Paqe e heshtur e politikës për hir të hapjes së negociatave

485
Petraq BARJAMI
Në mesprill Komisioni Evropian i përcjell Këshillit të BE-së raportin për zgjerimin e BE-së
Në mesprillin e 2018-s, Komisioni Evropian do t’i përcjellë Këshillit të Bashkimit Evropian një raport për progresin e vendeve kandidate për zgjerimin e BE-së, ku Shqipëria shpreson që më në fund, të marrë dritën jeshile për hapjen e negociatave. Para dy muajsh, Këshilli Evropian në Strasburg miratoi edhe strategjinë e zgjerimit të BE “Perspektiva e besueshme për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor dhe angazhimin më të madh të Bashkimit Evropian në rajon”, ku deri në vitin 2025, BE mund të ketë më shumë se 27 anëtare që ka aktualisht, por shpejtësia e përparimit në këtë rrugë varet nga meritat individuale dhe rezultate konkrete të çdo anëtari në veçanti.

Opozita i jep kohë politike mazhorancës për negociatat 
Monika Kryemadhi, kryetarja e LSI-së para disa ditësh deklaroi se LSI, si parti opozitare i jep kohë maxhorancës, deri në qershor, që të punojë fort për të mundësuar hapjen e negociatave me BE-në për anëtarësimin e Shqipërisë në Familjen Evropiane. Në fakt, opozita pas 27 janarit 2018, nuk ka zhvilluar më asnjë protestë masive kundër mazhorancës. Para disa ditësh kryetari i PD-së Basha dhe kryetarja e LSI-së Kryemadhi bashkërisht zbardhën publikisht planin e përbashkët opozitar. Pavarësisht se nuk u deklarua politikisht nga Basha me Kryemadhi, qartazi u kuptua se opozita do t’i japë kohën politike të mjaftueshme mazhorancës, që të punojë për arritjen e “trenit” të Brukselit, për hapjen e negociatave. Dhe, sipas informimeve që gazeta “Telegraf” ka pranë PD-së dhe LSI-së, Opozita deri në qershor nuk do të zhvillojë protesta masive, nuk do të ketë bojkot të Parlamentit. 

Mazhoranca “ka harruar” detyrat e veta politike të integrimit
Mazhoranca socialiste mban peng gjithë procesin e hapjes së negociatave, edhe pse tani “ timonin” e qeverisjes e ka vetëm kryeministri Rama. Edhe pse kryeministri Rama qeveris 5 vjet, ende nuk ka konkretizuar asnjë nga 5 reformat e integrimit që ka kushtëzuar Bashkimi Evropian, pas dhënies së Statusit Kandidat Shqipërisë. Në Këshillin Evropian, i cili miratoi edhe strategjinë e zgjerimit të BE, deri në 2025-s, Komisioneri për Zgjerimin Johanes Hahn, deklaroi qartazi se zgjerimi i BE-së do të bëhet vetëm për ato vende, të cilat konkretizojnë reformat e integrimit. Kryeministri Rama, para disa ditësh në Bruksel i kërkoi BE-së, që jo vetëm të hapë negociatat, por edhe të pranojë Shqipërinë në BE, pa pritur të realizohen reformat e integrimit, për të balancuar ….ndikimin rus në Ballkan. Shtete të fuqishme të BE-së, sikurse Gjermania i kanë kërkuar Shqipërisë, që pa luftuar krimin e organizuar, nuk ka integrim. Me fjalë të tjera, më të thjeshta, Gjermania, Italia, etj, i kërkojnë kryeministrit Rama, që t’i dorëzojë drejtësisë ish-ministrin Tahiri, i cili akuzohet nga drejtësia italiane për bashkëpunim me trafikantët ndërkombëtarë të drogës. Kapja e 613 kg kokaine në portin e Durrësit, është edhe një provë politike, se ende në Shqipëri nuk luftohet krimi i organizuar. 

Sjellja politike e mazhorancës dhe analogjia e Qarkut të Fierit me Këshillin Bashkiak të Tiranës
Kjo mazhorancë ishte opozita që bllokoi në 2012-2013 procesin e integrimit për marrjen e Statusit Kandidat, duke mosvotuar 3 ligjet, për shkak të çështjes së Kryetarit të Qarkut të Fierit. Ndërsa tani Këshilli Bashkiak i Tiranës, që nga korriku 2017 miraton vendime edhe kur nuk ka maxhorancën, sepse gjykata Administrative e Tiranës ka bërë nul 6 mandate të këshilltarëve socialistë. Rasti më flagrant, është miratimi nga Këshilli Bashkiak i Tiranës i vendimit për të rritur çmimin e ujit në dhjetor 2017, jo vetëm duke mos pasur mazhorancën, pasi 6 këshilltarë socialistë nuk kanë mandat, por edhe duke pretenduar se edhe Enti Rregullator i Ujit e ka miratuar rritjen e çmimit të ujit. Mirëpo Enti Rregullator i Ujit nuk mund të miratojë rritjen e çmimit të Ujit, vetëm për Bashkinë e Tiranës. Nga ana tjetër, siç deklaron edhe Kreu i këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, Kreshnik Çollaku deklaroi në mbledhjen e radhës se çdo votim apo miratim që është marrë nga bashkia para vendimit të Gjykatës së Tiranës, nga korriku 2017, është i paligjshëm.
Sigal