Pas presionit të SHBA dhe Turqisë, Greqia ndryshon qëndrimin për zgjerimin e kufirit detar në Egje dhe Jon

595
Sigal

Greqia tërhiqet nga zgjerimi i vijës kufitare-detare në Egje

Kryeministri Cipras ndryshon qëndrimin, pas presionit të SHBA dhe Turqisë

Burime të sigurta diplomatike kanë bërë me dije për gazetën “Telegraf”, mbrëmë se Athina ka ndryshuar qëndrim lidhur me shpalljen e zgjerimit të vijës së saj bregdetare nga 6 në 12 milje. Ka qenë një vendim i marrë pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura që ministri i Jashtëm e njëkohësisht edhe kryeministër i vendit, Aleksis Tcipras, me stafin më të lartë politik të kësaj ministrie, si dhe diplomatë të lartë në vendin fqinj. Burimet sqaruan se ky vendim i Athinës zyrtare u mor pasi, sipas kryeministrit Tcipras, përpara se të kërkojë prej presidentit të firmosë dekretin për një çështje kaq madhore siç është zgjerimi i sovranitetit në Jon edhe Egje, duhet më parë që të informohen edhe liderët e partive parlamentare, si dhe të ketë konsultime me presidentin. Jo zyrtarisht, thuhet se ky vendim i shpallur prej ministrit në ikje, Nikos Kotzias tre ditë më parë, gjatë ceremonisë së dorëzimit të portofolit ministror, tek pasuesi i tij, Aleksis Tcipras, ka shqetësuar SHBA, por edhe Turqinë. Mësohet se pala amerikane ka kërkuar anulimin e këtij vendimi, ndërsa më herët ministri i jashtëm turk Mevlit Çaushoglu, deklaroi se çdo veprim i Athinës për zgjerim të vijës së saj bregdetare, në Jon ose Egje, do të përbëjë për të, “Casus Belli” (shkak për luftë). Lidhur me këtë çështje, nuk ka pasur asnjë reagim nga diplomacia shqiptare, e cila tre ditë më parë kishte pohuar se zgjerimi i vijës bregdetare mes Greqisë dhe Shqipërisë, është e drejtë e të dy vendeve, dhe se ajo mund të shtrihej në zonat, ku kjo do të ishte e mundur.