Pasuritë e zyrtarëve do i nënshtrohen hetimit të dyfishtë

431
Sigal

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të kryejnë hetime të përbashkëta për të ardhurat e përfituara nga zyrtarët që kanë detyrim ligjor të deklarojnë pasurinë. Në një takim të zhvilluar ditën e sotme, Inspektori i Përgjithshëm i ILDKP, Adriatik Llalla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Gazmir Spahija, shprehën angazhimin maksimal të dy institucioneve për të koordinuar veprimet administrative për evidentimin e rasteve të evazionit fiskal dhe të fshehjes së pasurisë. Ky kontroll i dyfishtë pritet të rrisë efikasitetin në luftën kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal, duke krijuar mundësi më të mëdha për të evidentuar rastet e zyrtarëve që fshehin të ardhura apo nuk i deklarojnë saktë përfitimet e tyre. Përpunimi i përbashkët i të dhënave do të nisë në fillim të muajit dhjetor, pasi sipas legjislacionit tatimor, personat që deklarojnë të ardhurat në D.P.Tatimeve kanë mundësi t’i rikorrigjojnë ato brenda dy muajve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të deklaratës së të ardhurave. Sipas përcaktimeve të nenit 13/2 të ligjit nr. Nr. 8438, Datë 28.12.1998 “Për të ardhurat mbi tatimet”, i ndryshuar, detyrohen të plotësojnë formularin përkatës pranë D.P.Tatime të gjithë qytetarët që kanë të ardhura vjetore mbi 2 milionë lekë. Afati ligjor për plotësimin e këtij detyrimi ishte data 30 shtator 2012.