Panariti: Sistemi i gjurmimit të flotës së peshkimit cenon sigurinë

186
Ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti përmes një statusi në faqen e tij në Facebook kërkon që sistemi i gjurmimit të flotës së peshkimit të mos lihet në duar te treta, pasi cenon sigurinë kombëtare. Ai thotë se dëmtimi i sistemit Evropian të gjurmimit të peshkimit (Blue Box), veçanërisht pas prillit të 2017 deformoi statistikat, raportonte njëzet herë më pak nga realiteti dhe, çka është më e rëndë, nuk zbulonte vend ndodhjen e anijeve të peshkimit.

Statusi i Edmond Panaritit
Kalimi i sistemit të gjurmimit të flotës së peshkimit në duar të treta, cenon sigurinë kombëtare. Kujdes, kujdes, kujdes me peshkimin!!! Nuk është vetëm prodhim por edhe siguri kombëtare! Kam qenë dhe jam i bindur se peshkimi te ne, ka pasur vazhdimisht rritje. Sepse këtë e tregonte “de facto”, prodhimi dhe tregtia e peshkut në terren. Sepse sektori kërceu edhe falë mbështetjes tonë me subvencione të forta të karburantit për peshkarexha. Por dëmtimi i sistemit Evropian të gjurmimit të peshkimit (Blue Box), veçanërisht pas prillit të 2017-s deformoi statistikat, raportonte njëzet herë më pak nga realiteti dhe çka është më e rëndë nuk zbulonte vend ndodhjen e anijeve të peshkimit. Kujdes! Duhet të analizojmë me shumë përgjegjësi arsyet përpara se të veprojmë për të korrektuar gjendjen. Kujdes! Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjen e masave portuale të kërkuara nga Amerika, për parandalimin e trafiqeve të paligjshme, mungesën e raportimit nga flota dhe pengimin e peshkimit të paligjshëm. Përshëndes qeverinë e cila vendosi të mbulojë me fondet e saj funksionimin e sistemit por ajo nuk duhet të heqë dorë në asnjë mënyrë nga mbikëqyrja dhe administrimi i sistemit…. Përpos të tjerave, kjo do të ishte cenim i sigurisë! Tani që paratë u siguruan, thjesht të vazhdohet me përgjegjësi shtetërore në rrugën e sistemit të instaluar nga Bashkimi Evropian për këtë qëllim.