Pazaret politike të qeverisë me shtyrjen e afatit për gjyqtarin shqiptar në Strasburg

495
Këshilli i Evropës i ka kërkuar qeverisë shqiptare të paraqesë listën me propozime për tri kandidaturat më të përshtatshme për pozicionin e gjyqtarit të ri të Shqipërisë në GJEDNJ, i cili votohet nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Është shtyrë deri më 16 prill 2018 afati i aplikimit për gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut. Lajmin e njofton Kryeministria, përmes një deklarate për mediat. Ky institucion thekson se Komisioni Evropian kërkon tre kandidatura për gjyqtar në GJEDNJ. Para një viti, në prill 2017, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka refuzuar për herë të dytë tre kandidaturat e paraqitura nga qeveria shqiptare për gjykatën evropiane të njeriut në Strasburg. Pasi janë intervistuar nga komisioni me datën 6 prill të tre kandidatët e propozuar nga qeveria shqiptare, Aurela Anastasi, Sokol Berberi dhe Aleksandër Muskaj, ata janë refuzuar. Kjo është hera e dytë brenda disa muajve që Këshilli i Evropës i kthen mbrapsht qeverisë shqiptarë e propozimet e saj për në Strasburg, ndërsa i kërkon sërish të paraqesë një listë të re kandidatësh. Por emri i Sokol Berberit refuzohet për herë të dytë, pasi edhe në refuzimin e parë të këtij emri nga asambleja por edhe të ish-kryeprokurores Ina Rama dhe të konstitucionalistit Gent Ibrahimi as nuk janë marrë fare në intervistë nga komiteti duke i refuzuar ata në bllok. Arsyeja e refuzimit herën e parë nuk kishte lidhje me aftësitë e tyre, por me procedurat e ndjekura nga qeveria shqiptare ne përzgjedhjen e tyre. Sipas Kryeministrisë, mandati i gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të drejtat e Njeriut është për një afat prej 9 vitesh. Kryeministria jonë ka shpallur edhe kritere, që duhet të plotësojnë juristët për këtë kandidaturë. Mirëpo, pyetja është: Pse refuzohen vazhdimisht kandidaturat që paraqet qeveria shqiptare për gjyqtar në Strasburg? Përse ndodh, që herë kandidati i paraqitur nga qeveria jonë nuk plotëson kriteret, ndaj i refuzohet kandidatura dhe herë ndodh që kandidatura rrëzohet sepse qeveria nuk ka zbatuar procedurat? Përgjigja është e qartë. Qeveria shqiptare domosdoshmërish, do të çojë në gjykatën e Strasburgut një militant partiak të saj, dhe jo një përfaqësues të denjë juridik. Sa i përket kritereve, theksohet se aplikanti për gjyqtar në Gjykatën e Strasburgut duhet të jetë shqiptar, dhe të ketë kryer arsim juridik. Po kështu ai duhet të ketë 15 vite përvojë pune, si dhe të mos ketë mbajtur funksione politike. Pas vlerësimit të dosjeve të aplikimit dhe përfundimit të procesit të rivlerësimit kalimtar, aplikantët do t’i nënshtrohen intervistës, ku një pjesë e pyetjeve do të jenë në një nga gjuhët zyrtare të Këshillit të Evropës (anglisht ose frëngjisht). Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 16 prill 2018.
Sigal