Paskal Milo: ASHE e ka ngritur mashtrimin në art

412
Prof. Paskal Milo, kryetari i Demokracisë Sociale, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se të dy kryetarët e PS-PD duan të fusin Primin në Kodin Zgjedhor, për të goditur për të dytën herë Ilir Metën, për ta nxjerrë atë jashtë lojës politike, pasi, siç pohon Prof. Milo, mosmarrëveshjet e shfaqura deri tani në marrëdhëniet PS-LSI janë maja e ajsbergut. Por, Prof. Milo, pohon se PS, përgatit edhe variantin e dytë, nëse nuk fut dot Primin në Kodin Zgjedhor, që zgjedhjet e 2017, t’i bëjë në një ndarje të re administrative, në 6 zona, sikurse përgatit tani edhe riorganizimin e PS në bazë. Prof. Milo thotë se PS-PD përgatiten që në Shqipëri të instalohet sistemi dypolar, për të alternuar midis tyre, ato pushtetin. Ndaj, Prof. Milo, për herë të parë bën thirrje që të gjitha partitë e treta dhe të vogla, duhet të riorganizohen në një pol të tretë, ose në 2 pole të tjera dhe të mos rreshtohen më në aleancat e PD-PS, që u mbushin veç thesin e votave. Prof. Milo, për herë të parë pohon se PS e ka gënjyer 2 herë PDS, por kësaj here, PDS do të marrë vendimin e saj Sovran, për të mos u bërë për së treti herë, viktimë e mashtrimeve të PS, e cila nuk respektoi as në 2013, as në 2015 marrëveshjen dypalëshe, duke thënë qartë, që PDS nuk do të jetë më aleate zgjedhore me PS, e cila e ka diskriminuar PDS edhe pse kjo është partia që i ka dhënë më shumë vota, nga partitë e tjera joparlamentare. 
-Prof. Milo, PS dhe PD në prapaskenën politike po punojnë që të fusin në Kodin Zgjedhor Primin. Cili është qëndrimi juaj?

– Berisha, para dy ditësh, këtë që thoni ju, e kundërshtoi.
– Jo kot, pasi, ndoshta ka indice nga prapaskenat që bëhen dhe do të reagojë kundër. Mos harrojmë që Berisha nuk është më kryetari i PD. 

– Unë besoj se kjo prapaskenë nga PD bëhet, sepse Basha mendon se do t’i vijë radha edhe atij, që të qeverisë pas 5 vjetësh ose 6 vjetësh. Vërtet Berisha nuk do, por ata të dy (Rama dhe Basha) bien dakord që të shmangin Ilir Metën. Që ta ngushtojnë, ta bëjnë sanduiç, ta nxjerrin jashtë loje. Basha, nëse i del Berishës kundra, shumë shpejt do të iki ai nga PD. 
– Ju prof. Milo, jeni në dijeni për prapaskenat e PD-PS për të futur Primin në Kodin Zgjedhor?

– Ky projekt në mendjen e drejtuesve të PD dhe PS ka muaj që ekziston dhe është përpunuar në njëfarë mënyre në rrethine ngushtë të specialistëve të tyre. Jo rastësisht, ai doli në qarkullim pikërisht tani, kur janë shfaqur shenja të qarta të mosmarrëveshjeve dhe pakënaqësive në gjirin e maxhorancës. Mendoj se ka dy qasje. E para, për të kufizuar hapësirën e veprimit dhe të pretendimeve të LSI në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2017 dhe, e dyta, për të thelluar këto mosmarrëveshje që janë shfaqur si një majë e ajsbergut në marrëdhëniet PS-LSI. Mesazhet për pakënaqësi nga LSI janë shfaqur, pa folur këtu për reagimin që ka ardhur nga të gjitha partitë e vogla të spektrit të majtë e të djathtë për këtë projekt. Për mendimin tim, nuk është vendosur as në kokat e drejtuesve të dy partive të mëdha, ende për sistemin Prim.
– A kanë menduar PD-PS ndonjë tjetër gjetje, për të arritur të godasin së bashku partitë e treta dhe të vogla, nëse nuk u ecën plani i Primit në Kodin Zgjedhor?

