Partitë e vogla janë viktimat e vjedhjes së votave

455
Sigal

Refleksion

Me kryetarin e një partie të vogël, të Aleancës së Majtë, diskutonim çështjen e rinumërimit të votave nga KQZ-ja, si edhe vendimet e Kolegjit Zgjedhor, për ankesat e palëve politike.

– Përse ju, si parti, nuk keni bërë asnjë ankimim, për pretendimet që shfaqni, se u është vjedhur vota?- pyes kryetarin e partisë, e cila fitoi një numër të konsiderueshëm votash në Aleancën e Majtë.

– Për kë të ankohemi?- u përgjigj me mosbesim kryetari i partisë.

– Për ata që ju kanë vjedhë votat?

– Të ankohem që partia e madhe e koalicionit tonë, na vodhi ne të tjerëve votat? Çfarë vlere do të ketë ankimimi ynë tani?

– Përse nuk distancoheni politikisht ndaj akuzave të  kundërshtarit politik, kur thotë se fitorja  juaj është bërë me vjedhje dhe paratë e drogës dhe krimit?

– Neve votat, na i vodhi partia e madhe e koalicionit tonë. Ç’të flas unë, për kundërshtarin politik? Nuk shkon, nuk dua të sillem hipokrit. – u përgjigj kryetari i partisë, anëtar i Koalicionit të Majtë.

Kjo ishte biseda, e shprehur lirshëm, nga ato biseda që i bëjmë midis miqve, jo për bujën publike. Por që mbartin të vërtetën. E vërteta që u zbulua nga rinumërimi. Pavarësisht, nëse Kolegji Zgjedhor e certifikon të ligjshme apo të paligjshme. Elektorati duhet të mësojë, të vërtetën, pavarësisht lojërave politike që luajnë institucionet, sikurse Kolegji Zgjedhor dhe KQZ-ja,  të cilat, sikurse sillen, po zhvishen edhe më shumë  nga (pa )anësimi dhe mirëbesimi i vendimeve që japin.

Ajo që u evidentua nga numërimi, ishte se të tre partitë e mëdha, PD, PS dhe LSI u kanë marrë votat, jo aq kundërshtarëve të tyre, por më shumë, u kanë marrë votat aleatëve të tyre të vegjël. Kjo, pasi këto tre parti kanë komisionerë dhe numëruesë të tyre, ndërsa partitë e vogla janë të përjashtuara nga Kodi Zgjedhor, që të kenë në numërimin e votave përfaqësuesit e tyre. Kolegji Zgjedhor, si organ gjyqësor, nuk u shqetësua aspak, që numëruesit u kanë vjedhë votat partive të vogla, edhe pse kjo vjedhje u dokumentua me rinumërimin. Edhe pse Kodi Zgjedhor, formalisht, e ka që vjedhja e votës dënohet penalisht. Kolegji Zgjedhor, shqetësohet, vetëm nëse partitë e mëdha, PD, PS,LSIvjedhin votat ndaj njëri-tjetrit…Kështu e zbaton ligjin Kolegji Zgjedhor. Ndërsa KQZ-ja, merr në shqyrtim, në mënyrë selektive, vetëm ankesat e partive të cilët ata përfaqësojnë,  të PD-së dhe PR-së, dhe duke rrëzuar çdo ankesë të partive të tjera të vogla, të cilat me të drejtën e tyre, bazuar në Kodin Zgjedhor, kanë bërë ankesat për vjedhjen e votave nga partitë e mëdha. Është KQZ-ja, që, duke u sjellë më njëanshmëri partiake,  shkel me vetëdije parimin që para ligjit, të gjitha partitë janë të barabartë. Ndaj, edhe kryetari i partisë të Koalicionit të Majtë, në bisedë më pohon që nuk mund të reagojë dot ndaj vjedhjes së votave, që i ka bërë partia e madhe e koalicionit të vet. Sepse, kryetari i partisë së vogël, është i ndërgjegjshëm, që çdo ankesë e të vegjëlve, qoftë në KQZ, qoftë edhe në Kolegjin Zgjedhor, do të nëpërkëmbet nga çdo institucion i administratës zgjedhore, të cilat shërbejnë si instrumente partiake. Është vetë Kodi Zgjedhor, që ligjëson mekanizmin e vjedhjes së votave të partive të vogla nga partitë e mëdha, derisa  ligjëson votimin e votave vetëm nga militantë partiakë të partive të mëdha dhe, njëkohësisht, përjashton  nga numërimi i votave,përfaqësimin e partive të vogla. Kështu që Kodi Zgjedhor, me ligj, lejon që partitë e vogla të marrin  nga partitë e mëdha, mëshirën, tepricën e thërrimeve, të votave. Dhe ky Kod Zgjedhor, është kompromisi që partitë e mëdha bënë me njëra-tjetrën, në dëm të partive të vogla, pa u bërë merak, se kështu deformohet vullneti i elektoratit për t;u përfaqësuar në Kuvend.  Ujdia paraprake, e komisionerëve  të votave, përfaqësues vetëm të partive të mëdha, është që të lejojnë njëri-tjetrit të vjedhin sa të mundin nga  partitë e vogla që i kanë në aleancë, por të ruajnë  votën nga vjedhja e njëri-tjetrit. Teatri i rinumërimit të votave bëhet që të evidentohen vjedhjet e votave që të mëdhenjtë i kanë bërë njëri-tjetrit, pa u bërë aspak merak, për votat që  vetë ata u kanë vjedhë partive të vogla që i kanë aleatë.   Ja një shembull.  Rezultatet pas rinumërimit të ZAZ 1 në Shkodër.

Partitë  që kanë vjedhur votat

 PS                                328 vota më tepër

 PD                               29 vota më tepër

 LSI                              110 vota më tepër

 PR                               80 vota më tepër

 Partitë që u janë vjedhur votat

PDS                             114 vota minus

 Kristian Demokratët   138 vota minus

 FRD                            18 vota minus

 AK                              22 vota minus

 PBDNJ                        27 vota minus

 PSM                            32 vota minus

 PSD                             12 vota minus

 PLL                             67 vota minus

 Çdo të ndodhte, nëse KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor, do të zbatojnë Kodin Zgjedhor dhe do të lejojnë  që vota e elektoratit të shkojë në ato parti që ai ka votuar? I sigurt është, se nuk do të jetë ky rezultati i publikuar i zgjedhjeve. Përtej marketingut politik, se zgjedhjet u zhvilluan …normalisht të qeta.