Sigal

Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Çuçi: Nuk ka sfondin politik për ndryshimin e Sistemit Zgjedhor

Në fund të muajit korrik 2018 mbaron mandati i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Bashkëkryetari i këtij komisioni parlamentar, Bledi Çuçi deklaron se ende nuk ka sfond për të ndryshuar sistemin zgjedhor.

 Ja 5 fushat e ndryshimit të reformës zgjedhore

Bashkëkryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi pohoi se 5 janë fushat kryesore që planifikohen për ndryshime ligjore në reformën e re zgjedhore. Bashkëkryetari Çuçi deklaron: “Komisioni i posaçëm Parlamentar për reformën zgjedhore planifikon të propozojë ndryshime ligjore në pesë fusha kryesore të reformës: Administrata zgjedhore, fushata, regjistrimi i zgjedhësve, përdorimi i teknologjive të reja të votimit dhe votimi i shtetasve shqiptarë jashtë vendit.” Depolitizimi i komisioneve zgjedhore kërkohet nga OSBE/ODIHR, por për këtë duket se palët ende nuk kanë konsensus. “PS është gati që të ecë me depolitizim të plotë”, – thotë Çuçi.

Dakordësia PS-PD për mosndryshimin e Kodit Zgjedhor

Bledi Çuçi deklaroi se ende nuk ka sfond për të ndryshuar sistemin zgjedhor. Me fjalë të tjera, PS-ja është kundër ndryshimit të Kodit Zgjedhor. PD-ja deri tani hesht dhe asnjëherë nuk e ka përmendur publikisht qëndrimin e saj për Kodin Zgjedhor. Deputeti Dashamir Shehi, anëtar i këtij komisioni ka deklaruar për gazetën “Telegraf”, se kryetari i PD-së u ka premtuar se PD-ja do të luftojë fort për të ndryshuar Kodin Zgjedhor. Bashkëkryetari demokrat i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, Bylykbashi në një prononcim për gazetën “Telegraf” ka pohuar se PD dhe PS kanë gjetur dakordësinë në reformën zgjedhore, duke përmendur edhe 5 fushat kryesore ku do të bëhen ndryshime zgjedhore, të cilat i lartpërmendi edhe kolegu socialist, Çuçi. OSBE dhe ODIHR përherë kanë deklaruar se duhet të bëhet reformë zgjedhore, dhe këtu ata kanë parasysh ndryshimin e sistemit zgjedhor, i cili deri tani nuk barazon votën, dhe votuesit nuk zgjedhin drejtpërdrejt deputetin, por votojnë për listat e mbyllura të Partisë, duke sjellë pasojat e kriminalizimit të parlamentit siç ndodhi, në 2013 dhe 2017.