Paraardhësi i Çakos: Largimi ishte i pritshëm, çdo ministër kërkon të ketë drejtorin e vet

448
Sigal

Një nga paraardhësit e Haki Çakos e cilëson të pritshëm largimin e tij nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm.

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Fadil Canaj, i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku, tha se kur më shumë se gjysma e drejtuesve të policisë vendore ishin shkarkuar, detyrimisht edhe largimi i Çakos ishte i pritshëm.

Por Canaj shtoi se largimi i Haki Çakos nuk ishte lajm i mirë. ;Me përjashtim të Bajram Ibrajt, të gjithë ne drejtorët e policisë së shtetit nuk e kemi mbaruar mandatin. Na ka emëruar politika, por po kjo politikë na ka larguar nga detyra dhe kjo nuk është gjë e mire’, tha ai.

Canaj shkoi edhe më tej kur tha se në Shqipëri punët nuk shkojnë normalisht. “Çdo ministër kërkon të ketë drejtorin e vet të policisë”, tha ai. Ndërkohë Fadil Canaj shprehu mendimin e tij edhe se si duhet të zgjidhet drejtori i ri i policisë.

I pyetur nga gazetari Qafoku se nëse kryeministri do ti kërkonte një këshillë se si duhet ta zgjidhej Canaj tha: Kam vetëm një këshillë për Edi Ramën. Drejtorin e ri duhet të zgjedhë të mbështetur vetëm në ligj. Në të përcaktohet qartë dhe ai duhet të jetë oficer policie, të ketë kaluar karrierën normale brenda policisë, të jetë i pastër moralisht, i papërfolur dhe të zbatojë ligjin.

Ndërkohë në media janë përfolur deri tani dy kandidatura si zëvendësues të Çakos. Ata janë Ardi Veliu, drejtor aktual i Policisë së Tiranës dhe Eduard Merkaj aktualisht drejtor i SHÇBA-s.