PD akuza diplomacisë për Samitin e Vjenës dhe votën pro Palestinës në OKB

442
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, u përfshi në debate me paraardhësin e tij, demokratin Aldo Bumçi, për një seri çështjesh, nga samiti i Vjenës, ku sipas demokratit Shqipëria doli humbëse, tek politika preferenciale e qeverisë ndaj politikanëve kosovarë dhe deri tek vota e Shqipërisë pro Palestinës në OKB.
Seanca dëgjimore për Kosovën në Komisonin e Jashtëm, ku ra në sy mungesa e një pjese të mirë e deputetëve, u kthye në një përballje mes Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe paraardhësit të tij, Aldo Bumçi.
Demokrati lëshoi kritika ndaj politikës sonë të jashtme e cila dështoi në Samitin e Vjenës, pasi nuk arriti të përfitonte asnjë projekt të përbashkët me Kosovën.
Jo vetëm kaq, por sipas Bumçit, qeveria shqiptare po tregohet preferenciale ndaj aktorëve politikë të Kosovës, akuzë që u hodh poshtë nga Kryediplomati.
Bumçi: Ka një trajtim preferencial nga Tirana, nga Kryeministri, qeveria të aktorëve politikë në Kosovë. Nuk i zgjedhim ne se kush janë drejtuesit e Kosovës, ata i zgjedhin qytetarët e Kosovës.
Bushati: I mbajmë linjat e komunikimit hapur me të gjithë aktorët politikë në Kosovë, si këtu, si atje.
Debate shkaktoi edhe vota e Shqipërisë pro Palestinës në OKB, votë që sipas Bumçit është devijim i politikës sonë të jashtme, por Bushati tha se vota ishte pro interesave të Shqipërisë.
Bumçi: Ne nuk votuam krah SHBA, partneri jonë kryesor strategjik. Jo vetëm nuk votuam pro SHBA, por nuk votuam as pro Gjermanisë.
Bushati: Votimi në OKB ka qenë një votim për vendosjen e flamurit të Palestinës dhe Vatikanit, si dy shtete që kanë statusin e vëzhguesit në OKB.
Mes replikave, Bumçi kujtoti edhe emailin që Kryeministri ua dërgonte Ministrave pak kohë më parë.
Bumçi: Mos e vritni turkun brenda jush, një gafë e jashtëzakonshme e turpshme, ose hidhuni nga anija. Zoti. Ministër ju cilën këshillë do të ndiqni, do të vrisni turkun aleatin strategjik, apo do të hidheni nga anija?
Bushati: Asnjëherë nuk më zhgënjen sa herë vi në këtë Komision dhe e di gjithmonë se çfarë do të më thuash. Dhe çfarë e ke tëndën dhe çfarë ta japin.
Sigal