Sigal

Deputeti i LSI, Edmond Panariti ka reaguar me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, ku thekson se bujqësia sot në Shqipëri po falimenton. Panariti nënvizon faktin se nëse prodhimet tona nuk subvencionohen siç bën BE dhe SHBA, atëherë do të kalben.

Ja statusi i plotë i Panaritit:

Pa para dhe e shtypur nga importet, bujqësia po falimenton! Shqipëria duhet të rishikoje dhe rinegociojë marrëveshjen e tregtisë së lirë të cilën e firmosi “qorrazi” në fund të viteve 90-të. Patjetër dhe sa më parë! Duke insistuar në aplikimin e masave “anti dumping” te parashikuara edhe nga CEFTA. Përndryshe prodhimet tona të cilat nuk subvencionohen siç bën BE dhe Amerika do të kalben! Fermat do mbyllen dhe fshati do braktiset! Ja si vepron Zvicra për prodhimet e saj. Në Zvicër për 100 kg luleshtrydhe jashtë sezonit, importuesit paguajnë 3 franga, ama sapo fillon prodhimi vendas, tarifa shkon ne 510 franga. Dhe importi ndalet deri sa të shitet edhe kokrra e fundit e luleshtrydhes “Swiss Made”. Po kështu qepa në Zvicër jashtë sezonit tarifohet 2,9 franga, por sapo del prodhimi vendas tarifa e importit shkon 126 franga kuintali. Zvicra aplikon edhe kuota për importin e mishit dhe produkteve të tjera nga jashtë. Kështu brenda kuotës së importit 100 kg mish tarifohet me 109 franga, ama po e kalove kuotën përgatitu të paguash plot 2910 franga kuintalin. A e ka nënshkruar Zvicra, marrëveshjen e tregtisë? Sigurisht që po! Por jo “qorrazi” si ne! Sepse i dhimbset ferma dhe fshati i saj. Po kështu vepron edhe Gjermania e cila subvencionon me 280 euro çdo hektar toke bujqësore. Ndërsa BE e subvencionon në total bujqësinë e saj me 60 miliard euro në vit, ndërsa ne i japim asaj 2500 herë më pak! Po qëndruar këtu ku jemi me paratë që i japim bujqësisë dhe shtypjen e saj nga konkurrenca e importeve, rrënimi i saj është i pandalshëm.