Pasuria e Sokol Berberit, që propozohet për Strasburg

1241
Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Sokol Berberi dhe një nga kandidatët kryesorë të propozuar nga Qeveria Shqiptare për në Gjykatën e Strasburgut ka deklaruar në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), se ka marrë katër kredi, si dhe ka edhe një borxh. Po ashtu, ai ka deklaruar të ardhurat që merrte nga paga si ish – gjyqtar dhe pedagog në UET, nga trajnimet dhe qiraja e apartamentit. Konkretisht, Sokol Berberi ka deklaruar pagën si ish anëtar i Gjykatës Kushtetuese në masën 1,874,538 lekë, të ardhura si pedagog i Jashtëm në Universitetin Evropian të Tiranës në masën 3 mijë euro, të ardhura nga lëshimi me qira i apartamentit në masën 304,000 lekë, të ardhura nga dy programe trajnimi me avokatët në masën 51.000 lekë, të ardhura për trajnimin e juristëve në administrate në masën 152,000 lekë, të ardhura nga shitja e dy librave në masën 81,600 lekë etj. Po ashtu, Berberi thotë se ka marrë një kredi 40 mijë euro me afat 20 vjeçar, për blerje apartamenti me sipërfaqe 102 metra katror, një kredi 20 mijë euro për arredim dhe tjetër kredi nga Fondacioni “Besa” (Themeluar nga Fondacioni Soros dhe Banka Botërore) në shumën 600,000 lekë. Po ashtu edhe bashkëshortja e tij, Rudina Shiroka ka deklaruar një kredi personale në masën 600,000 lekë si dhe një borxh në shumën 450,000 lekë. Por, zonja Rudina ka deklaruar edhe një sipërfaqe trualli 512 metra 2 dhe godinë banimi 218 m 2, trashëguar nga babai, pagën si përgjegjëse e arkivit në Kuvendin e Shqipërisë në masën 859, 969 lekë si dhe 50,000 lekë pagesa për përkthimet në revistën e Shkollës së Magjistraturës, për Ministrinë e Drejtësisë. Vajza e çiftit Berberi dhe Shiroka, Silvia Berberi ka deklaruar një bursë nga Universitetin e Utrechtit në Holandë, si dhe 1.200 euro pagë pranë kompanisë “Atradius”.
Mbetet mister pasuria e kandidatit tjetër, Gent Ibrahimi
Ndërsa njihet pasuria e kandidatit të propozuar nga qeveria për në Strasburg, që është edhe kunat i kryetarit të Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi, mbetet mister pasuria e kunatollit tjetër të Ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli, pasi Gent Ibrahimi ka punuar më shumë me Shoqërinë Civile. Ibrahimi është diplomuar në drejtësi në Universitetin e Tiranës në 1992 dhe ka përfunduar studimet Master në të Drejtën Kushtetuese në Universitetin e Europës Qendrore (CEU), Budapest, në periudhën 1994 – 1995. E ka filluar karrierën e tij si profesor i të Drejtës Administrative në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Ka punuar si Oficer Programi në Fondacionin Soros (1994-1995), Këshilltar Ligjor/Shef Kabineti i Ministrit të Shtetit për Reformën Legjislative dhe Marrëdhëniet me Parlamentin (1997-1999), Këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale (2002-2003), Këshilltar Ligjor në UNMIK (2003, 2004, 2006), Drejtor Ekzekutiv në Institutin e Studimeve Publike dhe Ligjore (1999-2009) dhe Këshilltar në Projektin kundër Korrupsionit, PACA (2009 – 2012). 
Sigal