PD akuzon Ramën: Me kapjen e prokurorisë do të mbyllë çështjet e nxehta. Flasin Bylykbashi e Manja

“PS po synon kapjen e Prokurorit, do të mbyllë çështje që po i djegin, si Tahirin”

Kur u mendua se mazhoranca do të hiqte dorë nga vendosja e një prokurori të përkohshëm, Balla njoftoi të kundërtën, opozita e konsideron shkelje të Kushtetutës

Mazhoranca prej më shumë se një muaji ka nisur diskutimet për largimin e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe zëvendësimin e tij me një prokuror të përkohshëm që sipas tyre duhet të ketë eksperiencë 15 vjeçare dhe ketë gradë shkencore. Propozimi i PS-së është kundërshtuar nga opozita, e cila ka kërkuar që PS të heqë dorë nga kapja e sistemit të drejtësisë, kryesisht organit të hetimit. Por një gjë e tillë duket se është e pamundur në kushtet në të cilat e kanë sjellë procesin të majtët. Prej më se një viti, sistemi i drejtësisë është në kolaps, kjo për shkak të moskrijimit të strukturave jetike atë të KLP dhe KLGJ. Janë këto dy organe, të cilat do të bëjnë më pas zëvendësimin e vendeve vakant që do të mbeten pas pastrimit të gjyqësorit. Opozita është shprehur se kryeprokurori aktual, Adriatik Llalla, nuk duhet të largohet nga detyra, pavarësisht përfundimit të mandatit. Ai duhet të qëndrojë në detyrë deri në ardhjen e një prokurori të ri, kandidaturë, e cila duhet të përzgjidhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ekspertët nuk janë të bindur për përfundimin e këtij procesi, i cili, ndonëse ka nisur verën e vitit të kaluar, nuk dihet se kur do të përfundojë. Dy ditë më parë, deputeti i majtë, Taulant Balla, deklaroi se mazhoranca është e vendosur për të zëvendësuar Llallën. Sipas tij, në krye duhet të vijë një tjetër prokuror deri sa të emërohet i riu. E kjo gjë, sipas Ballës do të duhet të vendoset nga Kuvendi i Shqipërisë me shumicë të thjeshtë votash. Ka ardhur një reagim i menjëhershëm nga Partia Demokratike. Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi, u shpreh hapur ditën e djeshme, se Partia Socialiste po kërkon të kapë Prokurorin e Përgjithshëm, mandati i të cilit përfundon pas pak ditësh, duke përfituar nga një boshllëk kushtetues. "Qëllimi është, - tha Bylykbashi, - që nëpërmjet një prokurori të mbyllin të gjitha çështjet që u djegin në këto momente që mund të përfshijnë, jo vetëm skandale të karakterit korruptiv, por edhe skandale të karakterit kriminal siç është çështja e Saimir Tahirit.

Deklarata e Bylykbashit kundër mazhorancës
" Kushtetuta është mjaft e qartë, përcakton rregulla kushtetuese që nuk shtohen qoftë me një ligj tjetër, i cili mungon, qoftë me veprime mbi bazën e rregullores nga mazhoranca.

Kushtetua përcakton Këshillin e Lartë të Prokurorisë si organin që deklaron fundin e mandatit të prokurorit të përgjithshëm. Pra organi kushtetues i parashikuar nga kushtetuta është KLP. Fakti që kanë lënë boshllëk kushtetues për këtë çështje është një problem që nuk zgjidhet as me deklarata, as me MEMO dhe as me ndonjë ligj apo rregullore të Kuvendit sepse është normë kushtetuese që duhet të jetë aty.

Zgjidhja është e thjeshtë, siç kanë bërë për KLGJ, të çojnë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të cilët i përcaktojnë vetë për të kompletuar KLP dhe më pas procesi funksionon. Është e qartë qëllimi është kapja e Prokurorit nëpërmjet shfrytëzimit këtij boshllëku kushtetues që e kanë lënë vetë. Ligji nuk zëvendëson Kushtetutën; rasti i mbarimit të parakohshëm të mandatit është kur Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen, vdes, largohet nga detyra për arsye siç është rasti i Vetingut, por nuk jemi në këtë rast.

Ajo që është shumë e rëndësishme është që ligji edhe në rastin e ligjit përcaktohet se merr vendim Kuvendi dhe Kushtetuta është e qartë. Vendimi merret nga Kuvendi me 3/5 e votave dhe kjo është çështje tjetër, e cila përfshirë faktin që asnjë kandidat nuk ka kaluar Vetingun dhe ky është një kërkesë themelore, janë të gjitha përpjekjet e mazhorancës që Prokurorin e Përgjithshëm që deri në 1 shtator votohej me 2/3 e Kuvendit dhe pas datës 1 shtator duhet të jetë me 3/5, mazhoranca kërkoi ta zgjidhë me 36 vota përfshi edhe votën e Saimir Tahirit. Qëllimi është që nëpërmjet një prokurori të mbyllin të gjitha çështjet që u djegin në këto momente që mund të përfshijnë jo vetëm skandale të karakterit korruptiv, por edhe skandale të karakterit kriminal siç është çështja e Saimir Tahirit.

Manja kundër vazhdimësisë së kryeprokurorit Llalla në detyrë
Deputeti socialist, njëherësh kryetar i komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja ka zbuluar këtë të martë se dita e fundit e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla është 7 dhjetori. Sipas tij kësaj çështje i ka dhënë përgjigje dhe Kushtetuta dhe neni 109 2 i ligjit për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë.

“Që do të thotë mandati i Prokurorit mbaron në datën 7 dhjetor 2017. Kuvendi i Shqipërisë do të ketë një përgjigje për këtë situatë të krijuar”, deklaroi Manja. Të majtët kishin vendosur më herët për ta futur në kalendarin tre-javor të punimeve të Kuvendit, çështjen Llalla, por një gjë e tillë nuk u bë. U tha se ata u tërhoqën duke dashur të mbyllnin kështu zërat se gjithçka e bëjnë për të kapur drejtësinë. Për çështjen e kryeprokurorit kanë dhënë rekomandimet përkatëse dhe dy institucionet ndërkombëtare që asistojnë në vendin tonë për të dhënë ekspertizë ligjore OPDAT dhe EURALIUS. Pak ditë më parë ato dolën me rekomandimet përkatëse, lidhur me zëvendësimin e Llallës. Sipas tyre mënyra e vetme për të respektuar Kushtetutën, është vendosja e një prokurori të përkohshëm në krye të organit të hetimit, deri në ngritjen e KLP-së dhe ardhjes së një emri të ri.