Shqipëri. Lulzim Basha këmbënguli edhe një herë që fjalën e fundit ta thotë
sovrani me referendum dhe propozoi miratimin e një moratorium që do të pengonte
çdo ligj për plehrat.

Ai e konsideroi kryeministrin Rama si
një “drejtor psikopat të një burgu” , i cili kërkon të bëjë ç’të dojë me
qytetarët e vendit të tij.

“Që në ditën e parë kemi qenë kundër
importit të plehrave në Shqipëri. Qeveria e Ramës u tregua e pabesë duke
gënjyer qytetarët dhe duke kaluar një ligj që i hap rrugën mafies ndërkombëtare
të plehrave, për të helmuar Shqiptarët dhe fëmijët e tyre, – tha Basha. – Kjo
çështje ka treguar pafytyrësinë kriminale të Ramës, sepse jo vetëm e anuloi
këtë ligj në 2013, por në 2014, krijoi një detyrim ligjor që brenda vitit 2016
të gjitha bashkitë e vendit të përfiundonin procesin e riciklimit të mbetjeve”.

“Sot Rama ka dështuar ta kalojë VKM-në
që vetë zbatoi. E gjithë Shqipëria është e mbuluar nga plehrat. Sëmundjet
kanceroegjene janë dhjetëfishuar për shkak të plehrave në vend. Tani që nuk
pastron dot plehrat e Shqipërisë kërkon të sjellë plehrat e Europës, – vazhdon
Basha. – Kjo është një pafytyrësi e tij që e konsideron Shqipërinë jo një vend
që ka detyrim t’i shërbejë, por si një burg që sillet si drejtori psikopat i
këtij burgu. Ne jemi të bashkuar për të mos e lejuar të importojë plehrat”.

Në fund Basha përsëriti idenë propozimin
e shoqërisë civile dhe të opozitës që ligji të përballet me referendum
popullor: “Na bashkon ky ligj me shoqërinë civile. Qëndrimi ynë është i qartë,
të miratohet dekreti i presidentit. Ta vendosim me referendum popullor dhe
bashkë me të të miratohet në Kuvend dhe një moratorium kundër importit të
plehrave”.