Paralajmërimi i Bashës: Kryeprokurori politik i Ramës do të destabilizojë vendin

420
Kryetari i Partisë Demokratike pas mbledhjes së grupit të PD për protestat që do të mbahen të hënën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, deklaroi në një konferencë për shtyp se kryeministri Rama po shkel me këmbë Kushtetutën.
Ai tha se e vetmja arsye se pse kreu i qeverisë uzurpoi në mënyrë të dhunshme kompetencat që Kushtetuta ia jep Këshillit të Lartë të Prokurorisë, është për të zgjedhur një kryeprokuror politik, që do të pastrojë provat që implikojnë atë dhe qeverinë e tij në trafiqet e drogës.
“Të hënën do të emërohet një kryeprokuror politik. Ky është fundi i shtetit në Shqipëri. Kushteta ka si qëllim ndalimin e abuzimit të pushtetit. Kushtetuta ja ndalon partisë në pushtet të zgjedhë kryeprokurorin e përgjithshëm. Por Rama uzurpoi kompetencat e Kushtetutës. Kjo është e parapërgatitur me një qëllim.
Saimir Tahiri është nën hetim në Shqipëri e Itali për trafik droge. Krahu i djathtë dhe nën mbrojtje të Edi Ramës, po ashtu edhe shumë krerë policie. Vangjush Dako po ashtu ka siguruar vota nëpërmjet kriminelëve
Të hënën do të emërohet një Prokuror i Përgjithshëm politik, pa veting, nga politikanë të korruptuar dhe të inkriminuar.
Dhjetëra zyrtarë janë të përfshirë në skema korrupsioni, e ka biznesmenë e qytetarë që kanë fakte dhe janë të gatshëm të dëshmojnë kundra tyre.
Rama dhunoi kushtetutën për të zgjedhur një kryeprokuror politik, që ka si mision zhdukjen e provave që implikojnë Ramën e qeverinë e tij.
Tani Rama ka humbur çdo kontroll e nuk do ndalet më në rrugën e tij shkatërrimtare. Por autokratët i pret gjithnjë i njëjti fund. Por ne s’do të tolerojmë e as do të falim as Ramën, as Tahirin, as Dakon, as Balilajt. Nuk ka prokuror politik që t’i shpëtojë. Ajo që po ndodh në Shqipëri është mënyra se si shkatërrohet një vend, duke toleruar të keqen për ditë nga pak.
Nëse vazhdohet kështu, Shqipëria nuk do të ketë të ardhme. Është detyrë e qytetarëve t’i dalin përballë krimit në politikë. Është detyra jonë të ndalim politikanët e papërgjegjshëm. Edhe partnerët tanë duhet të kuptojnë,” tha Basha.
Fjala e plotë
Pas tre vjetësh përpjekje për reformën në drejtësi rezultati është ky:
Të hënën do të emërohet një Prokuror i Përgjithshëm politik, pa veting, nga politikanë të korruptuar dhe të inkriminuar.
Ky është fundi i Kushtetutës dhe i shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Kushtetuta ka një qëllim të rëndësishëm në çdo shoqëri: të ndalojë abuzimin e pushtetit duke ju ndaluar politikanëve veprime të caktuara. Kushtetuta e Shqipërisë ja ndalon partisë në pushtet që të vendosë për Prokurorin e Përgjithshëm. Askush dhe asgjë nuk mund ta ndryshojë këtë.
Por Edi rama uzurpoi në mënyrë të dhunshme kompetencat që Kushtetuta ja jep Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Farsa që shqiptarët po shohin në Kuvendin e Shqipërisë është e paramenduar dhe e parapërgatitur me qëllim të caktuar. Për ta kuptuar këtë qëllim duhet të shikojmë gjendjen ku ndodhet Edi Rama dhe njerëzit e tij më të afërt.
Saimir Tahiri është nën hetim në Shqipëri dhe Itali si një nga drejtuesit kryesorë të trafikut të drogës nga Shqipëria në Sicili, gjatë kohës që ishte ministër i brendshëm, krahu i djathtë dhe nën mbrojtjen e Edi Ramës. Po ashtu, dhjetra drejtues të lartë policie janë në hetim për trafik droge, për të cilët Edi Rama ka qenë i mirinformuar.
Vangjush Dako është nën hetim si bashkëpunëtor me krimin e organizuar, përfshi përdorimin e kriminelëve për të siguruar vota për Edi Ramën. Kompania e Qazim Sejdinit është në hetim për trafik droge dhe ai vetë është i dyshuar për aktiviett kriminal. Dhjetra ish-deputetë dhe deputetë dhe drejtues të PS-së kanë lidhje me drogën dhe i pret hetimi.
Nga ana tjetër, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Ilir Beqaj dhe dhjetra qeveritarë të tjerë janë të përshirë në skema masive korrupsioni dhe zhvatjen të pasurive të vendit, duke paralizuar krejtësisht ekonominë dhe investimet në vend. Ka fakte pa fund dhe ka biznesmenë dhe qytetarë që kanë fakte dhe janë të gatshëm të dëshmojnë kundër tyre, para një drejtësie të paanshme.
