Pas Gjykatës së Hagës dhe Brukselit, Çështja Çame ngrihet në Gjenevë

112

 Mesila Doda:
kërkojmë ato të drejta që kanë popujt evropianë

 

Është një rast i
jashtëzakonshëm për mua të jem sot e pranishme në këtë seancë, në të cilën
flitet për thelbin e qytetërimit tonë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe
pasojat katastrofike që sjell pashmangshmërisht mosrespektimi i tyre, tha Doda.
Historia e njerëzimit njeh shembuj të panumërta të cënimit të tyre, shembuj të
afërt e të largët, por unë dua të sjell sot para jush një histori personale, që
vjen nga një tragjedi gjenocidi, e përjetuar nga rreth 30.000 shqiptarëve të
Çamërisë, krahinës që sot përfshihet në Greqinë e Veriut. Këta njerëz jetuan, u
torturuan dhe në fund u deportuan duke humbur çdo të drejtë njerëzore përfshirë
edhe jetën, në spastrimin etnik që bandat pronaziste të kohës bënë me to. Tash,
siç e thashë qysh në fillim, kjo histori më përket personalisht. Sot, im bir
nuk gëzon dot asnjë nga të drejtat që duhet të kishte të trashëguar nga gjyshi
i tij. Nuk e ka nënshtetësinë, shtëpinë dhe pronat e gjyshërve të tij, nuk
mundet të kërkojë të drejtat që rrjedhin nga kjo trashëgimi, sepse shteti grek
mban në këmbë ende një Ligj Lufte të shpallur nga Mbreti i Greqisë në vitin
1940 dhe e përdor këtë si një modalitet juridik, që të gjithë trashëgimtarët e
shqiptarëve të Çamërisë të mos e përdorin dot kërkimin e të drejtës në gjykatat
e shtetit grek dhe më tutje në atë të Strasburgut. Ndërkohë, të drejtat e
njeriut mbeten të dhunuara, gjenocidi mbetet i padënuar. Do e nis me dy
Konventa të OKB; Konventën për parandalimin dhe dënimin e krimeve te Gjenocidit,
1945 dhe Konventën për Krimet e luftës, 1968. Shqipëria dhe Greqia janë vende
anëtare dhe kanë firmosur në të dyja këto Konventa. Në to përcaktohen qartë
detyrimet e shteteve anëtare për të zbardhur dhe dënuar çdo formë të krimeve të
luftës dhe ato të spastrimit të një etnie, race apo grupimi tjetër. Në to
përcaktohen edhe mosamnistimi, sepse janë vepra me pasoja të rënda për
njerëzimin, ndaj kjo çështje nuk është tabu, duhet të respektojmë konventat
ndërkombëtare dhe të zbardhim njëherë e përgjithmonë çdo vrer e krim mes nesh,
sepse e vërteta dhe vetëm e vërteta do të krijojë mes nesh atë energji pozitive
që do çlironte marrëdhëniet tona. Sepse, e vërteta dhe vetëm ajo do çlironte
shtetin fqinj nga demonët e së shkuarës. Tash po kaloj tek akti më i
rëndësishëm ndërkombëtar;  Konventa për
Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore:

Artikulli 2 – E
drejta e jetës,  mbron të drejtën e çdo
personi për të jetuar: Ky nen është shkelur, i është mohuar e drejta e jetës
mbi 30000 burrave, grave e fëmijëve.

Artikulli 3 –
Ndalimi i torturës, ndalon torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin çnjerëzor apo
degradues: Dëshmitë gojore, ato të ushtrive aleate dhe gjithë të afërmve të
viktimave dëshmojnë për dhunimin e këtij neni.

Artikulli 5 – E
drejta e lirisë, parashikon se gjithkush ka të drejtën e lirisë dhe sigurisë së
personit: 25.000 persona u shtrënguan të shpërngulen në kushtet e një pasigurie
të lartë dhe terrori, ndaj ky nen u dhunua.

Artikulli 9 –
Liria e ndërgjegjes dhe e fesë. Shqiptarët u vranë dhe u përzunë për shkak të
etnisë, por edhe religjionit islam që ata i përkisnin: Unë vetë jam katolike
romake, por asgjë nuk do të më pengojë të respektoj të vërtetën dhe besimin e
tjetrit. Qytetërimi ynë është ndërtuar mbi këtë bazë respekti.

Artikulli 14 –
Ndalimi i diskriminimit, ndalon diskriminimin në bazë të “gjinisë, racës,
ngjyrës, gjuhës, fesë, mendimit politik apo mendimeve të tjetra, origjinës
kombëtare apo klasore, përkatësisë në një minoritet kombëtar, pronës, lindja
apo ndonjë status tjetër.

Protokolli 1
Artikulli 1 i Konventës: E drejta e pronës garanton të drejtën e gëzimit
paqësor të sendeve në pronësi. Ende sot e kësaj dite shqiptarët e Çamërisë nuk
kanë shtëpitë, tokat e pronat e tyre. Cënimi i kësaj të drejte vazhdon edhe
sot. Ata nuk mundet as të vizitojnë shtëpitë, ku kanë lindur, sepse shteti i
sotëm grek vazhdon me të njëjtin arbitraritet si atë pararendës. Unë vij nga
një komb-fisnik mes kombeve. Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që kishte më
shumë hebrenj pas fundit të Luftës së Dytë Botërore sesa para Luftës. Nuk e
them këtë kot. Shqiptarët e Çamërisë u vranë dhe u dëbuan nga Çamëria, ashtu si
u vranë dhe u dëbuan hebrenjtë e Janinës, kryeqendrës së Çamërisë, nga të njëjtët
fajtorë, trupat e Napoleon Zervës dhe bashkëpunëtorët nazistë. Unë vij nga një
vend ku religjionet kryesore të vendit myslimanë, ortodoksë e katolikë jetojnë,
jo thjesht në harmoni, por në vëllazëri mes tyre. Ky është vendi im, i cili ka
jetuar nëpër një dramë të pashembullt këto 100 vitet e fundit. Shqiptarë të
ndarë në pesë shtete, të vrarë, të torturuar, të vjedhur e shumë shpesh pa
varre për t’i nderuar të rënët. Kjo është historia jonë, kjo është historia
edhe e familjes së tim shoqi, të tim biri dhe paraardhësve të tyre. Djali im
nuk ka mëri. E ka falur shtetin grek për masakrën historike. Por sot, shteti
grek vijon të jetë në anën e gabuar të historisë, duke arsyetuar vrasjet monstruoze
pa kërkuar ndjesë dhe duke mos pranuar të lejojë rikthimin e këtyre njerëzve në
shtëpitë e tyre dhe rikthimin e të drejtave të tyre. Thënë ndryshe, shteti grek
vijon të barazojë veten me regjimet hitleriane dhe staliniste dhe jo me
Gjermaninë demokratike dhe Ukrainën demokratike, Kroacinë evropiane, shtete
këto që i kanë zgjidhur çështje të tilla të ngjashme me histori minoritetesh
genocidiale. Prandaj, unë sot e shtroj këtë çështje në këtë Asamble, sepse
askush më mirë, se parlamentarët nuk mundet të kuptojë dramën e pazbardhur dhe
zërin e heshtur të të drejtave njerëzore, pëfundoi Doda.