Paratë në makinën e Sotës, PD zbulon prova të reja kundër Tahirit

605
Opozita vazhdon të publikojë dokumente, lidhur me skandalet e njëpasnjëshme që po shoqërojnë drejtësinë, si dhe për ndërhyrjet e Ramës në sistemin e drejtësisë
Nga selia e Partisë Demokratike, deputeti Enkelejd Alibeaj nxori një dokument që, sipas tij, vërteton se biznesmeni nga Elbasani Orest Sota nuk kishte mundësi të bënte biznes me Kurum. Sipas tij, 863 mijë eurot e gjetura në makinën e Sotës bashkë me patentat vërtetojnë edhe njëherë akuzat e ngritura nga opozita edhe më herët, se paratë i takonin ish-ministrit Tahiri. Alibeaj tha se dispononte një dokument gjykate që i përket muajit qershor të vitit 2017, sipas të cilit Jusuf Kurum e kishte të ndaluar transaksionin, cash apo edhe nëpërmjet bankës për shkak se kishte shpallur falimentimin.

“Partia Demokratike disponon fakte të reja, që provojnë se Orest Sota ka penguar drejtësinë, duke mos thënë të vërtetën për pronësinë e 863 mijë eurove, të kapura në makinën e përdorur prej tij bashkë me patentat e Saimir Tahirit. Versioni i tij, se me 863 mijë euro do të blinte hekur tek Kurum është një mashtrim për të mos treguar, se paratë ashtu si patentat, i përkasin Saimir Tahirit. PD disponon dokumentet e gjykatës së qershorit 2017 se administratori Jusuf Kurum, e kishte të ndaluar çdo transaksion cash apo nëpërmjet bankës për shkak të procedurave të falimentit të kompanisë. Sipas dokumentit të depozituar më 3 gusht 2017 në Qendrën Kombëtare të Biznesit, çdo transaksion mbi 20 milionë lekë i administratorit Jusuf Kurum do të ishte i pavlefshëm. Kjo do të thotë se Orest Sota e kishte të pamundur të bënte biznes me Kurum, me shifrën e 863 mijë eurove, pak më shumë se 1 milionë dollarë”, u shpreh Alibeaj.

Më tej ai theksoi se Partia Demokratike nuk ka pasur dyshim, që prej fillimit, se paratë i përkasin Saimir Tahirit, i cili, sipas tij, po vazhdon përpjekjet për të fshehur provat që e akuzojnë për trafik ndërkombëtar narkotikësh. “Ne dyshojmë se këtë qëllim ka pasur edhe udhëtimi i tij i mistershëm në Gjermani. Faktet e publikuara në media, provojnë se versioni i hedhur prej Tahirit, se po i qëndronte afër të atit për arsye shëndetësore, nuk qëndron. Babai i Saimir Tahirit, ka hyrë dhe ka dalë nga Shqipëria, përpara largimit të Saimir Tahirit në Gjermani”, shtoi ai. Në deklaratën e tij Alibeaj hedh sërish akuza ndaj kryeministri Rama, se po bën gjithçka për të mbrojtur ushtarët e tij, të lidhur me krimin dhe drogën. “Publikimi në media i pohimit të Ramës, para deputetëve socialistë, se gjetja e patentave në makinën e Sotës nuk është një fakt, për të cilin Tahiri duhet të shqetësohet, është mesazh për pengimin e drejtësisë. Edi Rama po e pengon drejtësinë edhe me rastin e Vangjush Dakos, i cili është regjistruar gjatë zgjedhjeve, duke u premtuar tenderë kriminelëve më të rrezikshëm të Durrësit në këmbim të blerjes së votave. Heshtja e kryeministrit të vendit, për përfshirje në krimin e rëndë të trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe blerjes së votës në shkëmbim të tenderëve të dy bashkëpunëtorëve të tij, Tahiri dhe Dako, ka një qëllim: Të fitojë sa më shumë kohë derisa ta kapë plotësisht Prokurorinë. Edi Rama po u jep atyre mbrojtje politike nga drejtësia, sepse, gjithçka dhe të gjithë, lidhen me Edi Ramën”, tha Alibeaj.
Sigal