Panariti nga Korça: “LSI merr shumicën e mandateve, ftoj partitë e tjera të bëhen pjesë e koalicionit të drejtuar prej saj”

445
Ministri Edmond Panariti deklaroi nga Korça, ku ndodhet në Kongresin e dytë të Industrisë së Bimëve mjekësore dhe aromatike, se Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë forcë e parë në zgjedhjet elektorale të 25 qershorit.

“LSI, në zgjedhjet e qershorit do të dalë forcë e parë politike. Ky është një objektiv realist, sepse ne shohim çdo ditë që mbështetja për LSI rritet nga ana e votuesve, fermerëve, të cilët e kanë kuptuar, që ne nuk u kemi qarë thjesht hallin, por kemi qenë aty kur ata kanë pasur probleme dhe nevojë për ne”, theksoi Panariti, duke shtuar se, “në këto 4 vite, ne ndihmuam dhe kompesuam fermerët që u përmbytën, me një fond prej 6 milion euro. Po ashtu, kompesuam të gjitha dëmet që shkaktoi dermatoza nodulare. Për shumëçka tjetër, por edhe për këto që sapo thashë, shqiptarët do ta vlerësojnë kontributin mbështetës të forcës sonë politike, të cilën e shohin si promotor të zhvillimit”.

I pyetur nga mediat në lidhje me impaktin e mundshëm që mund të ketë marrëveshja Rama-Basha, ministri Panariti tha se, LSI nuk ndikohet aspak nga kjo marrëveshje, e cila vuri në shina normaliteti procesin zgjedhor dhe Lsi ka këmbëngulur vazhdimisht, që opozita të bëhej pjesë e procesit të zgjedhjeve. Ndërsa pyetjes se Rama ka deklaruar që PS merr e vetme 71 mandate dhe si ndikon kjo te LSI apo koalicionet postzgjedhire, Panariti u shpreh i bindur që “LSI do të jetë forcë e parë në 25 qershor, ndaj ftoj edhe partitë e tjera politike, që t’i bashkohen koalicionit të drejtuar prej saj”.
Sigal