PD, Alibeaj: Tahiri-Shullazi caktojnë njeriun e tyre në krye të doganave

617
Partia Demokratike ka denoncuar sot emërimin e një tjetër personi me lidhje kriminale sipas tyre në poste kyçe. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në PD Enkeleid Alibeaj, tha sot se ‘çifti Tahiri-Shullazi kanë caktuar njeriun e tyre në krye të doganave’ duke iu referuar Besmir Qebinit, i cili pak ditë më parë mori detyrën si zv.drejtor i Përgjithshëm i Doganave. “Emërimet e personave me lidhje kriminale në poste kyçe vazhdojnë. Kapja e shtetit, kapja e institucioneve përmes këtyre emërimeve kriminale po shtrihet çdo ditë në Polici, Tatime, Dogana dhe kudo ku merren vendime të rëndësishme. Një nga sejmenët e çiftit Tahiri-Shullazi, me lidhje të forta me këtë klan kriminal në aksin Tiranë-Durrës, është caktuar para disa javësh zv/drejtor i Përgjithshëm i Doganave shqiptare, në krye të anti-kontrabandës dhe hetimit doganor”, tha Alibeaj.

Sipas tij, Besmir Qebini, u largua nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe për dyshime të forta si i përfshirë në trafikun e drogës. “Prej disa javësh ky person, dhe përmes tij krimi, ka në dorë jo vetëm kontrabandën por edhe anti-kontrabandën dhe hetimin doganor. Shkurt, krimi ka çdo lehtësi për aktivitetet e veta të paligjshme, për trafikun e drogës dhe të armëve. Duke caktuar si zv/drejtor të Përgjithshëm të Doganave, këtë lidhje të fortë të çiftit Tahiri-Shullazi dhe bandës që kontrollon Tiranën dhe Durrësin, krimi ka siguruar përfundimisht traun e doganës për aktivitetet e veta”, tha Alibeaj.
Ai theksoi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka sjellë fuqizimin e bandave dhe trafikantëve. “Nuk është rastësi që para disa ditësh u raportua se Emiliano Shullazi u fut nga PKK Durrës me një mjet të blinduar, i cili as nuk u ndalua dhe as nuk u kontrollua në doganë. Ky inkriminim i strukturave shtetërore nga Edi Rama ka sjellë fuziqimin e bandave dhe trafikantëve dhe dobësimin e shtetit. Qytetarët duhet të marrin në dorë fatet e tyre për të larguar sundimin e krimit, dhe për t’ia kthyer doganat dhe policinë interesit publik, interesave të vendit”, përfundoi Alibeaj.
Sigal