Parlamenti Europian:Kush merr Metën fiton!

542
Sigal

Koalicioni me LSI-në, rritet pazari i PS-së dhe PD-së në këmbim të marrjes së maxhorancës

Zv.Presidenti i Parlamentit Europian, Xhiani Pitela, përmes një mesazhi të publikuar në faqen e tij të internetit, i bëri thirrje udhëheqësit të Partisë Socialiste Edi Ramës dhe atij të Lëvizjes për Integrim, Ilir Meta të bashkohen në prag të zgjedhjeve të 23 Qershorit. Kjo ka ndodhur fill, pas publikimit në gazetën “Telegraf”, të thirrjes së Metës, ndaj Ramës, të cilit, pas një bashkimi të mundshëm të partive i kërkonte atij të zgjidhte: “Ose Kryeministrin, ose Krysocialistin”. Por ndërkaq, negociatorë të shumtë i janë afruar Ramës duke i bërë presion, ose duke i ofruar mundësinë e fundit për të fituar maxhorancën, e cila ka të bëjë me bashkimin e PS-së me LSI-së, në një koalicion parazgjedhor.

 Kushtet e koalicionit

Kreu i LSI-së, Ilir Meta duke parë se ka në dorë “shkopin magjik të maxhorancës, për të sjellë të majtën në pushtet i ka kërkuar Ramës, 40 për qind të pjesës së qeverisjes, kundrejt 20 për qind, që përfitonte gjatë këtij mandati, nga Berisha. Meta ka kërkuar gjithashtu, lënien e hapësirave zgjedhore për marrjen e 40 për qind të deputetëve nga shuma e përgjithshme, në raport me Partinë Socialiste. Pra, Meta ka kërkuar jo 40 për qind, të numrit total të deputetëve të Parlamentit, por 40 për qind të deputetëve të së majtës.  Në këtë mes, kontributi i negociatorëve synon nxitjen e Ramës që të pranojë, “trenin e fundit” drejt pushtetit, ose në rast mospranimi, të përgatitet për të zbritur nga vendi i timonierit të opozitës për ta bërë rrugën më këmbë. Sipas negociatorëve nëse Rama i thotë “jo” këtij okazioni, atëherë ai duhet të përgatitet për të ngritur valixhet.

Situata brenda koalicionit

Nga ana tjetër, situata brenga koalicionit të Partisë Socialiste është tepër kaotike, sepse vetëm në momentet e fundit janë tërhequr prej këtij koalicioni, dy figura të njohura të politikës 23- vjeçare, Nard Ndoka dhe Preç Zogaj. Përgjegjësia e kësaj katrahure në koalicionin rozë është krejtësisht e Ramës, i cili konstruktoi një aleancë të majtë me eksponentë të djathtë, si Zogaj, Ndoka, Ngjela, Kurt Kola etj., që njihen qysh në indicet e vitit ‘90 si përfaqësuese të ekstremit të djathta, ose të qendrës së djathtë. Ndofta kjo ndodh se vetë Rama në fillimet e tij, është shfaqur si ekstremist i së djathtës, duke arritur të bëhet lidershipi kryesor i së majtës.

Bashkitë dhe degët e partisë

Situata në bashkitë dhe degët e Partisë Socialiste në rrethe është problematike. Kjo ndodh se krerët lokalë nuk kanë asgjë në dorë për caktimin e emrave të kandidatëve, të cilët delegohen 100 për 100 nga qendra. Kjo ka bërë që kontradiktat brenda familjes së madhe socialiste të shtohen dhe madje, një pjesë e madhe e drejtuesve lokalë, janë larguar. Kjo ka bërë që në Bashkinë e Fierit, PS-ja të humbasë shumicën e Këshillit Bashkiak, ndërsa në bashkitë e tjera kanë plasur sherre e kontradikta të shumta, ku kryetarët kanë ikur. Po kështu, një klimë aspak produktive ka montuar Rama në raportet me Kryebashkiakët dhe kryetarët e degëve, të cilët në shumicën e tyre janë të pakënaqur nga lidershipi. Ndërsa tani loja e pingpongut që po bëhet nga lidershipi rozë për emrat e deputetëve do t’i shkaktojë kësaj partie një humbje energjie të madhe, duke garantuar humbjen e disa qindra –mijëra votave, brenda një qarku.

