Partnerët strategjikë nuk do ta lejojnë Shqipërinë të rrëshqasë në drejtimin e Oligarkisë dhe krimit

447
Prof. Dr. Kastriot Islami, në pjesën e dytë të intervistës për gazetën “Telegraf”, për reformën në drejtësi, pohon se pa konsensusin substancial, duke nënkuptuar domosdoshmërisht konsensusin e opozitës, dhe jo thjesht 84 vota në Kuvend, kjo reformë është e dështuar dhe do t’ju shërbejë vetëm ligarkëve e individëve me rekorde kriminale. Që të arrihet kjo, Prof. Islami kërkon domosdoshmërisht, pjesëmarrje në këtë reformë dhe vendimarrjet përkatëse vetëm të deputetëve të pastër e legjitimë. Fajin që deri tan ipse nuk është arritur një consensus edhe për dekriminalizimin, deputeti I PD Kastrito Islami e adreson vetëm te kryeministri Rama, i cili është përpjekur me të gjithë mënyrat ta pengojë, shmangë, devijojë dhe frenojë procesin e dekriminalizimit, të kërkuar me forcë nga opozita dhe të mbështetur/”ligjëruar” nga partnerët ndërkombëtare. Sipas zotit Islami, nuk është e domosdoshme që të ndryshohet Sistemi aktual Elektoral, për të penguar kryetarin të bëjë listat e mbyllura për deputetët, por duhet të funksionojë demokracia brenda partisë e vendimarrjet të jenë kolegjiale. 

-Prof. Islami, Fatmir Xhafa shprehu bindjen se edhe opozita do ta japë konsensusin për reformën në drejtësi, meqë draftin e saj e përgatitin specialistët që monitorohen edhe nga faktori ndërkombëtar, dhe se garancia e kësaj reforme janë vetë ndërkombëtarët. A ka të drejtë në këtë zoti Xhafa?
– Të gjithë pyetjeve tuaja për reformën në drejtësi do t’ju përgjigjem shkurtimisht dhe drejtpërdrejtë. Nëse kjo reformë do të realizohet e miratohet pa “konsensusin substancial” të opozitës dhe vetëm me votat e “oligarkëve e të individëve me rekorde kriminale”, kjo do të forcojë vetëm rregjimin oligarkik, bandistesk dhe kriminal të cilit i ka mbetur vetëm të vendosë nën kontroll të plotë drejtësinë. Unë nuk besoj se partnerët strategjikë do ta lejojnë një gjë të tillë. Procedurat dhe detajet janë të dorës së dytë lidhur me këtë çështje dhe në këtë moment kur Shqipëria ndodhet në udhëkryq. 

– Ju zoti Islami, keni bindjen që reformën në drejtësi, kësaj here, do të jetë i xhveshur nga ndikimi politik, siç ka ndodhur rëndom deri tani?
– Përsëris, kjo reformë duhet të bëhet me “konsesus substancial”, ku të përfshihen të gjithë deputetët e ndershëm e legjitimë të Kuvendit të të gjithë krahëve. Vetëm bashkësia e deputetëve të “lustruar” të Kuvendit ka moralin dhe legjitimitetin për të krijuar “maxhorancën e duhur perëndimore” për të kryer reformën në drejtësi. Përndryshe, vendi do të rrëshqasë përfundimisht në “oligarki të thellë”. 

– Ku qëndron kontestimi i PD për reformën në drejtësi, që përgatitet nga Komisioni Parlamentar përkatës?
– Kërkesa e PD, unë besoj është shumë e thjeshtë: 1) konsensus, konsensus dhe vetëm konsensus substanbcial, si dhe 2) pjesëmarrje në këtë reformë dhe vendimarrjet përkatëse vetëm të deputetëve të pastër e legjitimë. Vetëm kaq, të tjerat janë rrjedhojë dhe lehtësisht të arritshme. 

– A mund të pranohet nga ndërkombëtarët që kjo reformë të miratohet pa konsensusin e opozitës?
– As shqiptarët e as ndërkombëtarët s’do të pranonin një reformë të miratuar nga një maxhorancë, sado e madhe qoftë, përsa i përket numrave, të cilat sigurohen nga prezenca e individëve me rekorde kriminale dhe e oligarkëve që synojnë të vendosin nën kontroll edhe drejtësinë. 

