PD: Arrestimi i Babasit i paligjshëm, Tahiri do japë llogari

470
Duke iu referuar vendimit të Apelit, Partia Demokratike ka përsëritur se ndalimi me dhunë me policë me maska në mes të ditës i kryetarit të PD për degën 5, Ndriçim Babasi, ne 28 mars, është shpallur i paligjshëm. 
“Ndalimi me dhunë, me policë me maska, në mes të ditës i kryetarit të PD për degën 5, Ndriçim Babasi, me 28 mars, është shpallur i paligjshëm nga Gjykata e Apelit. Ndriçim Babasi u grabit me forca speciale e të armatosura mesditën e 28 marsit në një bar të Tiranës, bashkë me një grup të rinjsh aktivistë të Partisë Demokratike, studentë, mjekë e dentistë, të cilët u tërhoqën zvarrë me dhunë, me një akt të paligjshëm, të urdhëruar politikisht.
Babasi dhe 12 anëtarët e tjerë të PD u mbajtën 3 ditë në qelitë e drejtorisë së policise së Tiranës, duke thelluar paligjshmërinë e arbitraritetin e policisë, nën urdhëra politikë. Ndalimi i 28 marsit, ishte një ushtrim terrori ndaj opozitës, dhe një kërcënim që qeveria i bënte qytetarëve përmes skuadroneve me maska që të mos ngrejnë krye ndaj projektit të saj të paligjshëm, korruptiv e klientelist tek Parku i Liqenit.
Llogari të bëra gabim, pasi PD, opozita dhe qytetarët nuk tremben dhe nuk tërhiqen asnjë milimetër nga qëndrimi në mbrojtje të ligjit, në mbrojtje të pasurisë së përbashkët që është Parku i Liqenit. Partia Demokratike bën përgjegjës Saimir Tahirin dhe Drejtorin e Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj për urdhërimin dhe organizimin e këtij terrori të paligjshëm, dhe i siguron ata se do të japin llogari para ligjit”.
Sigal