“Pas 40 vite karrierë dhe 23 vjet punë në Itali, më vlerësoi shteti shqiptar”

891
Sigal

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, “Mjeshtër i Madh” pianistja  Aksinja Xhoja: “Ishte çast i rëndësishëm”

Pas vlerësimit me motivacionin “Artistes së shquar e të talentuar, që ka dhënë një kontribut të çmuar për të ngritur imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në Itali dhe në shumë vende të botës. Intelektuales atdhetare dhe veprimtares shoqërore, që përpiqet pa pushuar për forcimin e marrëdhënieve të miqësisë midis dy vendeve fqinjë,  Shqipërisë dhe Italisë”, pianistja Aksinja Xhoja dha këtë intervistë ekskluzive për gazetën “Telegraf”.

Si e ndjetë veten, teksa ju dorëzua Urdhri i rëndësishëm “Mjeshtër i Madh” nga ish -Presidenti i Republikës Prof. Bamir Topi?

E konsideroj një moment sa të rëndësishëm, aq edhe emocional në jetën time, të karrierës sime artistike. Unë këtë moment- event të paharruar, nuk e mendoj si një pikarritjeje, për mua ky çast starton një fazë të re të jetës artistike, me një impenjim akoma më të madh si në karrierën time, ashtu edhe në veprimtaritë për forcimin e marrëdhënieve të vendit tim, me shumë vende të botës, ku unë jam e përhershme me koncertet e mia. Unë kam 23 vjet që bëj aktivitete jashtë Shqipërisë dhe të them të vërtetën, emocionet kanë qenë të shumta, të fuqishme. Vlerësimi me dhjetëra tituj të rëndësishëm ndërkombëtarë, pushtimi i faqeve të gazetave e revistave, që janë me qindra në Itali, por edhe në Francë, Angli, që janë pasuar me dhjetëra çmime e targa “Mirënjohjeje” si nga qytete dhe shoqata të ndryshme si nga Roma, Londra, Ile d’Oleron, Bath, Mancester, Milano,Venecia, Bari, Padova, Chieti, Brindisi, Leçe, Francavilla Fontana, Mesagne, Cellino San Marco, San Pietro Vernotico, Ostuni, Ambasada Italiane në Youndè – Kamerun, Ambasada Spanjolle – Romë, Ambasada Zvicerane – Romë e shumë të tjera, kur të vlerëson vendi yt, kënaqësia është e dhjetëfishtë. Kjo lidhet edhe me faktin, sepse unë kam mundur që me koncertet e mia që kam dhënë dhe jap në shumë skena të botës, kam mundur të përcjell vlerat kulturore-artistike të Kombit tim, të Shqipërisë, ku unë linda dhe u formova si artiste, ku jetova për 35 vjet. Pas këtij vlerësimi që më bëri Presidenti i Republikës, Prof. Bamir Topi, në piano edhe të personaliteteve italiane të Puljas dhe artistëve italianë e shqiptarë, unë ndjej një obligim shumë herë më të madh. Duhet të më besoni.

Cili është obligimi, pasi ju e keni bërë fort mirë detyrën si Ambasadore e Kombit nëpër Botë?

Nuk ka përfunduar gjithçka. Unë ndjej për detyrë, që të arrij rezultate shumë më të mira, për të nderuar vendin tim, por edhe për të shpërblyer sakrificat dhe përkujdesjen, që kanë treguar prindërit e mi, “Artisti i Popullit”, Nikolin Xhoja dhe “Artiste e Merituar”, Meropi Xhoja, përgatitjen time në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ku kam studiuar me profesor Lali Gabecin, shkollën e muzikës në Dirrës me profesor Vladimir Kapo, Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë me profesoren e nderuar Margerita Kristidhi, në Akademinë “Muggi” në Romë, Akademinë L.Perosi – Biella me Maestro Aldo Ciçolinin, si dhe me Olivier Gardon të Akademisë së Parisit etj.. Këtyre që përmenda, ju dedikoj jetën time, energjitë dhe talentin tim si pianiste dhe përsëri ju mbetem borxh.

Përveçse si pianiste, që tashmë vlerësoheni e famshme nga shumë shtete në botë, mund të përmendni disa nga aktivitetet që kanë çuar në forcimin e miqësisë midis dy vendeve, Shqipërisë, ku keni lindur dhe Italisë ku jetoni?