– A do të ketë arësye që populli kësaj here, pasi të jetë miratuar kjo reformë të besojë se drejtësia do të japë drejtësi për të gjithë?
– Kjo është një pyetje për më vonë dhe do të varet shumë nëse reforma do të jetë konsesuale substancialisht apo jo. 

– Zoti Islami, sipas jush, përse në ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor për zgjedhjet e 21 qershorit, nuk u futën amendamentet ligjore për dekriminalizimin? Kishte këtu konsensus të heshtur politik PS-PD?
– Nuk kishte asnjë marrëveshje, as të heshtur dhe as të hapur dhe për këtë çështje as mund të kishte dhe as mund të ketë marrëveshje, sepse opozita e konsideron jetike për fatet e vendit procesin e dekriminalizimit. Opozita është e bindur dhe e vendosur ta luftojë kriminalizimin e maxhorancës, përmes dekriminalizimit dhe është shprehur publikisht se është kundër opsionit të “betejës simetrike” me krimin, pra është shprehur qartësisht e vendosmërisht kundër “konkurimit” përballë oligarkëve, banditëve dhe kriminelëve të maxhorancës aktuale me “oligarkë, banditë dhe kriminelë”. Kjo qasje do të ishte më pasoja katastrofike për vendin dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi. Prandaj, kjo lloj “marrëveshje”, për të cilën pyesni ju, është e përjashtuar në çdo rast. 

– Si ta shpejgojmë që PD dhe PS kanë diametrikisht qëndrime të kundërta politike për dekriminalizimin? Përse ndodh kjo?
– Kjo është një nga taktikat e Ramës. Rama është përpjekur me të gjithë mënyrat ta pengojë, shmangë, devijojë dhe frenojë procesin e dekriminalizimit, të kërkuar me forcë nga opozita dhe të mbështetur/”ligjëruar” nga partnerët ndërkombëtare. Fillimisht Rama nuk pranoi që në grupin e tij parlamentar ka deputetë me rekorde kriminale, duke dhënë të gjithë justifikimet se ata janë përzgjedhur dhe zgjedhur si të “pastër”, në përputhje me kerkesat ligjore. Së dyti, udhëzoi anëtarët e tij në Komisionin e Dekriminalizimit të vononin e minonin të gjithë nismat për ndryshimet e nevojshme ligjore, si për deputetët e Kuvendit, ashtu edhe për kandidatët për zgjedhjet e ardhshme vendore e deri të përgjithshme. Së treti, u përpoq e vazhdon të inisistojë në qasjen e “simetrizimit/gjeneralizimit” të situatës, pra që jo vetëm grupi i tij, por edhe grupet e tjerË kanë individe me probleme, kështu të “gjithë të baltosur” e të “kriminalizuar” s’kemi përse bëjmë kaq shumë zhurmë. Së katërti, u përpoq t’ju mbushte mendjen partnerëve se nuk “ka hapësira ligjore”, se “preken të drejtat kushtetuese”, se “s’mund të ketë largime të deputetëve me forcë prapavepruese”. Së pesti, duke sfiduar partnerët ndërkombëtarë, të cilët kërkuan mos kandidimin e personave me rekorde kriminale në zgjedhjet e 21 qershorit 2015, u përpoq të maskonte problemin e deputetëve të inkriminuar me atë të disa kryetarëve të bashkive për ta shtyrë këtë çështje e fituar kohë. Së gjashti, po përpiqet nën rrogoz ta përcjellë këtë problem te LSI, pra të zëvëndësojë largimin e oligarkëve të tij me goditjen e LSI. 

– Pa u ndryshuar ky system elektoral aktual, i cili u dha mundësinë personave me rekorde të bëhen deputetë, a mund të bëhet dekriminalizimi i politikës? 
– Në Shqipëri, përfaqësuesi, drejtuesi dhe përgjegjësi për konceptimin, programimin dhe vendosjen e Oligarkisë, Banditizmit dhe Krimit në politikë më mënyrë të organizuar është vetëm Rama. Mos u përpiqni të simetrizoni, apo gjeneralizoni këtë dukuri. Jo! Argumenti kundër tezës së “simetrizimit apo gjeneralizimit” është i thjeshtë: nëse sistemi i zgjedhjes së deputetëve është proporcional (rajonal), pra me lista (madje edhe të mbyllura), sistemi i zgjedhjes së kryetarit të bashkisë është mazhoritar; por pavarësisht sistemit elektoral, mazhoritar apo proporcional, Rama ka vendosur edhe në listën e deputetëve edhe si kandidatë për kryetar bashkie individë me rekorde kriminale. Të vendosësh individë me rekorde kriminale në listën proporcionale të deputetëve, apo si kandidat në konkurimin mazhoritar për kryetar bashkie është çështje vullneti e krytarit të saj, e përgjegjshmërisë së një partie politike dhe e demokracisë së brëndshme për të mos lejuar kryetarin e saj të abuzojë apo dhunojë parimet e demokracisë dhe nuk ka lidhje me sistemin elektoral. Unë kam bindjen e plotë se Oligarkia në Shqipëri do të çrrënjoset me çdo kusht e me çdo mjet; kjo tashmë është ngjarje e sigurtë. Dekriminalizimi është veçse fillimi. Shtatori 2015 përbën momentin e fillimit të këtij procesi. Parlamenti i ardhshëm do të jetë i pastruar tërësisht nga oligarkët. Në Ballkanin Perëndimor kjo programohet të ndodhë, por në Shqipëri e Kosovë kjo është e padiskutueshme. Arsyet janë të shumta, por ka një arsye mbi arsyet: Partnerët strategjike kanë tolerancë zero ndaj krijimit nga oligarkia të “hapsirave” për t’u mbushur nga “faktorë të tretë” në këtë territor ballkaniko-mesdhetar. Ky është i vetmi shans që Shqipëria të çlirohet tërësisht e shpejt nga qeverisja “oligarkike” dhe të vendoset në rrugën e “demokracisë perëndimore liberale”. Moskrijimi i “hapësirave” për “faktorët e tretë”, s’do t’ju lihet në dorë drejtuesve të oligarkisë, të cilët për të qëndruar në pushtet e forcuar pozitat e tyre premtojnë në fazën fillestare, kur ende s’kontrollojnë gjithçka, me servilizëm e nga frika, se do të ruajnë, apo së paku s’do të ndryshojnë marrëdhëniet me partnerët strategjikë, por çrrënjosja e qeverisë oligarkike do të jetë radikale dhe pastrimi i thellë, sepse dihet shumë mirë që mbyllja përfundimtare e “hapësirave” për të tretët do të mund të garantohet vetëm me largimin e oligarkisë nga qeverisja, përsëris me prioritet e pa asnjë mëdyshje nga Shqipëria e Kosova.

– A duhet të bëhen zgjedhje të parakohshme, meqë ky Parlament ka deputetë me rekorde kriminale?
– Gjykoj se zgjedhjet e parakohshme, s’do të mund të jepnin rezultatin e dëshëruar, pra që parlamenti ardhshëm të ishte i “pastër”, nëse paraprakisht s’do të ishte miratuar “paketa anti-oligarki”. Nëse kjo “rrugë të butë” për pastrimin e Kuvendit nga oligarkët, të cilën e ka mbështetur edhe PE dhe SHBA, Rama do ta refuzojë apo pengojë, atëhere me shumë gjasa shqiptarët, sic ka thënë kryetari i PPE, Joseph Daul, do të detyrohen ta çrrënjosin “oligarkinë, banditizmin dhe krimin” me mjetin demokratik të “rrugës revolucionare”. Kjo “rrugë” do të çonte në zgjedhje të parakohshme ndërkohë që para tyre Kuvendi do të detyrohej të miratonte nën presion e veprimeve masive demokratike paketën “anti-oligarki”. Kam shumë shpresë që së bashku me partnerët tanë strategjikë Në Shqipëri do të realizohet procesi i “de-oligarkizimi i politikës” përmes “rrugës së butë”. 
– Faleminderit!
Sigal