Patozi: Arratisja flet më shumë se një arrestim

649
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka reaguar lidhur me dekonspirimin e operacionit dhe arratisjen e tre ish-zyrtarëve të policisë.

“Janë tre ish-drejtues të lartë policie, të cilët prej ditësh po i fshihen drejtësisë, pasi prokuroria u preu fletë arrestet për lidhje me krimin e organizuar. Kam frikë se po të kishin qenë trafikantë droge në vend të tyre, të paktën njeri do të ishte dorëzuar vetë, për të mos e komplikuar më shumë pozitën e vet juridike. Në këtë kuptim, nuk ka më asnjë dilemë publike se çfarë është tamam shteti dhe “policia që duam” e Edi Ramës. Ndaj nuk e po e marr vesh fare, se pse po konsiderohet skandal më i madh fakti, që urdhri i prokurorisë nuk po zbatohet, se sa që ish-sherifët e ligjit të “Rilindjes” kanë çarë ferrën dhe janë zhdukur në drejtim të paditur. Sigurisht, arrestimi i tyre mund të ketë vlerë për drejtësinë dhe për të ndriçuar plotësisht të vërtetën e shkallës së implikimit të tyre. Por politikisht, ata kanë kryer punë, madje e kanë bërë me shumë devocion këtë gjë. Sepse i bie që të kenë marrë mbi shpinë edhe më shumë se veprat për të cilat i akuzon zyrtarisht prokuroria. Për këtë arsye, ikja e tyre sot flet më shumë se çdo deponim i mundshëm përballë prokurorit dhe gjykatësit, sado të zhvilluar që ta kemi fantazinë. Por uroj shumë që këtë ta kuptojnë edhe udhëheqësit zyrtarë të opozitës”.
Sigal