Panik mes emrave që akuzohen nga KLSH, gati fletë-arrestet për zyrtarët

535
Sigal

Raporti i KLSH-së: Mbi 67 ish-zyrtar akuzohen se kanë abuzuar me detyrën

Vetëm dy muaj pas publikimit të raporteve të KLSH-së, ku përmendeshin emrat e dhjetëra zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive, duket se Prokuroria ka gati fletë-arrestet e para. Sipas një burimi për gazetën “Telegraf” nga organi i akuzës mësohet se: “hetimet kanë nisur në disa prej institucione dhe ndërmarrjet nacionale si Porti, Hekurudha, Kantieri Detar, në Arsim e Shëndetësi, si dhe në gjashtë komuna dhe njësi vendore, ku janë konstatuar shkelje flagrante me tendera dhe abuzime dhjetëra e qindra milionëshe”. Kështu  raportimet e KLSH për shkeljet në Portin Detar janë flagrante plus shpërdorimet e bëra gjatë 3 viteve te fundit me qiratë e magazinave dhe territoreve, të cilat nuk dihet se kush i ka dhënë dhe kush i ka firmosur, pasi atje organi i kontrollit nuk ka gjetur asnjë proces-verbal të mbajtur nga komisionet e posaçme. Prej dy muajsh raporti prej 164 faqesh ndodhet në duart e hetuesve dhe prokurorëve të Durrësit, të cilët deri tani kanë zbuluar dhe identifikuar edhe autorët e shpërdorimeve, por natyrshëm lind pyetja; kush i vonon arrestimet e zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve? Një tjetër skandal financiar mbetet edhe ai i konstatuar në tenderët në Arsim, Shëndetësi, Entin e Banesave, për akset rrugore nga komuna dhe bashki, si dhe hekurudhë për shitje vagonësh për skrap etj. Sipas raportit të kontrollit të hartuar nga inspektorët e KLSH gjatë vitit 2013 mësohet se, “shkeljet flagrante akuzojnë mbi 67 persona, ish-zyrtar, të cilët, duke shkelur ligjin kanë abuzuar me detyrën”. Abuzimet konsistojnë në rikonstruksione shkollash, të cilat janë kryer nga firma të caktuara me urdhër nga ish-ministra, dhe të zbatuar verbërisht nga drejtuesit lokalë, të cilët gjatë hetimeve po zbardhin të vërtetën e abuzimit dhe po tregojnë përfituesit e tyre. Fushata antikorrupsion, e nisur me bujë edhe në disa prej institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjet nacionale, duket se deri tani ka rezultuar “shashkë tymuese”,  pasi “ushtarët” kanë zbatuar vetëm urdhrat e “pashallarëve” nga Tirana. Ndërkohë, këta të fundit deri sot as që janë thirrur në procesin e hetimit, apo edhe kur fletë-thirrja u ka vajtur, ata me kapadaillëk kanë sfiduar organin e akuzës. Por, gjithsesi i njëjti burim tha se: “Për disa prej zyrtareve të implikuar në afera të tilla korruptive dhe që u janë vërtetuar përfitime financiare, janë gati fletë-arrestet, të cilat mund të ekzekutohen ndoshta edhe në javën e ardhshme”. Shpërdorime dhe abuzime janë konstatuar edhe në Doganë dhe Tatim-Taksa, ku si masë e parë ishte largimi nga detyra e 13 oficereve tatimorë, mes të cilëve dhe 6 doganiereve me motivin “e shpërdorimit te detyrës”.