Patozi: Që Partia Demokratike të mos vlejë vetëm për historinë, në vend të një urimi klasik

609
Përvjetorët nuk do të kishin shumë vlerë, nëse do të shërbenin vetëm për ushqimin e nostalgjisë së veteranëve, sado dekorata të mbanin ata në gjoks. Nga kjo ligjësi nuk mund të bëjë përjashtim, as ditëlindja e Partisë Demokratike, me gjithë peshën e saj të rëndë në historinë moderne të Shqipërisë. Ato, mbi të gjitha, janë ftesë për të bërë një bilanc, për atë që ka ndodhur nga dita e themelimit, por edhe nga njëri përvjetor në tjetrin. I kërkoj ndjesë çdo anëtari të Partisë Demokratike, që mund të ndjehet i lënduar nga të vërtetat që do të them më poshtë, por nuk është aspak qëllimi im të trazoj emocionet e tyre, e aq më pak të prish festën time. Por jam i detyruar ta bëj nga përgjegjësia që ndjej, për të bërë aq sa mundem, për shpëtimin e saj. Unë nuk e pranoj dot që ne sot duhet të mburremi vetëm me lavdinë tonë të dikurshme, ndërkohë që kemi shumë pak ose aspak për të thënë për të sotmen, le më pastaj për të ardhmen. Kam bindjen e thellë se hipokrizia dhe sidomos patetizmi nuk na shërbejnë për ta nxjerrë Partinë Demokratike nga boshllëku dhe rrënimi. E vetmja gjë për të cilën kemi nevojë sot është një sens realizmi, i cili do të shërbente për të parë në sy defektet dhe për të ndërtuar me urgjencë një projekt rindërtimi dhe ringritjeje, për ta kthyer atë, jo thjesht në pushtet, por në vendin që i takon, si gjenerator i shoqërisë shqiptare. 27 vjet pas themelimit të saj Partia Demokratike e sheh veten në kuotën më të ulët të peshës së saj politike dhe të ndikimit të vet në zhvillimin e Shqipërisë. Është një rënie në pikiadë, e rëndë dhe e pamerituar për dhjetëra e mijëra demokratë të përkushtuar, të cilët iu bashkuan asaj në kohë të ndryshme, që nga dhjetori i 90-ës e deri më sot. Arsyeja nuk ka të bëjë aspak me fundin e një cikli të natyrshëm për një parti dhe aq më pak është konspirative apo gjeopolitike. Partia Demokratike po vuan sot pasojat dramatike të drejtimit të gabuar, që e ka larguar atë shumë prej misionit dhe traditës së vet, duke e shndërruar me shpejtësi në një forcë politike të pafuqishme, të vjetruar dhe që nuk frymëzon më askënd. Për shkak të keq menaxhimit të saj, sidomos në 4 vitet e fundit, demokratët në mbarë vendin gjenden sot në një pozitë të vështirë, që nuk ka të bëjë thjesht me shifrat dëshpëruese të humbjeve në zgjedhjet e fundit. Përtej tyre, lidershipi i Lulzim Bashës i ka shkatërruar gati plotësisht të gjitha kolonat kryesore, që mbajnë në këmbë dhe të karikuar një parti politike moderne. Ndaj më shumë se çështje numrash në parlament apo këshilla bashkiake, kriza e Partisë Demokratike ka të bëjë me deformimet e rënda në përfaqësimin e saj, personalizimin total të vendimmarrjes, shterpësinë e ideve dhe sidomos me hedhjen në erë të çdo instrumenti garantues për karrierën politike brenda saj. Praktikisht, në vend të një partie politike, ku çdo anëtar dhe votues ka aksionet e tij, kemi mbërritur tek një kompani jorentabël biznesi me një pronar të vetëm. Forca politike që përmbysi diktaturën përmes zgjedhjeve, është katandisur gradualisht në një organizatë kaotike, ku nuk ka më asnjë vlerë vota e anëtarëve, e cila as nuk numërohet dhe as nuk respektohet. Farsa e rizgjedhjes së kryetarit humbës më 22 korrik është shembulli më i shëmtuar i deformimit dhe i manipulimit të votës dhe një karshillëk i hapur, jo vetëm për anëtarësinë e partisë, por për gjithë publikun shqiptar. Çfarëdo që të bëjmë dhe themi sot, në këtë përvjetor, secili prej nesh që kemi pasur një mandat të caktuar politik në vite, jemi borxhli ndaj jush, e para se nuk ju kemi vlerësuar kurrë në përmasat e kontributit tuaj të çmuar. Por mbi të gjitha, për katandisjen e sotme të forcës sonë politike. Natyrisht, jo të gjithë kemi përgjegjësinë e Lulzim Bashës, sepse ajo është individuale dhe po aq e matshme. Por ajo që ka vlerë sot është e ardhmja jonë, e cila nuk është thjesht perspektiva e një partie politike, por është në fakt Shqipëria e nesërme. Ndaj do të doja të ftoja sot modestisht çdo anëtar dhe votues të Partisë Demokratike, por pse jo dhe çdo shqiptar tjetër që beson tek vlerat e së djathtës, madje edhe përtej asaj, për një reflektim të thellë. Bilanci tmerrësisht negativ i Partisë Demokratike në këtë përvjetor nuk duhet të na dekurajojë aspak ne për të mos parë dritë në fund të tunelit. E keqja vërtetë ka shkuar larg në këtë vend, por prapë nuk ka vend për pesimizëm. Ne ende mund t’ia dalim që ta kthejmë Partinë Demokratike, në kohërat e saj më të mira, dhe kjo jo thjesht si qëllim pushteti, por më shumë si një detyrim ndaj shoqërisë shqiptare, që sot është në udhëkryq.
Sigal