Pasaporta biometrike me siguri të lartë, Oerd Bylykbashi: Janë mjeshtra për të mashtruar!

55

“Doli Ministri i Brendshëm e u tha shqiptarëve se në 2015 do na i pajiska me karta identiteti dhe pasaporta biometrike me siguri më të lartë! Doli Kryeministri më pas e na mbushi mendjen se me këto kartat do luftojë korrupsionin! Miq, kanë vendosur të rrisin çmimin. vitin që vjen, do rritet çmimi i kartave dhe pasaportave biometrike. Kur ne bëmë koncensionin e dokumenteve biometrike, objektiv kryesor, krahas standardit shumë të lartë, ishte dhe çmimi sa më i ulët. Kur i bëmë ne kartat dhe pasaportat biometrike në 2009, vetëm Holanda i kishte më të mira se ne, me vetëm një element sigurie më shumë. Me këto karta dhe pasaporta, përkrah shumë reformave modernizuese, ne hoqëm vizat. Kjo qeveri do t’ ua rrisë çmimin e kartave dhe pasaportave prandaj, për të fshehur këtë rritje, kanë filluar të na thonë se do të shtojnë elementët e sigurisë, por nuk thonë se çfarë. Nuk ka nevojë për elementë shtesë. Kartat tona kanë 2 chip-e ku regjistrohen të dhënat dhe fotoja gdhendet me lazer e plot elementë të tjera. Ministri e shet sikur po i shton ai (?!) A ju kujtohet kur Rama, Tahiri e të tjerët, në 2009, vetëm për të prishur zgjedhjet, e quajtën 1200 lekët e kartës si taksa e votës? Po tani? Apo ta quajmë taksa e korrupsionit? Mos harroni, po përflitet rikthimi i taksës “Majko” sa herë që hymë e dalim nga Shqipëria. Po kjo si e ka emrin? Apo taksa e lëvizjes së lirë? Ne liberalizuam vizat po taksën “Majko” e hoqëm. Nuk është faji i sigurisë së kartave dhe pasaportave që është dyfishuar në më shumë se 8000 numri i kërkuesve të azilit në BE, por përkeqësimi i gjendjes ekonomike nga dështimi ekonomik i kësaj qeverie. Dhe për këtë rrisin taksat mbi çdo gjë që merr frymë dhe është më e madhe se 1 mikron…Dhe mashtruan se do ulnin taksat…”, u shpreh deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi.