Partitë e vogla rezolutë për zgjedhjet dhe marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

633
Sigal

Mbi 30 parti politike, shoqata të shoqërisë civile dhe individë u mblodhën sot në Tiranë për të kërkuar zgjedhje të lira dhe të barabarta. Tryezës iu bashkua edhe ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani.

Bashkëkryetari i tryezës, kryetari i partisë “Zgjidhja”, Koço Kokëdhima, ritheksoi domosdoshmërinë e reformës zgjedhore, të vërtetë dhe jo si farsë e PS dhe PD. Tryeza miratoi dy rezoluta, nje per zgjedhjet e lira dhe te barabarta dhe nje per marredheniet Shqiperi-Greqi. Tryeza e partive politike, shoqatave dhe individëve për zgjedhje të lira dhe të barabarta

Rezolutë për reformën zgjedhore

Partitë politike dhe shoqatat e shoqërisë civile që kërkojnë zgjedhje të lira dhe të barabarta, të mbledhura sot më 2 nëntor 2018, në tryezën për reformën zgjedhore, konstatuan se dy partitë PS-PD e kanë bllokuar reformën zgjedhore dhe në vend të saj duan të bëjnë një farsë për të mashtruar partnerët perëndimorë dhe vendet mike të Shqipërisë. Tryeza rikthekson se këto parti nuk duan të bëjnë reformë zgjedhore dhe të humbin sundimin mbi zgjedhjet dhe vetëm ndërhyrja pa vonesë e faktorit ndërkombëtar do të rikthejë zgjedhjet e lira dhe të barabarta në Shqipëri.

Tryeza konstatoi:

1-Reforma elektorale është bllokuar në mënyrë të vetëdijshme me marrëveshjen PS-PD për të mos lejuar çlirimin e zgjedhjeve nga diktati i tyre. Ato, me Komisionin e Posaçën të Reformës Zgjedhore, nuk kanë ndërmend të pranojnë një Kod të ri Zgjedhor, por të bëjnë disa ndryshime pa vlerë që lënë në fuqi kodin aktual.

2-PS dhe PD nuk duan të bëjnë një reformë zgjedhore me standarde, por një farsë zgjedhore që nuk i çliron zgjedhjet nga kontrolli i tyre. Qëllimi i tyre është i qartë. Partitë e vjetra duan që të mashtrojnë institucionet e Bashkimit Europian, që e kanë vënë si kusht reformën zgjedhore për hapjen e negociatave me BE-në në qershor 2019. Ne nuk duam një reformë zgjedhore gjysmake, por një reformim që do t’i japë fund blerjes, vjedhjes, manipulimit, deformimit, intimidimit dhe kontensimit të zgjedhjeve nga lukunia e komisionerëve dhe numëruesve të PS dhe PD.

3-PS dhe PD kërkojnë që të ruajnë kontrollin partiak mbi zgjedhjet dhe të diskriminojnë operatorët e tjerë të tregut duke mbajtur në fuqi zgjedhjet e pabarabarta, duke mos zbatuar rekomandimin e OSBE-së që zgjedhjet të mos prodhojnë diskriminim për askënd, duke mos hequr pengesat artificiale mbi partitë joparlamentare, duke cenuar dhe diskriminuar të drejtat e partive të tjera, shoqatave dhe individëve gjatë zgjedhjeve, në sistemin zgjedhor dhe në administrimin e tyre.

4-Partitë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe individët shprehin shqetësimin që reforma zgjedhore është në rrezik nëse nuk zbatohen rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe kërkesat e të gjitha partive, shoqatave dhe individëve që duan një reformë zgjedhore të vërtetë dhe sipas standardeve demokratike dhe europiane.

5-Tryeza u kërkon sërish institucioneve të komunitetit ndërkombëtar që monitorojnë Shqipërinë që reforma zgjedhore të eliminojë kontrollin politik mbi administratën zgjedhore. Të zbatohet rekomandimi kryesor i OSBE/ODIHR-it për depolitizimin e zgjedhjeve, duke depolitizuar plotësisht administratën zgjedhore, duke vënë në krye të procesit zgjedhor një individ konsensual ose një institucion me njerëz krejtësisht të pavarur nga partitë dhe jo një KQZ e komanduar nga PS dhe PD, ndërsa administrimi i zgjedhjeve të bëhet nga pedagogët e universiteteve, punonjësit e bankave, avokatët, studentët ekselentë të masterit të fakulteteve juridikë dhe jo nga militantët e partive.

Tryeza e partive politike, shoqatave dhe individëve për zgjedhje të lira dhe të barabarta

Rezoluta për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi

Partitë politike, shoqatat e shoqërisë civile dhe individët, të mbledhur sot më 2 nëntor 2018, konstatuan se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në një moment delikat, për shkak problemeve të bartura e të krijuara rishtaz gjatë bisedimeve dypalëshe për ndarjen e kufijve detarë dhe çështjeve të tjera të pazgjidhura prej dekadash. Tryeza e partive politike dhe e shoqatave të shoqërisë civile thekson se është në interes të të dyja vendeve zgjidhja e mosmarrëveshjeve, duke zbatuar parimin e barazisë dhe të sovranitetit të dy popujve.

Tryeza vendosi të shprehet:

1-Komuniteti i madh shqiptar ne Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri janë ura të forcimit të kësaj miqësie dhe faktorë stabiliteti, prandaj jemi të shqetësuar nga sjelljet antishqiptare dhe të papërgjegjshme të qeverisë së Shqipërisë në negociatat me Greqinë.

2-Bisedimet mes ekipeve negociatore të dy vendeve për ndarjen e ujërave territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë  dhe marrëveshja dypalëshe është një çështje tejet sensitive. Nuk duhet të ndodhë asnjë lëshim i ujërave territoriale ndaj Greqisë në dëm të Shqipërisë. Pretendimi I Greqisë për të shtrirë ujërat territoriale në 12 milje nuk duhet pranuar nga Shqipëria.

3-Nuk mund të ketë një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Greqisë që injoron çështjen çame dhe të drejtat e Çamërisë dhe nuk mund të ketë një marrëveshje që nuk merr në konsideratë të gjitha çështjet, siç është ajo e ujërave të brendshme.

4-Kërkojmë largimin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, sepse u ka dhënë mbështetje inkursioneve ultranacionaliste greke dhe pretendimeve të tyre në dekada për tërësinë territoriale të Shqipërisë, duke falsifikuar historinë dhe pranuar që Shqipëria të ketë festë zyrtare 28 tetorin, ditës e nisjes së luftës italo-greke në vitin 1940, ditë në kalendarin zyrtar të Greqisë. Shqipëria nuk ka bërë kurrë luftë me Greqinë dhe nuk ka asnjë detyrim të festojë ditë që përkujtojnë pushtimin e vendit dhe zbatimin e ëndrrës së vjetër të shovinistëve grekë ndaj Jugut të Shqipërisë.