Panariti pret në një takim kortezie ambasadorin Wollfarth

163

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti, priti dje në takim kortezie kreun e Prezencës së OSBE-së në Tiranë, ambasadorin Eugen Vvolfarth. Gjatë takimit, palët konfirmuan vullnetin reciprok për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes OSBE/ODIHR dhe Shqipërisë, me qëllim konsolidimin e mëtejshëm të demokracisë dhe shtetit ligjor. Ministri Panariti theksoi se reduktimi i numrit të projekteve që OSBE-ja ka në vendin tonë tregon vlerësim për arritjet dhe maturinë demokratike të Shqipërisë. Ai falënderoi Ambasadorin Vvolfarth për kontributin e deritanishëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë sa i përket përforcimit të Policisë së Shtetit, përmirësimit të sistemit gjyqësor, fuqizimit të rolit të shoqërisë civile, etj. Nga ana e tij, ambasadori Vvolfarth shprehu vlerësim për nivelin e bashkëpunimit me institucionet shqiptare. Ai vlerësoi gjithashtu vullnetin e mirë të faktorëve politikë, përsa i përket amendimit të Kodit Zgjedhor.