Patozi kundër Bashës: Në PD, në skanerin e kunatit

528
Ish-kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, ka kritikuar mënyrën e organizimit të zgjedhjeve për kreun e PD-së, ndërsa ka ironizuar edhe ata që flasin kundër tij. “Kam mirëkuptim për të gjithë ata kolegë, ish-kolegë, miq, ish-miq dhe asnjëherëtakuar, që po përdorin kandidimin tim si shkas për t’i qëndruar afër kryetarit të vetëngrirë. Dilini në krah në këto momente të vështira, pasi duhet të mos ndjehet vetëm në dëmin, që i ka bërë Partisë Demokratike. Lehtësojani sadopak ndërgjegjen, duke marrë përsipër një pjesë të mëkatit të tij”, shprehet Patozi në një postim në rrjetet sociale. I larguar nga gara për kreun e PD-së, Patozi fton kritikët të vijojnë ta qortojnë. “Vazhdoni e bëjeni dhe keni të gjithë mirëkuptimin dhe nënvlerësimin tim. Tek kjo ‘amnisti’ nuk përfshihen sharësit me pagesë të kompanisë së posaçme call center, ndonëse qëllimi mund të jetë i njëjtë. Por një këshillë e kam: thoni ç’të doni kundër meje, vetëm, ju lutem, bëni kujdes mos përplaseni me njëri-tjetrin, kur të prisni radhën në paradhomë, pasi të keni kaluar më parë skanerin e kunatit. Mes jush, që e bëni vullnetarisht, dhe mercenarëve, që e bëjnë me lekë, juve më dhimbseni më shumë”, shprehet ish-nënkryetari demokrat. Ai shprehu vullnetin për të garuar përballë Lulzim Bashës, por nga kryesia u miratuan vetëm kandidaturat e Lulzim Bashës dhe Eduart Selamit.
Sigal