Parlamenti Blindohet me tela me gjemba si garnizon ushtarak

489
Sigal

Kuvendin rrethohet me tela e gjemba, blindohet si garnizon ushtarak.

Parlamenti, jashtë protesta, brenda betohen mercenarët. Opozita vazhdon betejën për të larguar qeverinë e Rilindjes

 

Jakup B. GJOÇA

Dje, më në fund, Kuvendi publikoi edhe orën, se kur do të mblidhet Kuvendi në seancën plenare, ndoshta e detyruar nga akuzat e opozitës, që Kuvendi shkel ligjin për mosnjoftimin e fillimit të seancës plenare, e trembur nga protestat. Paniku dhe frika e mazhorancës ndaj protestës u “zyrtarizua” edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, ku deputetët i kërkuan nga  ministri i Brendshëm, garanci për sigurinë fizike të deputetëve socialistë, nga sulmet e mundshme të protestuesve. Grupi Parlamentar i PS-së, tashmë është vetë Kuvendi, derisa aty u zbardh edhe rendi i ditës të punimeve të seancës plenare, ku u tha se sot do të betohen në Parlament edhe 4 deputetët e rinj, të cilët pranuan të marrin mandatet e braktisura nga opozita. Madje, ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali dje deklaroi se kryeministri Rama do të formojë edhe “Opozitën e Re”, ku deputetëve të kësaj opozite të re, do t’u kërkohet të bashkojnë votat me socialistët për të votuar disa ligje për ndryshime kushtetuese, sikurse e drejta e votës emigrantëve.

Ja çfarë do të diskutohet sot në seancën plenare të Parlamentit

Kuvendi do të mblidhet sot në seancë plenare, në orën 10:00, ndërsa opozita ka paralajmëruar zhvillimin e protestës së radhës. Rendi i ditës së punimeve të Parlamentit përfshin diskutimin e disa pr/ligjeve, ndërsa në pikën e fundit të rendit të ditës është projektvendimi për zgjedhjen e 3 anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së. Gjatë seancës pritet të bëhet betimi i 4 deputetëve të rinj, nga radhët e LSI-së, të cilëve sot iu dha mandate i deputetit.

Garda vendos shkallë për të larguar deputetët

Garda ka montuar një shkallë e cila pritet të përdoret për hyrje- daljet e deputetëve nga kalaja e Tiranës, ndërsa një tjetër masë nga policia është dhe vendosja e telit me gjemba në hyrje të parlamentit, me qëllim parandalimin e protestuesve nëse do ketë thyerje të kordonit të policisë. Garda dhe policia gjithashtu kanë rrethuar me rrjeta teli dhe godinën e kryeministrisë, për ti paraprirë ndonjë zhvendosje të mundshme, siç ndodhi dhe gjatë protestës, që deputet e opozitës dorëzuan mandatet. Në protestë pritet të angazhohen mbi 1000 punonjës policie të cilët do të krijojnë një kordon më të gjerë se gjatë protestave të tjerë, me qëllim ruajtjen e godinës së parlamentit, ndërsa një mundësi nga policia është dhe bllokimi i pedonales deri tek ministria e Brendshme.  Policia e Shtetit dhe Garda e Republikës po e blindojnë Parlamentin në një garnizon ushtarak, nga frika e protestuesve.

Vendosen në shesh kamera për të monitoruar protestuesit

Dy ditë para protestës së paralajmëruar nga opozita, para parlamentit Policia e Shtetit ka instaluar në gjithë zonën 6 kamera sigurie me rezolucion të lartë, të cilat janë të vendosura në vende të ndryshme të sheshit për të mundësuar identifikimin e protestuesve me anë të zmadhimit. Tre kamera sigurie janë vendosur në mes të sheshit para parlamentit dhe rrugës që të çon tek monumenti i Ushtarit të Panjohur, për monitorimin e protestuesve që vijnë nga sheshi “Skënderbej” dhe ata që vijnë nga pedonalja e Tiranës. Një tjetër kamera është vendosur në një pallat që mundëson panoramë të qartë të gjithë sheshit para parlamentit, ndërsa një tjetër është vendosur në hyrje të Kuvendit, vend ku do të vendosen dhe kordonët e policisë

Kryeministria rrethohet me rrjetë teli

Rrethohet me rrjetë teli bulevardi para Kryeministrisë. Njësoj është vepruar edhe me një pjesë përpara Piramidës.

Basha: Nuk ka për të pasur fasadë opozitë! Nesër të gjithë në protestë!

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen sot,  në orën 10:00 në protestën e paralajmëruar përpara Kuvendit. Ai është shprehur me bindje se nuk do të ketë fasadë opozitë, siç e cilësoi ai grupin e deputetëve të rinj që kanë pranuar të marrin mandatet e djegura nga opozita. Lulzim Basha: Beteja vazhdon dhe do të vazhdojë ditë për ditë, si në aksionin qytetar, në protesta, ashtu edhe në rrugëtimin tonë të shpresës, të alternativës dhe të nesërmes që shqiptarët do të kenë. Nuk ka për të pasur fasadë opozitë, orët e këtij sistemi kanë nisur të numërohen mbrapsht, më 16 shkurt dhe nesër është një ditë tjetër për të treguar që shqiptarët janë të vendosur të marrin atë që ua kanë vjedhur, të drejtën e sovranit për të përcaktuar vetë qeverinë, parlamentin dhe për t’ua hequr një herë e mirë nga dora, krimit të organizuar dhe oligarkëve që sot përfaqësohen dhe mbrohen nga Edi Rama.

Rama “arratiset” drejt Italisë, kërkon të sqarojë mediat italiane për akuzat ndaj qeverisë së tij

Sot Kuvendi mblidhet në seancë plenare, ndërkohë, që opozita do të organizojë sërish një protestë të madhe, përpara sallës së Kuvendit.  Por, kryeministri Rama ka vendosur sërish të largohet. Media italiane “La Rampa”, raporton  se Rama do të jetë në Itali, ku do të zhvillojë takime me gazetarë.  Mendohet se Rama do të shpjegojë për gazetarët italianë, se situata në Shqipëri, nuk është ashtu siç e kanë raportuar disa media italiane.

Mjeku analizon gazin e hedhur ndaj qytetarëve në Tiranë: Është lëndë helmuese

Mjeku Ardian Jorgji ka analizuar, gazin lotsjellës të hedhur ndaj qytetarëve në dy protestat e fundit në Tiranë.  “Është në familjen e lëndëve helmuese. Dikur përdoreshin në luftëra dhe janë ndaluar të përdoren me konventa ndërkombëtare. Qëllimi i tyre është të bëjë viktimën, në rastin konkret masën, inaktive, të pafuqishme”, tha Ardian Jorgji thekson se, “çdo person reagon në mënyrë të ndryshme, nga individi në individ”, dhe pasojat mund të jenë nga irritimi i lëkurës deri në vdekje. “Kushdo që e ka marrë përsipër këtë, nuk e ka bërë me zemër të qetë”, tha mjeku Jorgji.