Pastrimi i administratës, Moisiu: Përpjekje për të bërë diçka, fundi do gjykojë

549
Nismat e kryeministrit janë komentuar nga politikanë të vjetër në vend. Ja si e cilësojnë Alfred Moisiu dhe Çlirim Gjata reformën në administratë
“Qeverisje me njerëz të zakonshëm”. Kështu i drejtohet ditët e fundit kryeministri Edi Rama qytetarëve të shumtë, në çdo takim të organizuar prej tij në rrethe. Kërkon prej tyre mbështetje për të kallëzuar në faqen e tij facebook çdo zyrtar të korruptuar si dhe çdo nëpunës, i cili nuk shërben në kohë reale. Por duket se kjo nismë nuk është komentuar pozitivisht nga një pjesë e madhe e opinionistëve, si dhe politikanëve të ndryshëm. Gazeta “Telegraf” prej ditësh ka marrë mendimin e opinionistëve të njohur në vend. Ndërkohë që ditën e djeshme ne kontaktuam me ish-presidentin e vendit Alfred Moisiu. Është një nga politikanët më të vjetër dhe që shpesh është bërë pjesë e dhënies së opinioneve për çështje të ndryshme. Ne e pyetëm ish-presidentin se si i sheh nismat e kryeministrit për të bashkëqeverisur me njerëzit e zakonshëm. Moisiu foli shkurt dhe qartë. Për të është shumë herët për të dhënë një mendim përfundimtarë. Ish-Presidenti deklaroi se fundi i këtij procesi të nisur nga kryeministri do të gjykojë se si do të dalë e vërteta. “Për momentin jemi shumë herët për të folur lidhur me nismat e Ramës. Do shohim si do i jap formë ai këtyre nismave dhe më pas do të gjykojmë mbi atë çfarë do të prodhojë”, tha ish-presidenti Moisiu. Për të nismat në thelb nuk janë të këqija, por rrugës ato mund të pësojnë deformime dhe pengesa të shumta, të cilat më pas e bëjnë çdo gjë nul. Ne e pyetëm gjithashtu ish-presidentin edhe për faktin se si e sheh ai këtë nismë dhe mënyrën se si mund të realizohet. Sërish përgjigja ishte e shkurtër. Alfred Moisiu deklaroi se e ka ndjekur rregullisht kryeministrin si gjatë fushatës edhe pas saj. Për të e gjithë ajo çka ai po bën, sipas Moisiut është një përpjekje për të realizuar diçka pozitive. Megjithatë, ish-presidenti është skeptik në këto momente për ato që pritet të sjellë reforma në administratë, që kryeministri Edi Rama,po përpiqet ta realizojë përmes njerëzve të zakonshëm. “Është një përpjekje për të realizuar diçka. Unë në këto momente e shoh si pozitive. Por gjithsesi nuk mund të them me siguri se si do të realizohet. Edhe në këtë rast them se fundi do të gjykojë se çfarë do të sjellë e gjithë kjo fushatë e dytë zhvilluar nga Edi Rama”, tha ish-kreu i shtetit Alfred Moisiu. 

Gjata: Ndryshimet s’mund t’i bëjë politika 
Për të njëjtat pyetje kontaktuam edhe me ish-kreun e KQZ-së Çlirim Gjata. Ndryshe nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, Gjata deklaron se Rama është kujtuar shumë vonë për të bërë një gjë të tillë. Sipas Gjatës, ai i ka pasur mundësitë për të kryer reforma në administratë edhe gjatë katër viteve në qeverisje, por nuk e bëri një gjë të tillë. “Tani u kujtua Rama”, tha Gjata për gazetën “Telegraf”. Sipas tij, e gjitha sa po bënë Edi Rama në këto momente është propagandë dhe asgjë më shumë. Gjata shtoi gjithashtu se reforma në administratë nuk mundtë bëhet nga politika dhe aq më shumë nga nismat e kryeministrit. “Personat nga administrata nuk mund të largohen politikisht. Për të bërë një reformë të tillë do të duhet të veprohet mbi baza merite dhe duke zbatuar ligjin. Edi Rama e ka pasur në dorë për të reformuar administratën dhe nuk ka bërë asgjë në katër vitet e qeverisjes së tij. Tashmë na u kujtua dhe pretendon se do të bëjë të pamundurën. 
Sigal