Pas 21 qershorit, ikin 90 për qind e drejtorëve

424
Pas 21 qershorit, në Elbasan do të largohen mbi 90 për qind e drejtorëve. Ky lajm u bë i ditur nga një burim i sigurt nga dega e PS rrethit për “Telegraf”. Pas një takimi elektoral që Rama ka zhvilluar në këtë qytet, ku edhe prezantoi këshilltarët socialistë, ka kërkuar nga deputetët emra të rinj për të zëvendësuar shumicën e drejtorëve. “Nuk jam i kënaqur me drejtorët që keni në Elbasan, janë të ngathët, ndaj pas 21 qershorit bëni gati listën”. Kjo ishte edhe porosia e Ramës, e cila padyshim pritet të prekë shumicën e drejtorëve, pavarësisht se këta të fundit po mundohen të jenë të afërt dhe të gatshëm në kërkesat e fushatës. I njëjti burim tha se “Evis Kushi, mbetet deputetja e cila pritet të japë “ok” përfundimtar për emrat e rinj, si njeriu që është parë muajt e fundit më pranë Ramës”. Fakti është se shumica e drejtorëve në Elbasan, janë përfolur shumë kohët e fundit, si njerëz apatikë dhe të përzierë me afera të dyshimta, por edhe për armiqësitë e tyre me bazën socialiste dhe deputetët e këtij qarku. 
Prej një viti deputetët e Elbasanit kërkojnë nga Rama largimin e disa prej tyre, kërkesë e cila nuk dihet sepse është mbajtur pezull dhe nuk është pranuar edhe prej disa ministrave, duke thelluar më shumë problemet dhe situatën, aq më tepër me afrimin e fushatës. Nga ana e saj edhe Auditi i Qeverisë KLSH gjatë kontrolleve periodike kanë zbuluar shkelje dhe abuzime në shumë institucione shtetërore në Qarkun e Elbasanit dhe kanë dalë me propozime konkrete për të shkarkuar dhe penalizuar dhjetëra drejtues dhe zyrtarë vendorë. Mungesa e sinqeritetit, korrektësisë, dëgjesave me bazën socialiste, klanizimi i degës lokale, armiqësia e kësaj të fundit me drejtuesit vendorë dhe deputetë të veçantë, janë disa prej arsyeve që Rama duket se ka dhënë miratimin e tij për rokadë drejtorësh në Elbasan, dhe duke pasur besimin se do të ketë ndonjë “prurje pozitive”. 
Edhe afrimi fals dhe gjoja “pjesëmarrja” në fushatë, e cila po bëhet më tepër e detyruar, nuk ka mundur të ndryshojë mendimin dhe vendimin e Ramës për largimin e shumicës së drejtorëve. Veç arsimit dhe energjetikës, pothuajse të gjithë të tjerët do të largohen, tha i njëjti burim nga dega e PS Elbasan. Shkak ka qenë edhe furia e letrave dhe mesazheve nga baza socialiste drejt selisë qendrore të PS dhe Ramës, ku akuzohen dhe denoncohen zyrtarë dhe drejtorë, “për shpërdorim të postit, lidhje me afera të dyshimta, pasurimin e tyre të shpejtë, dhe divorcin e tyre me degën lokale dhe deputetët që i kanë propozuar dhe emëruar”.
Sigal