Paqe në Nju-Jork, Trump takohet me Ramën

593
Kryeministri dhe bashkëshortja pozojnë me çiftin presidencial gjatë pritjes zyrtare në punimet e OKB-së
Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja e tij, Linda, janë takuar dhe fotografuar me çiftin presidencial të Shteteve të Bashkuara, Donald dhe Melania Trump. Në kuadër të pritjes zyrtare në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Trump dhe Rama kanë realizuar edhe foton zyrtare. Vetë kryeministri shqiptar e ka shpërndarë atë në profilin e tij zyrtar, të pashoqëruar me komente të mëtejshme, por vetëm duke e cilësuar si “Foto e Ditës”. Prej zgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-së është hera e parë që ai zyrtarisht realizon një fotografim zyrtar me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, ndërsa të dy personalitetet kanë qenë pjesëmarrës edhe në Samitin e fundit të NATO-s, ku mungoi një shtrëngim duarsh në publik. Gjatë fushatës elektorale në Shtetet e Bashkuara, Rama u shpreh kritik për mundësinë e zgjedhjes së Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Veçanërisht brenda vendit, Rama u kritikua për etiketimet ndaj Donald Trump, ndërsa ai është mbrojtur duke thënë se bëhej fjalë për qëndrimin e tij ndaj kandidatit republikan dhe jo ndaj Presidentit të Shteteve të Bashkuara. Por duket se udhëtimi në Nju-Jork për punimet e Asamblesë së OKB-së ka qenë edhe momenti për të bërë paqe. 

Debati në OKB
Konfliktet në mbarë botën dhe reformimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara me qëllim përballjen me to janë temat kryesore të diskutimit në Asamblenë e Përgjithshme që po zhvillon punimet në Pallatin e Qelqtë në Nju-Jork. Në këtë drejtim, Shqipëria, përmes ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati ka shprehur mbështetjen për nismën e ndërmarrë nga administrata amerikane. “Situata e sigurisë në botë, me mbi 20 konflikte delikate dhe pasoja për njerëzimin, si dhe nevoja e OKB-së për t’u reformuar janë temat kryesore të Asamblesë. Shqipëria i ka dhënë mbështetje përqasjes së SHBA për ta reformuar organizatën dhe për ta fokusuar atë tek njerëzit dhe nevojat që ata kanë anembanë botës dhe jo domosdoshmërish tek proceset, si një kundërpërgjigje ndaj burokracive herë herë të tmerrshme që organizata ka”, ka deklaruar Bushati. Në këtë drejtim, ai ka vlerësuar orientimin e qeverisë shqiptare për luftimin e burokracive në institucionet shqiptare. “Më vjen mirë që qeveria e kryeministrit Rama ka një përputhje të qartë, sa i përket luftës së burokracisë dhe reduktimit të saj, me atë çka vetë OKB dëshiron të bëjë në një të ardhme jo të largët”, ka shtuar Bushati.
Çfarë deklaroi kryeministri
Kryeministri Edi Rama tha në mars 2016 se “nëse Donald Trump zgjidhet president, është fatkeqësi vetëm e shtetit amerikan”. Deklarata e kryeministrit është bërë në emisionin “Zululand”, ku ai foli për rrezikun e terrorizmit dhe krizën e refugjatëve. “Trump dëshiron të fitojë me çdo kusht duke “blerë” kapitalet njerëzore edhe duke i cilësuar myslimanët terroristë. Mjafton të dalë një person të flasë kundër myslimanëve dhe të gjithë emocionohen, duke krijuar ngazëllim te Maria Le Pen në Francë apo të tjerë që nuk përfaqësojnë vlerat tona të përbashkëta evropiane. Donald Trump do të jetë një fatkeqësi për amerikanët, nëse zgjidhet”, tha kryeministri. Rreth një muaj më pas, në një intervistë për gazetarin e njohur të CNN, Richard Quest, Rama tha se “deklaratat që dëgjohen kohët e fundit nga Trump janë frikësuese”. Sipas tij, paqja në Ballkan mund të rrezikohet nga idetë dhe qëndrimet që shfaq kandidati republikan për President në SHBA. Teksa Rama fliste, gazetari i tërhoqi vëmendjen duke i kujtuar se është duke folur për zgjedhjet e një vendi tjetër. “Besoj e dini se etiketa diplomatike, zakonisht do thotë se udhëheqësit e huaj nuk komentojnë mbi zgjedhjet në vendet e tjera”, i tha gazetari.
Sigal