Parlamenti italian po heton. Mbetjet e rrezikshme nga Italia janë trafikuar edhe drejt Shqipërisë

542
“Ka ende një trafik të lëndëve të rrezikshme drejt vendeve të huaja? Sigurisht, por është shumë ndryshe nga ai i viteve 1980-90. Atëherë kjo gjë bëhej nga ‘Zotërit e luftërave’ drejt Somalisë ose Lindjes së Afërme, duke i këmbyer me armë ose ndihma. Ne jemi duke hetuar në ato trafiqe, por edhe në këto të sotmet”.
Kështu ka shpjeguar në një intervistë për Avvenire.it, Alessandro Bratti, kreu i Komisionit parlamentar për hetimin e aktiviteteve të paligjshme në lidhje me trafikun e mbetjeve nga Italia në drejtim të vendeve të tjera.
“Në radarin tonë ne kemi disa çështje për të hedhur dritë në të shkuarën dhe të tashmen, e duke zbuluar e zbardhur dokumente të reja në lidhje me trafikun ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme”, ka thënë Bratti.
Duke folur për gazetën e njohur italiane, parlamentari shpjegon se ka pasur probleme me mbetjet italiane që janë trafikuar jashtë vendit.
“Mbetjet italiane dërgohen nëpër vende të ndryshme, si në Gjermani, Austri, por më pas nisën dyshimet se plehrat që dërgoheshin atje, nuk ishin ato që deklaroheshin., Përderisa në Gjermani dhe Austri respektohen ligjet e vendeve ku dërgohen mbetjet e Italisë, ka shumë dyshime se në vende si Portugalia, Rumania, Bullgaria, Shqipëria, Kroacia e Maroku kjo gjë nuk ndodh”, është shprehur Alessandro Bratti për Avvenire në janar të këtij viti.
Më pas, Bratti shprehet se deri pak vite më parë, Interpoli nuk i hetonte shumë krimet e ambientit, por në 4-5 vitet e fundit ky lloj krimi ka njohur një zgjerim të pabesueshëm. Italia ka një njohje të hershme me këto krime dhe për këtë ka bërë hetime, por vendet e tjera nuk janë shumë imune ndaj këtij lloj krimi.

Sigal