– Mendoj që kanë në mendjen e tyre edhe një variant ose alternativë të dytë, që të thellohet më tej sistemi spanjoll, i deformuar në realitetin shqiptar, që nga 12 zona zgjedhore, të përfundojnë në 6 tilla.
– Ju keni indice?

– Jo më kot PS ka 2-3 muaj që edhe riorganizimin e strukturave të saj në bazë po e bën mbi bazën e ndarjes së Shqipërisë në 6 rajone, që përputhet ose tregon përgatitjen e saj, për të shkuar në zgjedhjet e ardhshme, me një sistem zgjedhor, që do ketë 6 zona zgjedhore. Të dyja variantet që po përgatitin PD-PS në Kodin Zgjedhor, janë të drejtuara, pa një pa dy, kundër LSI, në radhë të parë, sikurse ndodhi në 2008 me shtrembërimet e famshme të Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor, pasojat e së cilës Shqipëria i vuan sot e kësaj dite, por jo vetëm për të eliminuar ata që mund të quhen rivalë, brenda familjeve respektive, për të qetë për të qeverisur pa telashe dhe pa ngacmime, por kjo bëhet edhe për një arsye tjetër. Gjithnjë e më shumë po shfaqen tendenca të këqija për të ndërtuar në Shqipëri një sistem dypolar. PS-PD! Nuk ka asgjë të keqe në parim dhe këtë e tregon përvoja e një numri vendesh në gjithë botën, që të ketë një sistem dy partiak, që alternohet në pushtet, por Shqipëria është kjo që është dhe jo ajo që do të dëshironin shqiptarët të ishte, një shtet demokratik plotësisht i konsoliduar, një shtet i integruar në familjen e madhe europiane, jo formalisht, por mbi bazën e meritave dhe vlerave dhe një shtet ku të sundonte ligji, drejtësia dhe demokracia e mirëfilltë përfaqësuese. Për fat të keq, Shqipëria sot nuk është një shtet i tillë dhe kush pretendon, nuk bën gjë tjetër, veçse shton flluskat e sapunit në qiellin shqiptar, për të mbuluar realitetet e hidhura që ne jetojmë përditë. Një sistem bipolar politik në Shqipëri, në kushtet e një shteti të kapur nga grupe të caktuara të oligarkisë së vjetër dhe të re shqiptare, nuk mund të sjellë gjë tjetër, veçse rreziqe të shtuara për të ushqyer autoritarizmin në qeverisje dhe në politikën shqiptare në përgjithësi. E them me zë të lartë, që Shqipëria sot do të jetë një eksperiment dramatik më i keqi në të gjithë këtë periudhë 25 vjeçare, në rast do të ndërhyhet në Kushtetutë dhe në Kod Zgjedhor, me idenë për të fshirë nga jeta politike shqiptare aktorët e tjerë të rëndësishëm dhe më pak të rëndësishëm. Unë jam dakord që mbështetur në ligjin shqiptar për partitë politike, ka një numër të madh partish politike fantazma, që nuk ekzistojnë veçse të regjistruar në Gjykatën e Tiranës, ose që për to kujtohen për t’u regjistruar në KQZ gjatë përgatitjeve për fushata zgjedhore. Por, ky fenomen, që nuk është vetëm shqiptar, dhe që në fund të fundin, që nuk është në kundërshtim me parimet e demokracisë, nuk mund të zhduket me një ndërhyrje brutale në Kod Zgjedhor, për synime të tjera, tepër të lexueshme nga ata që kanë përvojë dhe kuptojnë nga politika. Prandaj them që një hap tjetër i nxituar, për të bërë ndryshime të tilla, pa u konsultuar me aktorë të tjerë, jo vetëm politik, por edhe të shoqërisë civile, do të ishte një atentat tjetër kundër demokracisë së brishtë shqiptare, që ende është kaq e dobët, sa vetë një shtyrje e duhet bë drejtimin negative për t’u rrëzuar. Në vend që të shkohet drejt konsolidimit të filizave demokratike, që lindën natyrshëm në Shqipërinë Postkomuniste, po bëhen përpjekje për t’u rikthyer pas drejt përvojave dhe pushteteve okulte, që lidhen me emra individësh të veçantë, që kujtojnë se do të mbeten përjetësisht në pushtet, ose me ato grupe oligarkësh, që po e sundojnë Shqipërinë nga të gjitha pikëpamjet, në mënyrë të veçantë, politike dhe ekonomike. 
– Prof. Milo, cili do të jetë reagimi juaj politik, nëse PD-PS nuk ndalen, por me konsensusin e tyre e vendosin Primin në Kodin Zgjedhor?

