PD: Anullimi i tenderit Kardhiq – Delvinë është luftë e brendshme mes anëtarëv të bandës së Edi Ramës për të vjedhur

504
Sigal

DEKLARATË PARTIA DEMOKRATIKE, JORIDA TABAKU

 

 

Largimi i Sonila Qatos nga detyra e Drejtores së Agjencisë së Rrugëve është tregues i qartë se banda kriminale e Edi Ramës ka filluar luftën e brendshme për të ndarë plaçkën e grabitur nga populli. Pjesa e Edi Ramës në çdo tender, në çdo kontratë, është e sigurt. Lufta bëhet se kush nga vartësit e tij do të marrë copën tjetër të korrupsionit.

 

Lufta gati 2 mujore për tenderin e rrugës Kardhiq – Delvinë vuri përballë Ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe Drejtoren e Autoritetit së Rrugëve, Sonila Qato, mes të cilave u prish pazari për kompaninë që do të fitonte miliona euro për 1 kilometër tunel. Të dyja kompanitë janë kliente të preferuara të qeverisë së Edi Ramës Gjoka Konstruksion, e koncesionit kriminal të Rrugës së Arbrit dhe Vëllezërit Hysa, e njohur si kompania fasadë tek tenderi i parë i Unazës së Re.

Partia Demokratike po sjell sot fakte sesi këto kompani,  ishin të dyja  në shkelje të kritereve për konkurencë të ndershme dhe sesi, në këtë tender, u përdorën kompani të tjera për të mbuluar përfituesin e vërtetë të tenderit me ofertën më të lartë, 20 milionë euro.

Emri i kompanisë “Vëllezërit Hysa” nuk shfaqet askund në tender, por, njjësoj si me skemën e DH Albanias tek Unaza e Re, ajo ka përdorur 2 kompani të tjera të lidhura me të. Megjithëse kjo është një skemë mashtrimi, e ndaluar me ligj,  Sonila Qato e shpalli fitues konsorciumin e kompanive Vëllezërit Hysa, oferta e të cilëve ishte 4 milionë euro më e lartë se konkurentja tjetër.

Rreth 1 muaj më parë, Vëllezërit Hysa janë shpallur fitues nga Sonila Qato edhe në një tender tjetër paralel. Bëhet fjalë për tenderin tjetër korruptiv të Unazës së Re.

Në mënyrë që të fitonin dy tenderat njëkohësisht, 40 milion euro, me bashkëpunimin kriminal të Sonila Qatos, kompania “Vëllezërit Hysa” përdorën kompani të tjera, duke fshehur identitetin ne tenderin e Kardhiq – Delvinës.

Kompanitë që ka përdorur për mashtrim janë Sulova dhe IRCOP, një degë e kompanisë italiane, e hapur pak ditë para tenderit. Dokumentat tregojnë se ato kanë të njëjtën adresë, të njëjtët numra telefoni me kompaninë Vëllezërit Hysa. Ato drejtohen nga të njëjtët njerëz, që punojnë për Vëllezërit Hysa. Kjo është e njëjta skemë mashtrimi si tek Unaza e Re me DH ALBANIA.

 

Nëse do të zbatoheshin rregullat e tenderit, ato duhet të ishin skualifikuar për mashtrim të autoriteteve, për ndërhyrje në ofertë, siç e parashikon ligji, dhe jo të shpalleshin fitues me ofertën më të lartë apo t’u bëheshin favore të tjera teknike.  Dokumentat që disponojmë tregojnë se ARRSH-ja ka punuar, në kundërshtim me ligjin, për të ndihmuar firmën e saj të preferuar, që nga modifikimi i kritereve gjatë garës, deri tek  shtyrja e hapjes së ofertave, në mënyrë që dega e kompanisë  italiane, e cila punonte për “Vëllezërit Hysa”, të pajisej me një licensë teknike, pa të cilën konsorciumi fasadë, skualifikohej.

Ky është një rast i rëndë korrupsioni, ku përfshihet direkt drejtuesja e Autoritetit të Rrugëve, Sonila Qato.

 

Me qeverinë e Edi Ramës, konkurenca e ndershme nuk ekziston. Ecuria e tenderit Kardhiq – Delvinë, tregon se Ministrja e Infrastrukturës ka qenë e interesuar të fitojë një firmë tjetër e lidhur me Edi Ramën, “Gjoka Konstruksion”, i koncesionit kriminal të rrugës së Arbrit.

Megjithëse kishte ofertë 4 milionë euro më të ulët, “Gjoka” u skulifikua nga gara prej Sonila Qatos, por u rifut në garë, pasi Komisioni i Prokurimit Publik e vlerësoi të padrejtë përjashtimin e kompanisë në pazar me Ministren e Infrastrukturës.

 

Lufta e brendshme u bë akoma më e egër, kur Sonila Qato refuzoi t’i bindej vendimit të KPP-së dhe nisi procedurat për skualifikimin e përsëritur të Gjokës, bazuar mbi dyshimet se edhe kjo kompani kishte mashtruar dhe fallsifikuar dokumentat e tenderit.

 

Bëhet fjalë për fallsifikimin me punimet në Rrugën e Arbrit, të cilat kompania “Gjoka Konstruksion” i ka paraqitur në tenderin e Kardhiq Delvinë si kriter përmbushës për kualifikim. Për këto punime, Gjoka është paguar 23 milionë euro nga Ministria e Infrastrukturës, por një grup inspektimi i Sonila Qatos 10 ditë para anullimit të tenderit, raportoi se Gjoka ka fallsifikuar të dhënat dhe nuk i ka kryer këto punime në masën 20% për t’u kualifikuar në tenderin e Kardhiq- Delvinës. Fallsifikimi është bërë në bashkëpunim me firmën që mbikqyr punimet tek Rruga e Arbrit dhe me të cilën Gjoka ka hyrë si ortake në tenderin e Kardhiq-Delvinës. Ky konflikt i hapur interesi është i ndaluar nga ligji “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit”. Ky ligj ndalon çdo lidhje mes firmës që mbikqyr dhe firmës që mbikqyret, gjë që është shkelur hapur në rastin e kompanisë Gjoka.

 

Bërja publike e konfliktit mes anëtarëve të bandës se kush do të merrte pjesën e korrupsionit, e detyroi Edi Ramën të anullojë tenderin, njësoj siç bëri me anullimin e parë të tenderit tek Unaza e Re, kur iu zbulua skema e vjedhjes me kompaninë fantazëm DH Albania.

 

Ky tender i anulluar nga pazaret e prishura është vetëm maja e ajsbergut e korrupsionit të frikshëm të qeverisë së drejtuar nga Edi Rama! Aktualisht, rivalët brenda bandës janë në armëpushim, por, nëse nuk i largojmë, ata do të vazhdojnë të na vjedhin, ne dhe të vjedhin të ardhmen e fëmijëve tanë!