Piërisht, tani që laku i drejtësisë filloi të shtërngohet në qafën e Edi Ramës ai vendosi që të dhunojë Kushtetutën për të zgjedhur një prokuror politik, që do të ketë vetëm një mision: të zhdukë të gjitha faktet që lidhin Edi Rama me drogën dhe krimin dhe të shpëtojë të gjithë kriminelët dhe qeveritarët e korruptuar që ekspozojnë Edi Ramën.
Prokurori politik i Edi Ramës do të përpiqet të zvarrisë, të pengojë dhe të devijojë hetimet për Saimir Tahirin, Vangjush Dakon, Qazim Sejdinin, Habilajt, Balilajt etj dhe për të shmangur hapjen e hetimeve për Damian Gjiknurin, Arben Ahmetajn, Ilir Beqajn dhe hajdutët e tjerë të Edi Ramës.
Kapja e Prokurorit është një akt që do të shkatërrojë drejtësinë në vend, do të shkatërrojë procesin politik demokratik dhe do të destabilizojë vendin. Shqipëria po sakrifikohet për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Edi Ramës dhe njerëzve të tij, dhe për të kënaqur etjen për pushtet dhe karrierë të patericave që e mbajnë Edi Ramën ende në këmbë.
Dy muaj më parë paralajmërova se Edi Rama do zhytet gjithnjë e më shumë në krim për të mbrojtur veten dhe kjo po vërtetohet çdo ditë. Tani Edi Rama ka humbur çdo kontroll dhe nuk do të ndalet më në rrugën e tij shkatërruese.
Ai do t’i sjellë kosto të larta vendit, por fundi i tij është i vulosur. Autokratët e kriminalizuar si ai kanë vetëm një fund.
Ata që mendojmë se ne do të tolerojmë një kryeministër të lidhur me krimin që të sakrifikojë Shqipërinë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë e kanë gabim. Ne nuk do tolerojmë dhe as nuk do të falim. As Edi Ramën, as Saimri Tahirin, as Vangjush Dakon e as Habilajt, Balilajt dhe Xhafajt. Nuk ka prokuror politik që mund t’i shpëtojë.
Unë ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve të kuptojnë se ajo që po ndodh në Shqipëri është mënyra se si shkatërrohet një vend: duke toleruar të keqen për ditë e nga pak. Fillimisht u toleruan kriminelët në Kuvend, pastaj u tolerua droga dhe trafiqet, pastaj u toleruan politikanët që u kthyen në kriminelë si Saimir Tahiri dhe Vangjush Dako, pastaj u tolerua vjedhja dhe blerja e zgjedhjeve. Mbi të gjitha u tolerua Edi Rama me të gjitha të këqijat që po sjell vendit.
Nëse vazhdohet duke toleruar të keqen, Shqipëria nuk do të ketë të ardhme. Është detyra e të gjithë qytetarëve t’i dalim përballë krimit në politikë. Është detyra jonë të ndalim politikanët e papërgjegjshëm që janë gati të sakrifikojnë vendin për pushtet.
Unë sot shpresoj se edhe partnerët tanë të kuptojnë shpejt një të vërtetë të madhe. Arsyeja e rritjes së emigracionit të paligjshëm shqiptar dhe e krimit shqiptar në vendet e BE është politike: tolerimi dhe mbështetja që Edi Rama i ka bërë drogës dhe krimit, e cila ka forcuar krimin dhe i ka cuar shqiptarët në dëshpërimin për ta kërkuar të ardhmen diku tjetër. Emigracioni i paligjshëm dhe krimi nuk ndalen me masa teknike, por me zgjidhje politike: pastrimi i politikës nga krimi, që shqiptarëve t’u kthehet besimi tek vendi i tyre.
Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj nuk do luftojnë kurrë krimin sepse janë të kapur prej tij. Nëse doni që të mos ketë emigrantë të paligjshëm dhe grupe kriminale shqiptare në Francë, Britani, Hollandë e kudo në BE ka vetëm një rrugë: nxjerrja para drejtësisë e Saimir Tahirit, Vangjush Dako, Qazim Sejdninit, Habilajve dhe Balilajve dhe largimi i Edi Ramës nga pushteti.
Të hënën është detyrë e cdo qytetari që beson tek demokracia, që do të ndërtojë jetën në këtë vend dhe të mos shkojë refugjat, që do të jetojë me dinjitet dhe jo me lëmoshën e narkoqeverisë, të bashkohet me protestën tonë para parlamentit.
Të hënën opozita parlamentare nuk do të lejojë të kthehet në fasadën e pushtetit të krimit, ndaj ftoj cdo qytetar që të mos qëndrojë spektator, por t’i bashkohet protestës tonë.
Sigal