Pastrimi i parave, sekuestron 31.8 milionë euro

497
Sigal

Pastrimi i parave dhe “antimafia”, deri në tetor 2018, sekuestruan 31.8 milionë euro

Komiteti MONEYVAL ngre alarmin: Kompanitë offshore, bëjnë pastrimin e parave në Shqipëri

Raportimi i qeverisë për vitin 2018 lidhur me avancimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në Kuvend bën me dije se janë mbi 31 milionë euro të sekuestruara si efekt i ligjit ndaj parandalimit të pastrimit të parave dhe atij “antimafia”. Raporti, edhe pse i dorëzuar në 31 janar mban shifra deri në tetor 2018, lidhur me këto aspekte por edhe shumë të tjera të lidhura me ekonominë. Ndër të tjera raporti thekson se janë marrë masa sipas këshillave të fundit të MONEYVAL, i cili këtë herë ishte kritik për vendin tonë, duke e futur atë në monitorim të ecurisë së reformave. Qeveria nënvizon se nisur nga kjo janë marrë edhe një sërë masash që kanë reflektuar kërkesat e MONEYVAL l. “Lidhur me pastrimin e parave, në maj të vitit 2018, Komiteti MONEYVAL miratoi Raportin e Vlerësimit të Ndërsjellë në fazën e 5-të të vlerësimit. Ndërkohë është përgatitur një plan pune për të korrigjuar mangësitë e identifikuara në Raport. Gjatë 10 muajve të parë të vitit 2018 për veprën penale pastrimi i të ardhurave nga veprat penale ose veprimtari kriminale janë sekuestruar pasuri kriminale me vlerë mbi 15.3 milionë euro të 326 rasteve (4,046,615 euro në llogaritë bankare, 7,766,000 euro në asete, 3,497,150 € në para/kartëmonedhë), nga të cilat 2,077,431 euro vetëm në muajin tetor 2018” thuhet në raport. Nga ana tjetër i njëjti dokument ndalet në një analizë më të hollësishme edhe për sekuestrimin e pasurive që janë bërë nën veprimin e ligjit antimafia. “Për të njëjtën periudhë 10-mujore, në lidhje me Ligjin Nr. 10192 “Për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit” (Ligji Antimafia), pasuritë e sekuestruara ishin me një vlerë prej 16,530,000 euro (në prona të luajtshme dhe llogari bankare), nga të cilat 600,000 euro vetëm në muajin tetor 2018” thuhet në raport. Pastrimi i parave ka qenë një temë e ndjeshme së fundmi ku ka një theks të vazhdueshëm si nga ana e ekspertëve ashtu edhe institucioneve ndërkombëtare për kujdesin që duhet të tregojnë autoritetet publike ndaj fenomenit. MONEYVAL nënvizoi në raportin e tij të fundit se ka nevojë për një sërë masash shtesë për të shmangur fenomenin ndërkohë që nënvizonte se ishin disa sektorë mes të cilat edhe lojërat e fatit apo kompanitë me pronësi të paqartë që duhet të shiheshin më me vëmendje nga qeveria.

Kompanitë offshore, bëjnë pastrimin e parave në Shqipëri

Prezenca e kompanive offshore në Shqipëri shihet me shqetësim nga institucionet ndërkombëtarë. Në raportin e nxjerrë së fundmi nga MONEYVAL, një mekanizëm i Këshillit të Evropës, autoritetet evropiane ngrenë alarmin se masat e marra nga Shqipëria kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit dhe prezencës së kompanive offshore janë të pamjaftueshme. Duke theksuar se në vendin tonë pastrimi i parave është i lidhur ngushtë më korrupsionin, MONEYVAL; ngre sidomos alarmin për rrezikun që vjen nga kompani që nuk kanë pronësi të qartë. Sipas zyrtarëve evropianë, të ardhurat e këtyre kompanive vijnë zakonisht nga trafikimi i lëndëve narkotike, evazioni fiskal dhe korrupsioni. “I lidhur me aktivitetet e krimit të organizuar, korrupsioni gjeneron shuma të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe dëmton seriozisht funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale”, shkruhet në raportin e MONEYVAL. “Autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këto rreziqe, por deri më tani nuk i kanë kushtuar shumë vëmendje pastrimit të parave që lidhet me korrupsionin”. Të ashtuquajturat “beneficiary onwnership”, janë kompani ku pronarët ligjorë dhe përfituesit realë nuk janë të njëjtë. Një kompani offshore ka pamjen e jashtme të biznesit legjitim, por në të vërtetë është thjesht një guaskë bosh që nuk bën gjë tjetër veçse menaxhon paratë që janë në të, ndërsa fsheh se kush është zotëruesi i tyre. Menaxhimi i saj kryhet nga juristë, kontabilistë apo pastrues, të cilët thjesht firmosin dokumentet dhe lejojnë që emri i tyre të shfaqet në krye të letrave. Në raportin e tij, Moneyval thekson se në vendin tonë nuk ekzistojnë mekanizma që identifikojnë dhe përshkruajnë proceset për sigurimin dhe regjistrimin e informacionit për kompanitë offshore përveçse si pjesë e proceseve të verifikimit të entiteteve raportuese. “Kemi identifikuar mangësi teknike në lidhje me saktësinë dhe përshtatshmërinë e të dhënave në lidhje me kompanitë offshore si dhe kontrollin e informacionit të personave juridikë si dhe mungesa e masave për të garantuar që bartësit e aksioneve nuk keqpërdoren për pastrim parash dhe financim të terrorizimit”, thotë raporti. Ai ngre alarmin se edhe informacionet për ndryshimin e pronësisë nuk mund të konsiderohen plotësisht të sakta dhe se në shumicën e rasteve qasja ndaj këtyre informacioneve është shumë e kufizuar. Rasti i fundit ishte ai kompanisë offshore “DH Albania”, e cila fitoi dy tenderë me vlerë totale 30 milionë euro për ndërtimin e një pjese të “Unazës së Re”. Ishte misioni i mediave ai që zbuloi se kompania kishte dokumente të falsifikuara. Por edhe pse i fundit, ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi vitet e fundit, kompanitë offshore kanë rritur prezencën e tyre ne Shqipëri duke përfituar kontrata të rëndësishme koncesionare. Tetë muaj më parë, pas falimentimit të “Gulf” u zbulua se në fakt emri i njohur karburanteve kishte si pronare një kompani “offshore” në parajsat fiskale, kurse aksionerët ishin krejt të panjohur. “Gulf” e nisi aktivitetin e vet në Shqipëri në shator të 2013 me krijimin e shoqërisë “Sun Petroleum”. Por 6 muaj më vonë në shkurt të vitit 2014 shoqëria u ble nga kompania “offshore” “Universal Energy Grup”, duke krijuar kështu një skemë zinxhir kompanish guaskë, përmes së cilës nuk mund të arrihet tek pronarët e vërtetë. Pa njoftuar asnjë procedurë falimenti apo kërkese për mbyllje aktiviteti, Gulf shiti tollona nafte dhe benzine me çmime deri 30 për qind më të ulëta se tregu dhe i la klientët me copa letre në duar që nuk përdoreshin më. MONEYVAL ngre po ashtu alarmin se Shqipëria nuk ka identifikuar ende OJF që janë ngritur për pastrim parash. Autoritetet evropiane deklarojnë në vendin tonë nuk ka një sistem mbikëqyrjeje për financimin e OJF-ve.