Paradoksi i reformës në drejtësi/ Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori dhe Kryeinspektori do të emërohen pa vetting, ndërkohë që u shkarkuan me “ceremoni”

426
Sigal

Zbatimi i Reformës në Drejtësi me 2 standarde, për të hequr qafe të padëshiruarit dhe për të emëruar të preferuarit

Paradoksi: Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Kryeprokurori dhe Inspektori i Lartë mund të emërohen …pa vetting

Jakup B. GJOÇA

Reforma në Drejtësi po zbatohet me 2 standarde. Qëllimi është që me makinacione e procedura (ligjore) të hiqen qafe gjyqtarët dhe prokurorët e padëshiruar dhe të emërohen gjyqtarë e prokurorë, por më kryesorja, të zgjidhen drejtuesit e institucioneve të reja të drejtësisë gjyqtarë e prokurorë (edhe juristë) të preferuarit e shefit të pushtetit Ekzekutiv.

Reforma në Drejtësi – masha për të kapur drejtësinë

Është e ditur, që qysh në fillim, sapo u vendos që do të kryhej reforma në drejtësi, u arrit një marrëveshje konsensuale midis palëve politike, që hartuesit e reformës së re në drejtësi për një periudhë kohore 9 vjeçare nuk do të marrin asnjë post drejtues në institucionet e reja të drejtësisë. Marrëveshja e dytë konsensuale ishte që të gjithë anëtarët e Gjyqësorit dhe të institucioneve të drejtësisë do t’i nënshtroheshin vettingut. Mirëpo, të dyja këto marrëveshje konsensuale politike u zhbënë, derisa Ibrahimi, një nga hartuesit e reformës së Drejtësisë u emërua kryetar i KLP. Vettingu filloi të zbatohej nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, ku rezultatet janë të ditura. Sot nuk kemi më Gjykatë Kushtetuese, derisa të gjithë anëtarët, si edhe kryetari i saj, Bashkim Dedja janë përjashtuar nga sistemi Gjyqësor. Të shumta janë denoncimet dhe animimet ndaj procedurave me 2 standarde që janë zbatuar në vetting, ku disa gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar e përjashtuar, edhe pse nipi ka qenë i dënuar për 2 gram hashash, ndërsa “miliarderët” dhe hetuesit e Komunizmit janë sot edhe në KLP. Madje, shumë gjyqtarë e prokurorë, të cilët ishin kandidatë për institucionet e reja të drejtësisë, që u përjashtuan, u janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, dhe, në rast se ata do të marrin drejtësinë nga kjo Gjykatë, atëherë, gjithë procedura e vettingut mund të hidhet në erë, sepse të përjashtuarit e vettingut, por të fituarit e Gjykatës së Strasburgut do të kenë të drejtën kushtetuese të rimarrin pjesë në garat për në institucionet e drejtësisë, të përjashtuar (ndoshta padrejtësisht?).

Makinacioni,  anëtari i Gjykatës  Kushtetuese, kryeprokurori dhe kryeinspektori do të emërohen pa kaluar në vetting

Kandidatët jashtë magjistraturës për Gjykatë Kushtetuese, Kryeprokuror dhe Inspektor të Lartë të Drejtësisë nuk do t’i nënshtrohen hetimit administrativ të komisioneve të vettingut, por do të vlerësohen nga KLP dhe KED bazuar në raportet e institucioneve mbështetëse mbi shtyllat e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Kryeprokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, e cila e kaloi vettingun në vitin 2018, pritet të jetë kandidate për t’u zgjedhur në krye të organit të akuzës nga KLP. Sipas ligjit vetëm kandidatët që vijnë nga magjistratura dhe kandidojnë për pozicione të larta si Prokurori i Përgjithshëm, anëtar i Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektor i Lartë i Drejtësisë, do t’i nënshtrohen hetimit administrativ të thelluar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Për kandidatët e tjerë juristë, të cilët nuk gëzojnë statusin magjistrat, procesi i filtrimit do të udhëhiqet Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi – dy institucione krerët e të cilëve e pranojnë që nuk i kanë mjetet dhe përvojën për një hetim të thelluar administrativ të pasurisë, profesionalizmit dhe figurës. Ndryshe nga KPK që ndërmerr një hetim të thelluar dhe të pavarur, vlerësimi i kandidatëve nga KED dhe KLP do të mbështetet gjerësisht në raportet e prodhuara për subjektet nga institucionet mbështetëse, si ILDKPKI dhe DSIK. Por fakti që përvoja e deritanishme e hetimeve të KPK-së ka treguar se raportet e këtyre institucioneve kanë qenë shpesh të pasakta, ngre shqetësimin se filtrimi kandidatëve për postet më të larta të ‘drejtësisë së re’ do të bëhet me dy standarde – një të ashpër për magjistratët dhe një standard më të dobët dhe të pabesueshëm për të gjithë juristët e tjerë.

Nuk do të ketë vetting

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi kanë miratuar tashmë rregulloret për vlerësimin e kandidatëve dhe renditjen e tyre sipas një sistemi pikëzimi, që ka në thelbin e vet shtylla të ngjashme me ato të procesit të vettingut, të tilla si vlerësimi pasuror, integriteti i figurës apo vlerësimi profesional. Megjithatë, jo të gjithë kandidatët që garojnë për timonin e institucioneve të drejtësisë do të kalojnë nëpër filtrat e institucioneve të vettingut. Sipas rregulloreve të miratuara për vlerësimin -një përkthim i detajuar i legjislacionit në fuqi, vetëm kandidatët magjistratë do t’i nënshtrohen verifikimit të plotë të pasurisë dhe figurës nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Ndërkohë, barra e verifikimit pasuror dhe e pastërtisë së figurës për kandidatët nga radhët e juristëve bie mbi anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Nuk do të bëjmë vetting,” tha Ardian Dvorani, kryetar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për BIRN, pas pyetjes nëse kishin kapacitete dhe ekspertizë për kryer vlerësimin pasuror dhe verifikimin e figurës për kandidatët jo-magjistratë. “Por nisur nga standardi i vendosur tashmë me vettingun, ne i kemi lënë vetes një dritare për të kërkuar më shumë të dhëna nga institucionet e ngarkuara nga ligji si dhe për të kryer kontroll të dyfishtë,” shtoi Dvorani dhe shpjegoi se detyra e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do të verifikojë kushtet ligjore për promovimin në detyrë, ndërkohë që vlerësimi i pasurisë dhe i figurës do të bazohet mbi raportet e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Shërbimit Informativ Shtetëror apo institucionet e tjera financiare në vend.