Janë të shumta, në numër dhe të shtrira në kohë. Një aspekt, janë binjakëzimet e ndryshme të komunave e bashkive në Itali me ato në Shqipëri. Kësisoj mund të përmend Binjakëzimin mes bashkisë së Brindizit me atë të Durrësit. Atë të Lushnjës me Bashkinë Firmo, atë të San Pietro Vernotiko me Bashkinë e Himarës etj.. Këto lidhje, padyshim kanë shërbyer dhe shërbejnë si urë komunikimi për njohjen midis dy vendeve, për shkëmbimet kulturore, bashkëpunimin ekonomik etj..

Sa kanë ndikuar këto lidhje për shkëmbimet kulturore?

Sigurisht, kjo ka qenë parësore edhe për faktin se protaganiste e këtyre lidhjeve është një artiste shqiptare. Mund të ndalem në momentet kur u bë binjakëzimi i Bashkisë së Firmo me atë të Lushnjës, ku një grup artistësh arbëreshë morën pjesë në Festivalin Folklorik të Lushnjës, ndërsa në rrugën kryesore të qytezës Arbëreshe Firmo, u vendos busti i Skënderbeut, që mungonte në këtë zonë, ku banojnë arbëreshët. Pas vendosjes së bustit, ata u shprehën se u realizua një ëndërr e tyre, duke falënderuar Bashkinë e Lushnjës dhe kryetarin e saj Albert Sanxhaku, sigurisht duke më dhënë edhe mua “Mirënjohjen” për këtë lidhje, që solli edhe këtë “dhuratë” shumë të çmuar për ta.

Çfarë është Brindizi për ju, qyteti ku jetoni prej 23 vjetësh, njëherësh edhe vendlindja e babait tuaj, “Artistit të Popullit”, Nikolin Xhoja?

Brindizi është po aq i rëndësishëm për mua, sa është edhe Durrësi. Sepse është vendlindja e tim eti, Nikolin Xhojës, si dhe qyteti ku jetoj prej kaq shumë vitesh, ku kam ndërtuar familjen time me bashkëshortin Marcelo, është edhe vendlindja e vajzës sonë të vetme Marilyn që është gëzimi i jetës, jo thjeshtë se është trashëgimtarja ime, por edhe sepse po ecën në rrugën e artit, që kanë shtruar gjyshërit e saj dhe më pas nëna, unë Aksinja. Respektoj bashkëshortin tim Marcelo, sepse edhe për shkak të profesionit që ka si kameraman dhe fotograf, më ka mbështetur vazhdimisht për të propaganduar vlerat artistike të Kombit tim. Ai i do shqiptarët me gjithë zemër dhe ka mundur të realizojë dokumentarë dhe ekspozita fotografike për Shqipërinë. Biografia e Nikolin Xhojës dhe e imja ndodhen në librin “Personaggi Brindisini” te Lionello Macit, në mes personazheve më të shquara të lindur në Brindizi, ndërsa institucionet shqiptare, e kanë lënë në harresë punën dhe përkushtimin e Nikolin e Meropi Xhojës. Çdo aktivitet apo mbrëmje Gala për ta, është organizuar prej meje, me shpenzimet e mia. Çuditërisht Meropi Xhoja, “Artiste e Merituar”, nuk përmendet as në librin që u botua në përvjetorin e Teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, sido që, është gruaja e parë, që në vitin 1936, u ngjit në skenë si këngëtare e artiste, kohë, që një pjesë e madhe e gruas shqiptare, ishte e mbuluar me ferexhe. Për pasardhësit e çiftit të artistëve është shumë e rëndësishme që Nikolin e Meropi Xhoja, janë në kujtesën e kombit shqiptar.

Mall për Shqipërinë dhe pengu i nënës së saj

Kam shumë mall për vendin tim dhe mundohem të vij sa më shpesh. Vendi yt, është i shenjtë. Pengu i nënës sime, ishte mbetja pa strehë dhe hedhja në rrugë e arkivit të familjes Xhoja me urdhër të autoriteteve të qytetit në vitin 1992, duke i dhënë shtëpinë ish- pronares. Me këtë dhimbje u nda nga jeta nëna ime në vitin 2009, kjo dhimbje nuk është pakësuar aspak edhe pse këtë vit mbushen 25 vjet nga vdekja e Nikolin Xhojës. I kam kërkuar Bashkisë së Durrësit, të na japë një shtëpi, sado të vogël, vetëm për ta bërë muze për tre brezat artistë-Xhoja. Madje, unë do të kthehesha më dëshirë në vendin tim, nëse do të më krijoheshin kushtet për të dhënë kontributin tim.