Papunësia dhe krimi po rriten në nivele kritike

398
Sigal

Tiranë, PS dhe Bashkia përplasen për funksionimin dhe problemet në minibashkitë e kryeqytetit

Deputetja socialiste Eglantina Gjermeni gjatë një deklarate për shtyp bëri një pasqyrë të detajuar se çfarë po ndodh në njësitë e kryeqytetit ndërsa ka denoncuar fenomenin e papunësisë që sipas saj po njeh rritje në kryeqytet. Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi nga Bashkia e Tiranës që i ka bërë thirrje PS të heqë dorë nga sulmet por të bashkëpunojë për zgjidhjen e problemeve.  Sipas Gjermenit, PS kërkon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik mbi disa probleme tepër shqetësuese, të cilat po shfaqen gjithmonë e më alarmante.  “Në Minibashkinë 9 në Tiranë, është hequr pagesa për invalidët për muajin Dhjetor, 868 invalidëve të punës, si edhe mbi 500 personave me aftësi të kufizuara (paraplegjikë, tetraplegjikë dhe të verbër), një detyrim shtetëror i sanksionuar me ligj.  Në njësinë 7, banorët kanë më shumë se tre ditë pa ujë, drita apo lidhje telefonike. Ky problem thuhet se vjen nga instalimet e reja të ujësjellësit në këtë zonë.  Pokështu edhe në njësinë Nr. 5, sidomos në zonën e Selitës, mungon energjia elektrike prej 10 ditësh, e po ashtu edhe uji, duke i lënë këta qytetarë në mëshirën e dimrit dhe temperaturave të ulëta të këtyre ditëve. -Në njësinë Nr. 6 mungon po ashtu energjia elektrike, prej shumë kohësh, ndërsa shërbimi është prerë edhe për ata qytetarë që paguajnë. E gjithë njësia po vuan nga papërgjegjshmëria e shtetit, nga paaftësia e tij për të përfaqësuar interesat e qytetarëve, si edhe nga indiferenca e kryebashkiakut të vjedhjeve të mëdha të këtyre viteve”.  Sipas Gjermenit, në të gjithë Tiranën është rritur papunësia dhe krimi po rritet në nivele kritike.  “Problemet e qytetit sa vijnë e shtohen si pasojë mospërfilljes kriminale të pushtetit. Me dy mandate të vjedhur, qeveria qendrore dhe lokale vazhdon të mbetet e shurdhër përpara problemeve dhe nevojave të qytetarëve”. Madje deputetja theksoi se Kryeministri urdhëroi heqjen nga Censusi të kapitullit të papunësisë, për të fshehur se papunësia në vend prek më shumë se 1 milion të papunë.  “Ky është një tjetër skandal madhor që i duhet faturuar këtij pushteti të korruptuar”.

Bashkia e Tiranës: Sulmet politike nuk ofrojnë zgjidhjen e problemeve
Pas deklaratës së sotme të deputetes së PS-së, Eglantina Gjermeni, se problemet e qytetit sa vijnë e shtohen si pasojë e mospërfilljes të pushtetit dhe se qeveria qendrore dhe lokale vazhdojnë të mbeten të shurdhër përpara problemeve dhe nevojave të qytetarëve, reagon Bashkia e Tiranës.  Në një deklaratë për shtyp, Bashkia reagoi duke shprehur zhgënjimin e kthimit të gjuhës së konfliktit dhe sulmeve politike.  “Bashkia e Tiranës dhe Kryetari i saj, Lulzim Basha, gjatë gjithë këtyre ditëve ka ndjekur orë pas ore situatën, në kontakt me komunitetin dhe përfaqësues të tjerë të zgjedhur të tij si dhe kanë ushtruar dhe vazhdojnë të ushtrojnë presion ndaj kompanisë CEZ, për marrjen e përgjegjësive që i takon”, thuhet në një deklaratë të Bashkisë.  Sipas Bashkisë, shërbimi ndaj qytetarëve dhe trajtimi real i problemeve të tyre, duhet të jetë kauzë bashkimi dhe jo përçarje. Sulmet dhe shfaqjet politike nuk kontribuojnë aspak në tejkalimin e problemeve dhe ofrimin e zgjidhjeve.  “Ftojmë Partinë Socialiste dhe Kryetarin e saj, posaçërisht në pozitën e ish – kryetarit të Bashkisë, të japë kontributin e tij, larg sulmeve dhe shfaqjeve politike”, thuhet në deklaratë.