Pastrimi i administratës, Koka: Nuk ka rëndësi kush e ka tepsinë, por sa e gëzon

451
Ministri i Mjedisit Lefter Koka, njëherësh deputet i dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, nën siglën e LSI-së, analizon situatën në të cilën ndodhet vendi, nismën e Kryeministrit për pastrimin e administratës dhe rolin e partisë së tij si opozitë e vërtetë. Thotë se Ligji i nëpunësit civil nisi të zbatohej që në vitin 2014 dhe në rast se DAP nuk e ka bërë mirë këtë punë, atëherë ky është një problem shumë serioz. Thotë se koha do ta provojë se LSI është gati për të bërë një opozitë serioze. Për Lefter Kokën, zgjedhjet e 25 qershorit i kanë bërë anëtarët e LSI-së më të motivuar për t’i shërbyer vendit. Në Shqipëri nuk mund të flitet se kemi punë, por nuk kemi punëtor. Koka thotë se, nëse ecim me këtë frymë atëherë do të thotë se ky vend nuk ka funksionuar. Për Kokën janë bërë disa punë të mira gjatë katër viteve dhe një ndër to është reforma në drejtësi si dhe disa reforma në fushën e mjedisit. E ndërsa jemi në një moment kur qeveria i ka shpallur luftë administratës, ministri i Mjedisit Lefter Koka shprehet se është i kënaqur me administratën me të cilën ka punuar. Ai thotë se terminologjia e ndasisë dhe e persekutimit të njerëzve duhet ndaluar. Kritikon ashpër formën e deklaruar nga Rama për të pastruar administratën dhe thotë se në krye të punëve nuk kanë bërë sikur kanë punuar, por kanë dhënë më të mirën e tyre. Sa për kërcënimin që mund t’i vijë LSI-së nga fushata e shkarkimeve, Koka thotë se Rama është ende nën efektin e fushatës elektorale dhe se gjërat janë krejt ndryshe. Sipas tij, asnjë nga punonjësit e administratës që gëzon statusin e nëpunësit civil, nuk mund të cenohet nga kërkush. Ai thotë se ne jemi në një shtet ligjor dhe që funksionon. Ndërsa është i bindur se LSI-ja po përgatitet për të bërë detyrën e saj si një opozitë cilësore, e cila do të ndihmojë ndjeshëm edhe qeverisjen e nesërme. Koka shprehet se nuk ka rëndësi se kush e ka tepsinë, por sa e gëzon atë tepsi. Ndërkohë një vlerësim e ka edhe për kryetaren e re të LSI-së Monika Kryemadhi. E konsideron një politikane me shumë eksperiencë. Beson se zonja Kryemadhi do të dijë ta drejtojë me sukses këtë grup parlamentar dhe këtë parti, e cila nga zgjedhjet në zgjedhje ka treguar një rritje të konsiderueshme dhe është i bindur që shumë shpejt koha do ta provojë se si dhe pse LSI-ja nuk doli forcë e parë. Lidhur me përfundimin e mandatit të deputetit thotë se do të donte ta çonte deri në fund, por gjithashtu shprehet se i vjen keq që i gjithë kabineti, prej muajsh nuk është pothuajse funksional, shumë pak gjëra firmosen thjesht duke mos qenë në mbledhje kabineti. Koka mendon se në këtë situatë duhet gjetur një zgjidhje me qëllim që çdo gjë të funksionojë.
Sigal