Partia Socialiste mbledh të shtunën Asamblenë

383
Partia Socialiste do të mbledhë të shtunën Asamblenë Kombëtare, e cila pritet të përcaktojë hapat që do të ndiqen nga strukturat e kësaj partie që nga analiza e zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit deri tek Kongresi Zgjedhor, i cili do të mbahet në Dhjetor. Fillimisht asambleja do të ndalet te analiza e plotë e rezultatit sidomos në ato bashki ku u regjistrua dhe humbja e së majtës. Një tjetër pikë është ngritja e një grupi pune që do merret me procesin e riorganizimit të plotë, duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë Edi Rama sipas parimit një anëtar një votë, për të vijuar me tej me zgjedhjen e strukturave të tjera, duke filluar me delegatët e kongresit, anëtarët e rinj të asamblesë dhe kryesisë. Në fokus do të jetë dhe riorganizimi i ri, ku partia do të ndahet në 61 njësi, duke e përshtatur me ndarjen e re territoriale. Asamblea do të bëjë dhe shpalljen e nismës për ndryshimet në statutin e partisë, për t’i paraprirë kështu kongresit të dhjetorit të këtij viti. Mësohet se Asambleja do të ngreje një gup pune të posaçëm për hartimin e amendamenteve për ndryshime ne statut që mësohet se do te fokusohet në ndarjen e re administrative­territoriale. Pritet që partia të organizohet në rang bashkish, që do të thotë së paku 61 kryetarë të PS në bashkitë e reja. Edhe deputetët do të riorganizohen në zonat që do të kenë në varësi, për përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme politike.
Sigal