Parlamenti Evropian “zbarkon” në Tiranë

490
Sigal

Dorëzimi i mandateve të deputetëve nga opozita ka shkaktuar shqetësime edhe në Bashkimin Evropian, për më tepër, që Shqipëria është në procesin e testimit për plotësimin e 14 kushteve të integrimit për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit, në qershorin e 2019-s. Një përfaqësi e delegacionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian mësohet do të mbërrijë të mërkurën, më 27 shkurt, në Tiranë për tu informuar për situatën politike në vend. Ky delegacion përbëhet nga deputetë të grupimeve të ndryshme politike të Parlamentit Evropian. Grupimi i partive popullore (EPP) përfaqësohet nga Cristian Dan Preda dhe Tunne Kellan. Grupimi i socialistëve dhe demokratëve (S&D) përfaqësohet nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckenstein dhe Juan Fernando Lopez Aguilar. Grupimi i liberalëve dhe demokratëve (ALDE) përfaqësohet nga Ilhan Kyuchyuk. Grupimi i gjelbër (The Greens) nga Tamas Mezcerics. Grupimi i konservatorëve dhe reformistëve (ECR) do të përfaqësohet nga Bas Belder dhe grupimi i Evropës së kombeve dhe lirive (ENF) nga Jean-Luc Schaffhausser. Ata do të takohen me kryetarin e opozitës, Lulzim Basha dhe kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi. Më pas, takimet vijojnë me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Gent Cakaj. Delegacioni do të takohet me kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, si dhe dy përfaqësues të shoqërisë civile, një për çështjet e mjedisit. Takime mund të kenë edhe me ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj. Takimet do të zhvillohen për të marrë informacione lidhur me krizën politike në vend. Në përfundim të takimeve pritet një deklaratë i delegacionit. Vizita mësohet se është si një mision faktmbledhës dhe konkluzionet do të paraqiten në Parlamentin Evropian në formën e një rezolute, sikundër do verifikojnë përmbushjen ose jo të kushteve për integrimin në BE.