 Situata në koalicionin blu

Berisha është gati t’i ofrojë Metës karrigen e tij kryeministrore, në dy vitet e ardhshme, të cilat korrespondojnë me afrimin e sezonit për zgjedhjen presidenciale, ku ambiciet e Berishës janë ende të ndezura. Nëse në fund të rrugës së tij politike, Berisha do të kishte mundësi të riprovonte për herë të tretë kolltukun presidencial, këtë do ta pranonte me shumë qejf, si një “qershi mbi tortë”. Sepse Kushtetuta nuk ia ndalon rizgjedhjen për herë të tretë, se miratimi i saj është bërë pasi Berisha ishte zgjedhur një herë në krye të Presidencës. Pavarësisht nga kjo, Berisha këtë radhë synon t’i afrojë Metës më shumë hapësirë në Këshillin e Ministrave, duke i premtuar se do të jetë korrekt në mbajtjen e premtimeve paraprake. Duket sikur Meta po noton aktualisht në një anije të shpejtë që do ta gjejë limanin në mënyrë të padiskutueshme, ndërsa Rama e Berisha po ecin në anije të minuara, ku në rast humbjesh njëri prej tyre duhet të largohet. Deri tani askush prej tyre nuk është larguar, pas humbjeve, por të paktën është e sigurt se njeri prej tyre do të rrezikohet për të marrë derën e daljes. Dhe i vetmi që mund t’i shpëtojë nga kjo situatë është kamerdarja e LSI-së.

Pitella tha se cikli i qeverisjes së djathtë ka mbërritur në fundin e tij

 “Është pikërisht ky momenti, kur Edi Rama dhe Ilir Meta mund t’i hapin rrugën një transformimi të pabesueshëm, politik, ekonomik dhe social të Shqipërisë. Cikli politik i qeverisjes së djathtë në Shqipëri ka marrë fund. Shqipëria ka nevojë urgjente për ndryshim. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duhet të qëndrojnë bashkë në këto zgjedhje për t’u dhënë shqiptarëve mundësinë shqiptarëve ta bëjnë të mundur ndryshimin përmes votës së tyre”, deklaron zv.presidenti i PE-së.

Në fund të deklaratës së tij, përfaqësuesi i të majtëve në PE, u shpreh shpresëplotë se koha e kufizuar që mbetet për të marrë një vendim të madh historik do të përdoret ashtu siç duhet për të hapur një kapitull të ri për të Majtën Shqiptare dhe Shqipërinë.

“Bashkimi Europian ka nevojë për Shqipërinë dhe Shqipëria ka nevojë për Bashkimin Europian. Mos e humbni këtë shans historik!”, përfundon zoti Pitella.

Të shtunën Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev iu drejtua me të njëjtin apel udhëheqësve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në prag të zgjedhjeve të majtët europianë kanë rritur presionin duke kërkuar që Rama dhe Meta të tejkalojnë diferencat dhe të bashkohen në zgjedhjet e 23 Qershorit.

 Aleatët

Aleatët e PS nuk e dëshirojnë Metën, brenda koalicionit, sepse LSI u merr atyre numrin e votave, si parti e dytë, pas llogarive që do të bëhen. Për këtë arsye Gjinushi, e Milo janë shprehur disa herë me nervozizëm, për bashkëpunimin me Metën. Nga ana e tyre edhe aleatët e PD-së humbasin vota me ardhjen e Metës, por më në fund, ata fitojnë të drejtën për të mbajtur postet e zëvendësmistrave nëse ky koalicion mban maxhorancën dhe pushtetin.