Paralajmërimi i Bashës: Doda përjashtohet nëse thyen bojkotin

485
Sigal

TIRANE – Kryetari i opozitës Lulzim Basha paralajmëron përjashtimin nga partia të çdo deputeti demokrat që del kundër vendimit të tij politik duke thyer bojkotin parlamentar.
 
I pyetur në ‘Top Story’ për rastin e deputetes Mesila Doda, një zë kritik brenda PD-së e cila gjithmonë ka dalë hapur kundër bojkotit të opozitës, Basha tha se nëse nuk i përmbahet vendimit të PD, ‘bëhet ajo që bëhet në çdo parti’.
 
Pak ditë më parë deputetja Doda ndërsa dorëzoi në Kuvend draftin e ligjit të Lustracionit, tha se do të jetë në parlament për të mbrojtur nismën e hapjes së dosjeve, por njëherësh i bëri apel edhe kolegëve të saj demokratë të thyejnë bojkotin.
 
Pjese nga intervista e kreut te PD Lulzim Basha

Thatë që keni një parti të rinovuar por jo të tjetërsuar. Këto ditë ka patur një deklaratë të kryetarit të grupit parlamentar Edi Paloka ndaj deputetes Mesila Doda për ligjin e lustracionit. Ajo u quajt “marionetë e Edi Ramës”. Besoj se këtë deklaratë e keni mriatuar edhe ju? 
Nëse unë nuk bie dakord me një linjë editoriale të një deputeti, reagoj sepse jam kryetari. Zoti Paloka nuk i është drejtuar asnjë personi në veçanti. Ai ka bërë një deklaratë politike ndaj dyshes Rama-Meta, që thotë se do hapë dosjet, por që ka sjellë në pushtet elementë të diktaturës. Deklarata e tij ka qenë politike. Unë i qëndroj faktit se çdo deputet i PD duhet të respektojë vendimin politik të PD. 

Po nëse nuk e bën?
Bëhet ajo që bëhet në çdo parti. 

Do të thotë që zonja Doda do përjashtohet?
Unë jua thash. Çdo deputet duhet të ketë raport me vendimet e PD.