“Paterica” e imunitetit dhe barra e statusit

426
Sigal

KUVENDI/Votohet me konsensus reforma e kufizimit të Imunitetit. Rrëzohen amendamentet e PS-së për ndryshime kushtetuese

Duket sikur dje ka ndodhur një mrekulli. Miratimi i heqjes së imuniteteve në Kuvend me votat e maxhorancës dhe të opozitës, u përshëndet me entuziazëm nga palët dhe nga ndërkombëtarët që ndjekin nga afër punët tona. Duket se votimi i djeshëm i ka hapur dritën jeshile marrjes së statusit kandidat për në BE vendit tonë në tetor. Pikërisht me këtë synim madhor lidhet ndryshimi i madh i opozitës, e cila votoi pa kushte për imunitetet, ndërsa e pengoi atë për rreth një muaj e gjysmë. Por, ndërkaq punët duket se nuk shkojnë si në vaj. Opozita mori dje një shuplakë të fortë, ndërsa maxhoranca rrëzoi amendamentet e PS-së për ndryshimet e tjera kushtetuese. Ky akt është një minus për vendin dhe duket se nuk të kalojë pa lënë gjurmë. Efektet e këtij do të ndihen në të ardhmen e afërt. Ndërkombëtarët që flasin me një gjuhë diplomatike, thonë se statusi është i mundshëm, por nuk japin siguri absolute. Sepse janë edhe rekomandime të tjera të BE-së për t’u plotësuar dhe që nuk dihet nëse do të plotësohen. Ja, pikërisht këto e vënë në pikëpyetje statusin. Ndaj dhe miratimi I heqjes së imuniteteve ditën e djeshme, nuk lë vend për shumë entuziazëm. Në këto kushte, për të gjithë ata që e njohin situatën politike në vend, heqja e imuniteteve i ngjan një paterice për të kaluar lumin. Por a do të jetë në gjendje kjo “patericë” të mbajë barrën e rëndë të statusit? Kjo është çështja!

Imunitetet

Imuniteti, çështja më e debatuar e politikës, muajt e fundit u zgjidh. Deputetët e pozitës dhe opozitës votuan dje në Kuvend me 130 vota “Pro” për kufizimin e imunitetit të tyre dhe zyrtareve e gjyqtarëve. Përkundër votave për miratim që mori imuniteti, paketa kushtetuese e propozuar nga opozita që lidhej me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, u rrëzua. Në sy ra mungesa e Kryeministrit Sali Berisha që nuk mori pjesë në votimin për imunitetet si dhe vota abstenim që dhanë deputetët e LSI, Gazmend Oketa nga FRD dhe Kastriot Islami. Ndërsa kufizimi i imunitetit të deputetëve, zyrtarëve të lartë mori miratimin nga shumica në parlament, propozimet e PS për ndryshime kushtetuese u rrëzuan. Paketa me propozimet e PS mori 60 vota pro dhe 63 vota kundër.

Debati

Pak përpara votimit të draftit aq të rëndësishëm dhe të përfolur, për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve, në një kohë kur PS ka rënë dakord ta votojë draftin, kryeministri Berisha e cilësoi këtë ditë si finalizimin e një lufte shumëvjeçare dhe një kapitull të ri për shqiptarët. Sipas Berishës, maxhoranca nuk e ka humbur asnjëherë durimin për të kërkuar konsensusin e opozitës dhe ka bërë të gjitha lëshimet e nevojshme, në mënyrë që të arrihej një draft konsensual i pranuar nga të gjitha palat. Më tej Kryeministri theksoi se mbetej i vendosur për ta përmbyllur çështjen e imunitetit me të gjitha mënyrat, duke përfshirë edhe zhvillimin e një referendumi, pavarësisht se do të shkonte kundër dëshirës së tij.

Drejtësia, replika Berisha-Ruçi

Debati në Kuvend më pas u fokusua në sistemin e drejtësisë ku kryeministri akuzoi opozitën se u bë palë me ish-presidentin Topi dhe ish-kreun e KLD, Kreshnik Spahiu, duke lejuar kështu krijimin e partiçkave në dy institucionet më të rëndësishme të vendit. “Ju vini dhe flisni për gjykatat sot. Kur janë raporte të ndërkombëtarëve që tregojnë se një gjyqtar që të vinte nga rrethet në Tiranë jepte 50 mijë euro, 200 mijë euro. Ja ku u katandis drejtësia. Në qoftë se ju i besoni parimeve duhet të ishit në kulm të garancive e këtyre akteve. Por, sa qe Topi në rrjetën tuaj, i premtuat se do e zgjidhnit President. I premtuat se KLD-së do ja votonit Sali Shehun, krijuat edhe komisionin për faqeziun e KLD-së”. Duke iu referuar dy vrasjeve të bujshme, asaj të ish-gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi dhe vrasjes së Kryekomisarit të Shijakut, Adem Tahiraj, Kryeministri Sali Berisha artikuloi dje nga foltorja e Kuvendit disa akuza të rëndë në adresë të ish-Presidentit dhe ish kreut të KLD-së. Ai tha se, “Topi juaj u përfol si një nga njerëzit që kishte dashtë të grabiste tokat në atë zonë me lejtnantët e vet.” Ndërsa, sipas Berishës, gjykatësi i Ilir Xhakjas, ishte thirrur në KLD për ta liruar. Ndërkaq, kreu i grupit parlamentarë i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi akuzoi kryeministrin, se të tjera bën dhe të tjera thotë. Ruçi tha se opozita ka të gjitha arsyet për të kërkuar këto garanci dhe këto ndryshime kushtetuese pikërisht tani.  “6 muaj rresht pas një konsensusi 4 vjeçar që të dhamë për ndryshimet kushtetuese që çështja e Presidentit të mos ishte shkak për një krize, duke iu referuar kushtetutës, që me pjekuri, me maturi, ai të zgjidhej me konsensus, sipas kushtetutës. Jemi të shqetësuar për arsye se perceptimi i publikut për drejtësinë është ku thërret kiameti. I bëmë tani se rekomandimet e ekspertëve janë që duhet të bëhen ndryshime në sistemin e drejtësisë. I bëmë se andrrimit me pe të bardhë në rrobë të zezë, që kërkon të bësh reforma, jo vetëm që nuk e përmirësojnë por e përkeqësojnë”,- tha Ruçi.

Majko

Deputetët e maxhorancës dhe opozitës ndajnë qëndrime të kundërta për paketën kushtetuese të PS-së, që po diskutohet të martën në Kuvend. Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, relator i draftit, në fillim të fjalës së tij tha se, “seanca e sotme është një komedi kompromisi për të plotësuar axhendën e integrimit dhe kërkesat teknike të Brukselit.

Alibeaj

Nga ana e tij deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj përsëriti qëndrimin e maxhorancës për të mos votuar amendamentet kushtetuese të PS-së për reformën në drejtësi, pasi sipas tij, janë të papranueshme, ndërsa vlerësoi qëndrimin e opozitës nëse voton heqjen e imunitetit.