Patozi: Nderimi i vërtetë për Azem Hajdarit shkon përtej asaj shtatoreje

598
Ish-deputeti demokrat Astrit Patozi thotë se ngritja e bustit të Azem Hajdarit në Tropojë është nderimi i vërtetë për ‘Pishtarin e Demokracisë’.
Në përurimin e bustit në Tropojë ishte edhe vetë i pranishëm ndërsa në një postim në facebook kujton udhëtimin e tij të fundit për në Bajram Curri, kur ka qenë i shoqëruar nga Azem Hajdari.
Postimi i plotë Astrit Patozit:
Në Tropojë kisha qenë për herë të fundit në verën e 1997-ës. Ishte fushatë dhe mbaj mend që isha në autokolonë vetëm një makinë pas Azem Hajdarit.
Ka qenë udhëtim i vështirë dhe plot tension, në sintoni me kohën e vështirë që kalonte Shqipëria.
Pak më shumë se 20 vjet më vonë, sot e pashë sërish Azemin në qendër të Bajram Currit, të derdhur në bronz.
Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, rruga është e qetë dhe pa të papritura, por jeta nuk është asnjëherë e lehtë dhe paqja nuk vjen vetëm atëherë kur nuk ka luftë.
Nderimi i vërtetë për Azem Hajdarit shkon përtej asaj shtatoreje, e cila prej sot do të zbukurojë sheshin e vendlindjes së tij.
Ai është në fakt një ftesë për kurajo dhe guxim për çdo njeri të lirë, që bën betejë për vlerat që beson.


Sigal