PD, Alibeaj: Rama e ndihmoi Frrokun të arratisej dhe t’i fshihej burgimit të përjetshëm

420
Partia Demokratike, përmes kreut të Departamentit të Sigurisë Enkelejd Aliebaj ka reaguar pas arrestimit të Arben Frrokut në Hollandë, ku ka thënë se ndalimi i tij u mbajt i fshehur. Ai ka shtuar se Ministri i brendshëm ka vonuar dërgimin e të dhënave ndaj tij ashtu siç bëri edhe me vëllain më të vogël Mark Frroku. Alibeaj ka shtuar se, denoncimi për kapjen e tij në Hollandë detyroi Saimir Tahirin që të dërgonte të dhënat drejt shtetit holandez. Arben Frroku fillimisht u shpall i pafajshëm, për akuzën e vrasjes së ish komisarit Dritan Lamaj, por më pas Gjykata e Apelit vendosi për burgim të përjetshëm ndaj Frrokut. 
Deklaratë e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Alibeaj
Lajmi i ndalimit të Arben Frrokut, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj, nxjerr zbuluar bashkëpunimin e dyfishtë të pikave kyçe të policisë, me bekimin e Tahirit dhe Edi Ramës, në arratisjen e të dënuarit dhe me tej në favorizimin e tij për të shmangur drejtësinë.
Ndalimi i Frrokut në Holandë është bërë që me 6 mars. Por autoritetet shqiptare, kanë vonuar dërgimin e të dhënave në shtetin e BE.
Të njëjtët persona, i njëjti mekanizëm, që la në sirtar për muaj me radhë kërkesën e Interpol Bruksel për deputetin e Edi Ramës, vëllain e të dënuarit me burgim përjetë, Mark Frroku.

Të njëjtët persona që shërbyen krimin dhe shkelën ligjin duke fshehur kërkesën e Policisë së Brukselit, sigurisht me urdhërin e Tahirit e me lejen e Edi Ramës, edhe këtë radhë, shërbyen krimin duke vonuar dërgimin e të dhënave. Ishte denoncimi publik i bërë nga z. Berisha që i detyroi Tahirin e Ramën të dërgojnë të dhënat, ku u konfirmua se ishte pikërisht Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm, shtetasi i ndaluar në Holandë me identitet tjetër të falsifikuar. Edi Rama fillimisht e mbështeti aleatin e tij politik, duke i mundësuar arratisjen. Pak para se të dënohej me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit, Frroku iku nga Shqipëria pa lënë asnjë gjurmë në sistemin Tims. Pra me urdhër, policia ka hapur kufijtë për të, dhe i dënuari për vrasjen e komisarit të policisë, avulloi pa lënë asnjë shenjë. Ky bashkëpunim me krimin, me të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e një oficeri të lartë, është në të vërtetë fytyra e Tahirit, e Ramës dhe e kësaj oligarkie që sundon me krimin e për krimin.
Sigal