– Është që e qartë se çfarë do të bëjnë partitë e tjera, në rast se dy partitë e mëdha do shkojnë drejt deformimit të mëtejshëm të Kodit Zgjedhor, për të bërë atë çka po flitet. Partitë e treta dhe të vogla, nuk kanë rrugë tjetër, veç të bashkohen në një grupim solid për të krijuar një pol tjetër ose dy pole të tjera, në politikën shqiptare për të mos lënë që Shqipëria të kërcënohet nga një alternativë shumë e dëmshme e saj, që nëse nuk do të prodhojë një “autokraci demokratike”, do të prodhonte një autokraci alternuese me tipare të përbashkëta për shumë vende të Botës, që do të mbesin për një kohë të gjatë në rrethinat e shteteve realisht demokratike, dhe që do të jenë në avangardë të shoqërisë ndërkombëtare. 
– Nëse nuk bëhet ky pol i tretë apo dy pole të tjera politike, ju do të vazhdoni të rreshtoheni në rresht nga PD dhe PS në aleancat e tyre, për të mbushur thesin e votave për to?

– Partia Demokracia Sociale, deri tani është partia më e diskriminuar në këtë të ashtuquajtur “ASHE”, për shkak se në vitin 2012 ishte partia e parë aleatë, ndër të vegjlit që mori rezultatin më të mirë, që ra dakorit me një marrëveshje të sugjeruar nga PS dhe që deri tani nuk ka marrë asgjë, përveç heshtjes shumë domethënëse, të PS dhe të kryetarit të saj si edhe një mashtrim të ngritur në art, në formën e negociatave boshe, që rigjallërohen atëhere kur duhet firma e PDS për koalicione zgjedhore. Populli ka një fjalë të urtë. Po më gënjeve një herë, është faji yt. Po më gënjeve dy herë, është faji im. Tani PDS ndodhet në momentin kur PS po e gënjen për herë të dytë. Kështu që përgjegjësia mbetet tek ne, që vendosëm të bashkohemi në momentin e fundit me PS në zgjedhjet e 23 qershorit 2015, pasi na bënë një thes me premtime për të respektuar marrëveshjen e vjetër. Kështu që këtej e tutje, pavarësisht se çfarë do të ndodhë, dhe çfarë Kodi Zgjedhor do të kemi, çfarë sistemi zgjedhor do të kemi, Demokracia Sociale do t’i hapi sytë mirë për të përcaktuar orientimin e saj për zgjedhjet e ardhshme parlamentare në 2017. Nuk ka burrë në botë që ta gënjejë përsëri. PDS do të marrë një vendim Sovran, në momentin e duhur, për t’u orientuar drejt atyre vlerave politike, që mund të krijohen në Shqipëri, për t’i dhënë më në fund Shqipërisë dhe politikës së re dinjitet, përkundrejt një konfiguracioni politik dhe parlamentar, aktual që është më i keqi, që mund të ketë pasur Shqipëria, që nga 1912 e deri më sot. 
-Faleminderit!
Sigal