Patozi: Nuk do të votoj më 22 korrik, më pas të shohim ç’do bëjmë

565
Mund të konsiderohet si një prej kryesuesve të grupimit “rebel” brenda Partisë Demokratike. Ka dalë hapur me tezat e tij kundër kryetarit tashmë të vetëngrirë, Lulzim Basha. Astrit Patozi një nga demokratët më të vjetër, prej 25 qershorit, vazhdon t’i bëjë thirrje gati të përditshme Lulzim Bashës të tërhiqet nga gara e 22 korrikut ku është në përballje me Eduard Selamin dhe t’i hapë rrugën një gare të re, të lirë dhe të ndershme, ku ai është shprehur se mund të jetë pjesë e saj. I pyetur nga gazeta “Telegraf” se si do të vazhdojë nisma e ndërmarrë prej tij, pas 22 korrikut, kur të votohet për kryetarin e ri, Patozi u shpreh se për të dhënë një përgjigje të tillë është ende herët dhe se më parë ai duhet të mendojë për takimin e sotëm. “Fillimisht duhet të hamë drekën e më pas darkën”. Ishte kjo përgjigja e shkurtër e Patozit, lidhur me vazhdimësinë e lëvizjes së tij kundër Lulzim Bashës. Ndërkohë nga ana tjetër Patozi është i sigurt se në 22 korrik është duke u zhvilluar një garë farse dhe pa kandidat të mirëfilltë. Sipas tij kjo datë nuk duhej të ishte caktuar për të zgjedhur kryetarin, ndërkohë që shprehet qartë se nuk do të bëhet pjesë e një farse të tillë. “As që bëhet fjalë që unë të shkoj për të votuar në 22 korrik”. Kështu u shpreh Astrit Patozi për gazetën “Telegraf”. Një tjetër pyetje për të cilën ne kërkuam të merrnin një përgjigje ishte edhe ajo nëse kundërshtarët e Bashës janë të gjithë bashkë që nga fillimi, apo ka mes tyre të cilët tashmë po qëndrojnë në heshtje dhe nuk po mbështesin kauzën e tij. Për këtë pyetje sërish Patozi u shpreh se nuk mund të flasë në këto momente, kur situata është tepër e acaruar brenda PD-së. Ai shtoi se ditën e sotme ka ftuar të gjithë anëtarësinë e kryeqytetit, për ti bërë edhe një herë thirrje Bashës të heq dorë sa nuk është vonë nga përpjekja e tij për të marrë partinë me zor.
Sigal