Patozi: PD ka nevojë për shkundje, zgjedhjet brenda saj, qesharake

477
“Zgjedhjet e 22 korrikut do t’i frymëzojnë gjatë studiuesit dhe politologët.” Kështu shprehet Astrit Patozi duke komentuar një studim të Afrim Krasniqit. Patozi thekson se, kriza e demokracisë tek partitë tona shkakton efekte të rënda për shtetin, sistemin dhe shoqërinë tonë. Ish-nënkryetari i PD vijon akuzat duke deklaruar se zgjedhjet për kryetarin e PD u manipuluan, ndërsa fitoren e Bashës e cilëson qesharake. Sipas tij duhet një shkundje e fortë e sistemit dhe Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike ka marrë përsipër që ky aksion i madh politik të nisë me reformimin e së djathtës. “Një studim për të mos u humbur i Afrim Krasniqit, ku shpjegohet shumë profesionalisht se kriza e demokracisë tek partitë tona shkakton efekte të rënda për shtetin, sistemin dhe shoqërinë tonë. Autori e merr shtysën kryesisht tek zgjedhjet e brendshme të dy partive të mëdha, duke pasur precedencë Partinë Demokratike. Jo thjesht për shkak të nostalgjisë, që e lidh me të, por më shumë për arsye të flagrancës së çudive dhe trukimeve, që u vunë re në farsën e 22 korrikut. Studimi trajton me detaje të gjitha shifrat absurde, që çojnë automatikisht në deduksionin se zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike u manipuluan fare trashë. Krahasimi me rezultatet e opozitës në zgjedhjet politike, të cilat ishin mbajtur më pak se një muaj më parë, e bëjnë fare qesharake “fitoren” e Lulzim Bashës. Kam bindjen e plotë se zgjedhjet e 22 korrikut do të shërbejnë për një kohë të gjatë si referencë negative për studiuesit dhe politologët, ndonëse ka ende thagma të pazbardhura për to. Ato janë shembulli tipik i nevojës që ka politika shqiptare për një shkundje të fortë, që fillon me demokratizmin dhe çbunkerizimin e partive. Lëvizja për Ringritjen e Partisë Demokratike ka marrë përsipër që ky aksion i madh politik të nisë me reformimin e së djathtës. Më poshtë disa nga grafikët e studimit, që demaskojnë farsën e 22 korrikut”, përfundon Astrit Patozi statusin e tij në rrjetin social Facebook.
Sigal