Pavarësia e Greqisë, Rokanas: Integrimi i Shqipërisë në BE, prioritet i Presidencës greke

546
Sigal

Ambasadori i Republikës së Greqisë në Tiranë, Leonidas Rokanas u shpreh mbrëmjen e djeshme gjatë ceremonisë së festës së 193 vjetorit të Pavarësisë së Greqisë se, integrimi i Shqipërisë në BE është edhe prioriteti kryesor dhe thelbësor i Presidencës greke të BE-së. Sipas ambasadorit grek, “jemi dëshmitarë të një epoke të re dinamike të marrëdhënieve bilaterale. Në bazë të kësaj marrëdhënieje mbetet objektivi strategjik integrimi i Shqipërisë në BE. Ky është edhe prioriteti kryesor dhe thelbësor i Presidencës greke të BE-së”. “Ne si Greqi, edhe unë, jam i përkushtuar që t’iu mbështesim ju në këtë kërkesë që Shqipëria meriton”, theksoi ambasadori Rokanas. Ambasadori i Greqisë u shpreh në këtë ceremoni se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë përmirësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. “Kam kënaqësinë të raportoj që në muajt e fundit marrëdhëniet tona janë përmirësuar ndjeshëm për mirë. Dhe kjo duket nga niveli i shkëmbimeve dhe takimeve politike. Përmend këtu vizitat dy herë të Zv/Kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Evangelos Venizelos dhe vizitën e Presidentit Karolos Papulias, si dhe vizitat e ministrave të Greqisë në Shqipëri”, tha ambasadori Rokanas. Ai theksoi se “ekonomitë e dy vendeve janë të lidhura ngushtë. Marrëdhëniet tona janë të veçanta dhe strategjike, sepse kanë një lidhje të fortë historike dhe njerëzore. Grekët që janë në Shqipëri dhe shqiptarët në Greqi janë simboli i kësaj lidhjeje të veçantë”. Sipas ambasadorit Rokanas, “Greqia po del fitimtare nga një krizë ekonomike globale e skajshme. Pas vitesh në recesion, Greqia po bën hapa para dhe kjo është shenjë e mirë edhe për vendet fqinje përfshirë Shqipërinë”.