Pas Byrosë së Hetimit, PD çon në Kushtetuese ndarjen e re territoriale

89

TIRANE – Vetëm 24 orë pas dërgimit të kërkesës në Gjykatën Kushtetuese të ligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, Partia Demokratike ka dërguar po në Kushtetuese ligjin për ndarjen e re territoriale.
 
Deputeti i PD, Oerd Bylykbashi tha se kjo kërkesë e opozitës, vjen për të vënë në vend Kushtetutën, që sipas tij është shkelur në mënyrë flagrante nga mazhoranca duke e miratuar atë në mënyrë të përshpejtuar.
 
Bylykbashi theksoi se harta e re, synon vetëm kapjen dhe fitimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2015, dhe të krijojë oligarkë lokalë.
 
“Siç e kishim premtuar do ta godisnim këtë ligj, se është një nga thyerjet flagrante të Kushtetutës në shumë aspekte. Sigurisht që jemi përpara me këtë ligj të miratuar nga mazhoranca në mënyrë të përshpejtuar, dhe të një shkelje me një synim të vetëm, kapjen dghe fitoren në zgjedhjet lokale. Në rastin konkret është një tentativë antikushtetuese e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Kjo mazhorancë do kërkojë të konsolidojë oligarkinë, që kërkon të krijojë oligarkët lokalë. Kjo nuk është në interesin e qytetarëve shqiptarë. Ne i dërguam kërkesën voluminoze Gjykatës Kushtetuese, mbi shpresën se do të vendoset në vend Kushtetuta.” theksoi deputeti i PD
 
I pyetur lidhur me referendumet lokale të PD, Bylykbashi tha se ata do të mbahen pasi janë zëri i munguar i qytetarëve që u shprehën kundër hartës së re.
 
“Referendumet lokale janë një proces tjetër, është brenda periudhave që parashikon ligji, por janë shprehja e munguar e zërit të qytetarëve që u ngritën në protesta, por që mazhoranca nuk i dëgjonte.” tha Bylykbashi.
 
Ditën e djeshme, PD çoi në Kushtetuese ligjin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e cilësuar atë si antikushtetuese dhe marrje e kompetencave të Prokurorisë.